Ekspertët e projektit arkitekturor u ulën në tavolinat e tyre. Urdhri ishte të krijonin një projekt për spitalin e ri që do ndërtohej në Fier.

Ekipi i “Atelier 4” iu fut punës për të krijuar modelin me të cilin do të fitoheshin 550 milionë lekë të vjetra.

Megjithatë ngjarja që do të rrëfejmë më pas nuk ka lidhje me mënyrën se si arriti që “Atelier4”, një nga kompanitë më të favorizuara në tenderime gjatë qeverisjes socialiste, të fitonte thjesht me dizenjim kaq shumë para.

Ajo që do të tregojmë ka lidhje me historinë e një spitali që s’u ndërtua kurrë, edhe pse nga xhepi i të gjithëve janë marrë miliona.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Spitali i Ramës

Pak muaj pasi socialistët erdhën në pushtet, në muajt shtator-tetor të 2014-ës menduan të ndërtojnë një spital në Fier. Ideja ishte ngritja e një shërbimi që do përballonte krejtësisht fluksin e jugut, duke i dhënë një frymëmarrje më të madhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Me 400 shtretër, një projekt me të paktën 3 kate mbi tokë dhe parkime nëntokësore.

Njoftimi i kontratës dhe detajet e projektit të parë

Projekti u prezantua me pompozitet edhe nga drejtoresha e Spitalit të Fierit asokohe, Antoneta Dhima, teksa studio fituese kalonte para përfaqësuesve kryesorë të qytetit slidet e “PowerPointit”, të cilat i shikonte me kërshëri edhe Armando Subashi.

Imazhet i hapnin rrugën një projekti ambicioz, i cili do të kushtonte 50 milionë euro.

Zona ku do të ngrihej? Në pyllin e Levanit.

Foto nga prezantimi pompoz i projektit të “Atelier4”

“Atelier4” u pagua nëpërmjet dy transaksioneve për projektin e dizenjimit arkitekturor. Po të shkosh në terren, Spitalin e Fierit me 400 shtretër nuk e gjen gjëkundi.

Projekti “Atelier4”

Spitali i Erdoganit

Tetë vjet më vonë po Armando Subashi, kryebashkiaku i Fierit që shikonte i përqëndruar Dhimën në 2014-ën, vështronte kësaj radhe me kërshëri dorën e kryeministrit Edi Rama dhe sidomos gishtin tregues.

Në autostradën Fier-Vlorë ishte me rëndësi për Subashin të ishte vigjilent për të parë se në ç’parcelë do ta vinte gishtin shefi i tij.

Kështu u zgjodh edhe vendi se ku do ndërtohej spitali i Fierit, fondet e të cilit Rama i kishte gjetur shumë larg qeverisë së tij, në Turqi.

“Së shpejti spitali rajonal i Fierit do jetë realitet…Basti i presidentit Erdogan që spitali rajonal i Fierit të jetë gati për tre muaj është i fortë.”, kuvendonte në Ankara para Erdoganit Rama. Ndërsa presidenti turk i kundërpërgjigjej se spitali ishte veçse një grimcë për ta.

Gjurma e truallit ku do ngrihet Spitali i Erdoganit

Tentativa e dytë e kryeministrit Edi Rama për të ndërtuar një spital aty ku jo vetëm kishte premtuar por ku edhe ka paguar nga buxheti i shtetit 550 milionë lekë të vjetra mban disa pikëpyetje.

1.Pse nuk u ndërtua projekti i parë i spitalit?

2.Sa shtretër do ketë spitali që financon presidenti turk Erdogan? A do ketë ai 400 shtretër? 160 shtretër? Më shumë a më pak?

3.A do jetë ai me disa kate apo thjesht njëkatësh?

4.Kush do ta bëjë projektin e ri arkitekturor? A do kontraktohet një studio tjetër apo “Atelier4”? A do përdoret projekti i vjetër?

5. A do punojë falas “Atelier4” apo do pajtohet një kompani e re?

6.A janë në dijeni turqit për transaksionet me “Atelier 4”?

Projekti i “Atelier 4”

Kësaj radhe kushdo që kalon në autostradën Fier-Vlorë do ta ketë të lehtë të konstatojë nëse tentativa e dytë e kryeministrit Rama ka rezultuar apo jo e suksesshme.

Megjithatë në këto kohë të vështira pacientët me Covid19 mund ta kishin përdorur spitalin në pyllin e Levanit nëse do ishte ngritur.

Valmora Gogo
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)