
Edi Rama prej dy ditësh e ka pritur me padurim zbardhjen e agut, për të lëshuar një valë sulmesh ndaj kujtdo që është i angazhuar me protestën studentore, duke mos kursyer prindërit e të miturve që protestojnë për një të ardhme më të mirë. I shqetësuar për fasadat e bizneseve të dëmtuara dhe për institucionet shtetëtore që kanë shfrytëzuar paratë publike për interesa personale, Rama kërcënoi prindërit e fëmijëve protestues se do të paguajnë një më një për dëmet, sikur të mos mjaftonte niveli i lartë i varfërisë që ka shkaktuar keqqeverisja.
Prindërit e fëmijëve protestues përpos dhunës dhe qëndrimeve për orë të tëra pas dyerve të komisariateve apo spitaleve nuk kanë ndenjuar duarkryq përballë kërcënimeve të kryeministrit, duke hapur një peticion, ku kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Në linkun e publikuar, ata sqarojnë se peticioni është nisur nga prindër shqiptarë pa lidhje partiake, duke renditur një sërë kërkesash, si:
1. Dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama, si përgjegjësi politike për skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë ministra, zëvendëskryeministra dhe drejtues të institucioneve më të larta të shtetit.
2. Dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, si përgjegjës politik për Policinë e Shtetit dhe për dhunën e disa prej punonjësve të saj ndaj protestuesve.
3. Krijimin e një qeverie tranzicioni me mandat të qartë dhe të kufizuar: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe hetimin e pavarur të dhunës ndaj protestuesve.
Megjithatë, Rama iu vuri të miturve sërish kolonën e Forcave Speciale RENEA, ndërsa nuk kurseu dhunën as në oborrin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishit”, në një kohë që i tregon me krenari botës respektin ndaj besimeve fetare dhe harmoninë mes komuniteteve në Shqipëri.



