Sot është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja, një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, lajm është bërë i ditur nga familjarët përmes rrjeteve sociale, të cilët theksuan se përcjellja për në banesën e fundit është bërë pa një ceremoni publike dhe mes familjarëve të ngushtë. Ndryshe ndodhi me Ismail Kadarenë, i cili u përcoll me nderime shtetërore në një ceremoni në Tiranë, ku morën pjesë krerë shtetesh, personalitete të kulturës dhe një numër i madh qytetarësh që i dhanë lamtumirën në homazhe publike, familja e Qosjes ka zgjedhur një rrugë tjetër me një ceremoni mes miqsh e familjarësh të ngushtë. Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të shquara të mendimit, letërsisë dhe kulturës shqiptare, me një veprimtari të gjerë shkencore, letrare dhe politike që shtrihet për më shumë se gjashtë dekada. Ai u lind më 25 qershor 1936 në Vuthaj, të Malit të Zi, atëherë pjesë e Mbretërisë Jugosllave. Arsimin fillor e nisi në vendlindje, ndërsa gjysmëmaturën e kreu në Guci. Më 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë dhe më pas, në vitin 1960, nisi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua më 1964.

Karriera e tij akademike dhe shkencore nisi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967. Po atë vit u specializua në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1969 u bë bashkëpunëtor shkencor dhe në 1971 mbrojti doktoraturën me studimin “Asdreni: jeta dhe vepra e tij”. Pas doktorimit, u ngrit në pozita të larta akademike, duke u bërë këshilltar shkencor, profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës dhe një nga figurat kryesore të albanologjisë.

Gjatë viteve 1972–1981 ai ishte drejtor i Instituti Albanologjik të Prishtinës, si dhe kryeredaktor i jashtëm i revistës “Jeta e Re”. Në vitet ’70 u pranua edhe në Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Në vitin 1989 iu propozua drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ai e refuzoi.

Në periudhën e tranzicionit politik të viteve ’90, Qosja u bë një nga kritikët më të zëshëm të elitave politike dhe kulturore shqiptare. Ai u përfshi aktivisht në jetën politike duke organizuar Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë dhe më 1998 themeloi Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Si pjesë e delegacionit shqiptar mori pjesë në bisedimet e Rambujesë në 1999, ndërsa pas luftës shërbeu në Këshillin Administrativ të përkohshëm të Kosovës. Më 2000 dha dorëheqjen nga drejtimi i LDB-së pas rezultateve zgjedhore.

Qosja ka një krijimtari të gjerë në letërsi, histori dhe publicistikë. Ai është autor i romaneve të njohura si “Bijtë e askujt”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe shumë vepra të tjera, si dhe i studimeve të rëndësishme si “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar”. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë vlerësuar për ndikimin e tyre në mendimin kritik shqiptar.

Për veprimtarinë e tij është nderuar me shumë çmime, përfshirë Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968), Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit (1969), çmime të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1972, 1974) dhe çmimin “7 Korriku” të Serbisë (1975). Në vitin 2000 mori titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Më vonë u nderua edhe me çmimin “Pjetër Bogdani” (2010) dhe çmimin letrar “Beqir Musliu” (2012).

Me një karrierë të gjatë dhe ndikim të thellë në kulturën dhe mendimin shqiptar, Rexhep Qosja mbetet një nga figurat më të rëndësishme në hapësirën shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5