
Ilir Proda është emëruar zyrtarisht si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmi u konfirmua këtë të mërkurë nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. “Me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pas një konkurrimi më shumë se 10 drejtuesish të lartë policie dhe verifikimet e bëra përmes procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve. Kandidati i cili sot u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë do të jetë në krye të policisë së shtetit.”- tha ministri Hoxha. Ai shtoi se menjëherë pas emërimit të Prodës, tani do të hapet gara për drejtuesit e qarqeve të Policisë së Shtetit.
Ilir Proda është emri i kandidatit që ministri i Brendshëm propozoi duke i dhënë fund garës së hapur pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut. Proda i cili është drejtori aktual i Policisë së Elbasanit, kandidonte mes 5 kandidatëve më të vlerësuar nga Komisioni Ad-Hoc: Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati, Skënder Hita.
Komisioni i Posaçëm vlerësoi me më shumë pikë këta të pestë nga lista me 11 kandidatë, pasi kreu verifikimin e pastërtisë së figurës, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Nga këta, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha njoftoi sot se do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pikërisht Ilir Prodën. Vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës, që pritet të mbahet të mërkurën.

Por kush është Ilir Proda
Me një karrierë prej më shumë së 19 vitesh në radhët e uniformave blu, Proda ka mbajtur një sërë pozitash drejtuese dhe ka qenë një nga iniciuesit dhe organizatorët e arrestimit të Nuredin Dumanit, që më pas u kthye edhe në të penduar të Drejtësisë. Po ashtu, ishte një ndër drejtuesit që ktheu në të penduar të drejtësisë edhe Artan Tafanin.
Proda e ka nisur rrugëtimin e tij pasi ka përfunduar Akademinë e Policisë në vitin 2005, fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme. Ai ka mbajtur dhe detyrën si shef Komisariati në Tiranë e Bulqizë, por edhe zv/drejtor për hetimin e krimit në Korçë e Elbasan dhe që nga marsi i vitit 2023, mban detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.
Në garën për drejtuesin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, emri i Progës është konsideruar gjatë këtyre ditëve si më favoriti në media, ndërsa ka patur edhe nga ata që kanë komentuar se gara dhe procedurat janë fiktive. Avokati Arben Llangozi ishte ndër ata që e denoncuan publikisht garën në fillim të këtij muaji, pasi shkroi në rrjete sociale se: “Mora vesh se drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të zgjidhet Ilir Proda. Pra gara është fiktive dhe po bëhet për propagandë, për t’i hedhur hi syve popullit. Pra që ta din të gjith Ilir Proda do të jetë Drejtor i Përgjithshëm dhe jo me garë por është zgjedhur me urdhër nga klanet.”

Dekonspirimi i operacionit për kapjen e grupit Çopja
Por në karrierën e tij ka patur dhe momente si ai i muajit korrik, ku SPAK-u i sekuestroi telefonin për verifikim pas dyshimeve për dekonspirimin e operacionit të Çopjave, ku shumë nga të dyshuarit nuk u arrestuan dot. Konkretisht, nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK-ut, u ekzekutuan vetëm 13. Nga këta 13, dy prej tyre ishin të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa nga të kërkuarit që nuk arritën të kapëshin, kishte të dhëna se ndodheshin në Shqipëri por dyshohet se operacioni u dekonspirua dhe ata nuk u kapën dot. Në vitin 2014, Proda u denoncua nga një vajzë 19-vjeçare për një incident që pasoi në dhunë, por që ai u nxor i pafajshëm pas hetimit nga SHÇBA.


