“Problemi nuk është media, është Sali Berisha!”, titullohet redaksionalja e botuar në “Balkanweb” dhe e transmetuar në “News 24” si një reagim pas sulmeve të kreut të PD-së Sali Berisha ndaj mediave të botuesit, Irfan Hysenbelliu. Gjatë fjalës së tij në një takim me demokratët në Dibër, Berisha akuzoi TV “News 24”, portalin “Balkanweb” dhe gazetën “Panorama” për mbështetje mediatike ndaj Ervin Salianjit duke transmetuar aktivitetet e tij. Për Berishën kjo ishte provë se këto veprime ishin bërë me udhëzim nga Edi Rama. Berisha përmendi edhe ish-kreun e demokratëve Lulzim Bashën, që e quajti peng të Ramës nën presion për dosjet që lidhen më çështjen e “Toyota Yaris” dhe me biznesmenin Muzin. Ai i përdori këto argumetne për të thënë se mbështetja për Salianjin ka qenë e motivuar nga interesa për t’iu afruar pushtetit. “Publikoheshin 16 lajme në katër orë për Salianjin”, tha Berisha, ndërsa kujtojmë se mediat e drejtuara nga Hysenbelliu u shpërngulën nga godina e ish-uzinë së Autotraktorëve.

“Balkanweb” kundërpërgjigjet duke shkruar: “Pasi hapi rrugën për të konkurruar i vetëm në zgjedhjet e brendshme, Sali Berisha ka zgjedhur të hapë një tjetër front, atë me mediat. Ai akuzon ekranet që iu japin hapësirë zërave ndryshe brenda Partisë Demokratike, duke përmendur në fillim Ervin Salianjin dhe tani edhe Lulzim Bashën. Por problemi nuk është te media që pasqyron një realitet. Problemi është tek ai që nuk e pranon më atë realitet”. Lidhur me përmendjen e Bashës, në redaksionale shkruhet: “Sepse faktet janë kokëforta. Nuk ishte media ajo që e solli Lulzim Bashën nga Holanda. Nuk ishte media ajo që e bëri ministër të Transporteve, ministër të Jashtëm dhe të Brendshëm, apo kryetar të Bashkisë së Tiranës. Dhe mbi të gjitha, nuk ishte media ajo që i dorëzoi Bashës Partinë Demokratike. Ishte vetë Sali Berisha!”

Duke iu rikthyer përmbysjes së raporteve brenda PD-së, shkrimi vijon: “Ai e ndërtoi, e promovoi dhe e vendosi Bashën në krye, duke e shpallur për vite me radhë si të ardhmen e së djathtës, madje si kryeministrin më të mirë që do të kishte vendi. Por në momentin që Basha mori vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, pas shpalljes “non grata”, gjithçka u përmbys. I njëjti njeri që dje ishte pasardhësi, u kthye në armik”. Më tej merret në analizë edhe krahasimi i protestave mes Berishës e Bashës. “Në momentet e tij politike më të forta, Lulzim Basha ka arritur të mobilizojë protesta dhe të mbledhë mijëra qytetarë. Sot, ky është një standard që Sali Berisha e ka gjithnjë e më të vështirë ta arrijë. Dikur mjaftonte një thirrje për të mbushur sheshet, sot pjesëmarrja mbetet e kufizuar”.

Lidhur me Salianjin shkruan: “E njëjta skemë edhe me Ervin Salianjin. Ishte i vlefshëm kur përballej në zgjedhje dhe sillte rezultat si në Korçë ashtu edhe në Kavajë, ishte i vlefshëm kur u përball me drejtësinë dhe u përdor si simbol politik, por sapo doli nga rreshti, u kthye në problem”. Sipas “Balkanweb”, “Sali Berisha nuk ka problem me Ervin Salianjin si individ dhe as me faktin që ai shfaqet në ekranin e Neës24, sepse ai shfaqet në shumë televizione. Problemi i vërtetë është me ato media që kanë audiencë të gjerë dhe besueshmëri te publiku. Sepse pikërisht aty, ku fjala ka peshë dhe arrin te qytetarët, çdo zë ndryshe bëhet i dukshëm dhe i padiskutueshëm”.

Në vijim nënvizohet se: “Sali Berisha po vuan pasojat e vendimeve të veta. Duke mos lejuar një garë reale për drejtimin e partisë, qoftë edhe formalisht, ai po shmang testin. Përse po ndodh kjo? Mungesë besimi tek mbështetësit, apo paranojë se situata mund të dalë nga kontrolli dhe ndodh ndonjë e papritur? Ndërkohë që kritikohet për këtë, ai zgjedh rrugën e njohur – të akuzojë se fajin e kanë të tjerët”. Më tej komentohet raporti i Berishës me mediat: “Radha tani i ka ardhur medias. Por me këtë akuzë Sali Berisha bëhet fare i pabesueshëm. Sepse e njëjta media që sot sulmohet, është ajo që i ka dhënë hapësirë të përditshme, pa filtra dhe pa censurë. Nëse ka një politikan që nuk mund të ankohet për mungesë hapësire televizive, është pikërisht Sali Berisha”.

Pas këtij shkrimi “News 24”, “Balkanweb”, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare” qartësojnë qëndrimin e tyre duke sqaruar se kanë bërë detyrën që ka një media duke pasqyruar të gjitha zërat, “Edhe kur ato janë kundër njëri-tjetrit. Dhe pikërisht për këtë arsye kanë qenë nën presion dhe sulme, sepse nuk kanë pranuar të zgjedhin një anë, por të qëndrojnë te faktet”, shënon redaksionalja duke u pozicionuar: “Vetë Sali Berisha pranon se televizioni që përmend “ka gazetarë të mirë”. Dhe kjo është e vërtetë. Por këta gazetarë të mirë kanë pas vetes një botues po aq serioz, që garanton standarde dhe pavarësi editoriale. Ky botues nuk ka qenë dhe nuk është peng i askujt, as i Sali Berishës dhe as i Edi Ramës. Nuk ka marrë favore apo punë publike prej asnjërit, ndaj nuk ka arsye t’i detyrohet askujt. Pikërisht kjo pavarësi mundëson që gazetarët të bëjnë punën e tyre me integritet dhe pa kompromis”.

Shënimi mbyllet me komentin mbi kontrollin që sipas tyre Berisha kërkon të ketë: “Të atakosh median pasi e ke patur si tribunë çdo ditë, nuk është vetëm kontradiktë. Është përpjekje për ta frikësuar dhe delegjitimuar atë. Problemi i Sali Berishës është se nuk lë hapësirë për mendim ndryshe. Çdo zë që del jashtë vijës së tij përjashtohet. Dhe kur një parti funksionon kështu, ajo nuk drejtohet më, por kontrollohet. Jo për të bashkuar, por për të mbetur në dorën e një njeriu të vetëm, deri në fund”.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5