
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “5 Pyetje nga Babaramo”, Ilir Babaramo, është shkarkuar papritur nga “Report TV” nga pronari i televizionit, Carlo Bollino, në mbrëmjen e 22 marsit. Babaramo tregon se njoftimi i shkarkimit iu bë nëpërmjet telefonit, ndërsa arsyeja e dhënë nga Bollino ishte kritikat e gazetarit ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat pronarit nuk i pëlqyen. “Dje në orët e vona të mbrëmjes pronari i televizionit më ka telefonuar për të më komunikuar pushimin nga puna. Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë, përsëriste pa pushim Carlo Bollino,” është shprehur Babaramo në deklaratën e tij.
Gazetari falenderon ndjekësit dhe mbështetësit e tij për solidaritetin: “Në këtë udhëkryq timin profesional dua të falënderoj të gjithë ata që besojnë se e vërteta nuk ka çmim. Bashkëpunimi im me televizionin Report TV është ndërprerë në mënyrë të njëanshme.” Ai gjithashtu thekson se ende nuk ka vendosur nëse do të ndërmarrë ndonjë hap ligjor ndaj televizionit dukeqënëse edhe kontrata është ndërprerë vetëm nga njëra anë, ajo e televizionit.
Ky veprim ka shkaktuar reagime dhe shqetësime të forta mbi gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri. Belind Këlliçi dhe Alfred Lela kanë shprehur mbështetje për Babaramon, duke theksuar se largimi i një gazetari vetëm për shkak të ushtrimit të kritikës ndaj qeverisë është një sinjal i qartë i presionit mbi mediat dhe i rritjes së autocensurës. Ata nënvizojnë se çdo akt i tillë jo vetëm që cenon profesionin e gazetarit, por dëmton edhe standardet e demokracisë dhe të informimit të qytetarëve, duke e kthyer hapësirën mediatike në një mjet të kontrolluar nga pushteti. Shkarkimi i Babaramos konsiderohet si një paralajmërim serioz për nivelin e lirisë së shprehjes në vend dhe nxit nevojën për solidaritet dhe mbrojtje të gazetarëve që guxojnë të kritikojnë politikën.
Pas reagimeve publike të Ilir Babaramos dhe atyre që kanë mbështetur atë ka ardhur edhe një qëndrim zyrtar nga Report TV, i cili kundërshton versionin e gazetarit. Televizioni bën me dije se largimi i Babaramos ka ardhur për “shkelje të rëndë etike” dhe prishje të marrëdhënies së mirëbesimit. Sipas deklaratës, gjatë një transmetimi live më 22 mars 2026, Babaramo ka akuzuar kolegun Denis Minga se merrte orientime politike përmes kufjeve, një praktikë që televizioni e mohon kategorikisht. Report TV thekson se deklarata të tilla dëmtojnë imazhin e kolegëve dhe besimin e publikut, duke i cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me etikën profesionale, kontratën dhe Kodin e Punës. Po ashtu, televizioni hedh poshtë pretendimin e Babaramos se është shkarkuar për shkak të kritikave ndaj qeverisë, duke e cilësuar këtë si një akuzë të sajuar për t’u paraqitur si viktimë e lirisë së shprehjes.
Në reagim, theksohet se Babaramo ka pasur liri të plotë editoriale gjatë bashkëpunimit të tij shumëvjeçar dhe se ndërprerja e marrëdhënies së punës erdhi si pasojë e sjelljes së tij dhe prishjes së besimit me punëdhënësin. Report TV shton se po ndjek procedurat përkatëse në përputhje me kontratën dhe legjislacionin në fuqi, duke nënvizuar se mbetet i angazhuar ndaj pluralizmit dhe standardeve profesionale në media.


