
Imami Ervin Qylafku ka ngritur një shqetësim në rrjetet sociale lidhur me një reklamë të Credins Bank, në të cilën paraqitet sheshi “Iliria” në Durrës, por mungon Xhamia e Madhe e qytetit.
Sipas tij, në reklamë me AI dallohen qartë detaje të sheshit, nga ndërtesa e Prefekturës dhe palmat, deri te lokalet “Oborri” dhe restoranti “Koral”, ndërsa xhamia historike nuk shfaqet në pamje.
Qylafku thekson se Xhamia e Madhe, e ndërtuar në kohën e Mbretërisë dhe e pozicionuar në një vend të lartë, është e dukshme nga një distancë e konsiderueshme. Qylafku shpreson që kjo mungesë të mos jetë e qëllimshme dhe u bën thirrje përgjegjësve të bankës të rishikojnë pamjen e përdorur në reklamë.
“Duke parë emisionin e lajmeve në Tv, për një çast shfaqet një reklamë e Bankës Credins që ftonte njerëzit për t’u bërë pjesë e Fondit të Pensionit. Përgjatë reklamës dallohet një burrë i moshës së madhe duke rrëshkitur mbi patina në sheshin “Iliria”. Reklama e realizuar me AI shfaq çdo gjë, Pallatin e Kulturës, ndërtesës e Prefekturës, palmat e sheshit, deri edhe detajet e lokalit “Oborri”, restorantit “Koral”, madje edhe një biçikletë të improvizuar mbështetur te një palmë. I vetmi objekt që mungon, është Xhamia e Madhe, ndërtesë që në kohën e mbretërisë, jo mikroskopike, por e vendosur mbi një vend të lartë, që e bën atë të dukshme deri në kilometra larg. Uroj që të mos jetë e qëllimshme dhe dikush t’ia dërgojë këtë shqetësim njerëzve përgjegjës të bankës Credins, për ta nxjerrë pamjen e sheshit siç është, pa shtrembërim.”


