
Shumë burra kthehen në Shqipëri edhe kur janë trafikuar, por Home Office tani duhet të marrë parasysh udhëzimet e reja ligjore. Home Office mund të pengohet të dëbojë në Shqipëri shumë viktima të reja meshkuj të trafikimit, pas një vendimi të rëndësishëm gjyqësor. Mijëra shtetas shqiptarë janë identifikuar si viktima të mundshme të trafikimit në Mbretërinë e Bashkuar vitet e fundit. Shumë prej tyre dërgohen në Shqipëri edhe nëse janë viktima të mundshme ose të konfirmuara të trafikimit, pasi Home Office argumenton se ata do të jenë të sigurt në vendin e tyre. Vendimi pritet të jetë një goditje e rëndësishme për qeverinë, e cila po përpiqet të rrisë numrin e personave që largon nga vendi. Shqiptarët kanë qenë kombësia më e zakonshme mes personave të larguar me forcë nga Mbretëria e Bashkuar gjatë pesë viteve të fundit. Sipas shifrave të qeverisë britanike, 2,247 shqiptarë u dëbuan gjatë 12 muajve deri në fund të marsit, duke përbërë një të katërtën e të gjitha kthimeve të detyruara.
Të dhënat e bëra publike gjatë çështjes gjyqësore tregojnë se, ndërsa më parë viktimat kryesore të trafikimit nga Shqipëria ishin gratë, kryesisht të trafikuara drejt industrisë së seksit në Mbretërinë e Bashkuar, ato tashmë janë tejkaluar nga meshkujt, kryesisht djem dhe të rinj, të cilët trafikohen për tregtinë e drogës, ose për të shpërndarë droga të paligjshme, ose për të punuar si “kopshtarë” në fermat e kanabisit. Në vitin 2022, 4,107 meshkuj shqiptarë iu referuan shërbimeve britanike për shkak të dyshimeve për trafikim, krahasuar me 502 gra. Në vitin 2023, shifrat ishin 3,463 meshkuj dhe 588 femra.
Sfida ligjore u ngrit nga një 21-vjeçari shqiptar, viktimë e trafikimit, i cili u shfrytëzua për herë të parë nga një bandë shqiptare në Belgjikë, kur kishte shkuar atje me të atin në moshën 16-vjeçare. Ai iu shit një bande tjetër shqiptare, e cila e solli në Mbretërinë e Bashkuar dhe e detyroi të punonte në kultivimin e bimëve të kanabisit. Më vonë ai arriti të arratisej dhe u njoh si viktimë e trafikimit, por iu refuzua azili, pasi iu tha se do të ishte i sigurt nëse do të kthehej në Shqipëri. Një trupë prej tre gjyqtarësh të lartë të Upper Tribunal, gjykata britanike që shqyrton çështjet e emigracionit, pranoi kërkesën e tij për azil dhe konstatoi se, edhe pse kishin kaluar pesë vjet që nga momenti kur ishte trafikuar për herë të parë, ai vazhdonte të ishte përballë një “rreziku real” nga trafikantët e tij dhe nuk mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri.
Gjyqtarët nxorën udhëzime të reja për Shqipërinë, të cilat Home Office duhet t’i marrë parasysh përpara se të vendosë nëse do t’i kthejë në Shqipëri viktimat meshkuj të trafikimit. Vendimi konstaton se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, ai mbetet një problem i përhapur. Gjithashtu, nuk ka strehimore të posaçme për viktimat meshkuj të rritur të trafikimit, ndërsa rreziku që viktimat të ritrafikohen pas kthimit në Shqipëri është i konsiderueshëm.
Islington Law Centre, i cili ka ekspertizë të veçantë në përfaqësimin e viktimave shqiptare të trafikimit, vuri në dukje një sërë praktikash shqetësuese që bandat përdorin ndaj viktimave të tyre. Këto përfshijnë filmimin e qëllimshëm të abuzimit seksual, përfshirë përdhunimin e fëmijëve viktima të trafikimit, dhe kërcënimin për publikimin e pamjeve në rrjetet sociale.
Bandat gjithashtu u tregojnë të rinjve video të njerëzve të tyre të afërt në Shqipëri, për t’u bërë të ditur se e dinë se kush janë familjarët e tyre. Ato gjithashtu u shkaktojnë fëmijëve dhe të rinjve dëmtime fizike, si thyerje të kockave. Esme Madill, avokate në Islington Law Centre, e specializuar në përfaqësimin e viktimave të reja shqiptare të trafikimit, e mirëpriti vendimin: “Ky vendim i matur është marrë nga një gjykatë që kishte në dispozicion prova të rëndësishme dhe të detajuara lidhur me problemin shqetësues të trafikimit të djemve dhe të rinjve nga rrjetet kriminale të organizuara shqiptare. Profilet e të mbijetuarve të trafikimit dhe rreziqet e njohura në këtë vendim përputhen fuqishëm me atë që ne shohim në punën tonë me të rinj të mbijetuar, thellësisht të brutalizuar dhe të traumatizuar, çdo javë.” Burime nga Home Office thanë se po shqyrtojnë nëse do të kërkojnë leje për ta apeluar vendimin.
Ky shkrim është në pronësi intelektuale të “Theguardian”.


