
Deputetja Jorida Tabaku ka komentuar punën e Korporatës së Investimeve (KIS) duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe llogaridhënie. Tabaku shkruan se Korporata e Investimeve (KIS) e krijuar si organizëm shtetëror për të kontrolluar pronën publike, vetë operon në si një strukturë e errët. Tabaku thotë se KIS-i është kritikuar më herët edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ku për vite me radhë, është paraqitur si një institucion që promovon zhvillimin ekonomik, por në realitet funksionon si një strukturë pa auditim të brendshëm dhe mekanizma kontrolli. Ajo sqaron se ligji i miratuar para shtatë vjetësh për krijimin e Korporatës së Investimeve (KIS) i dha këtij institucioni fuqi të mëdha mbi miliarda euro pasuri kombëtare, duke i mundësuar operime pa tendera dhe procedura ligjore, dhe duke krijuar një rrezik të prekshëm për qytetarët dhe ekonominë. Për KIS-in ka një raport nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ku vërehet se operon me dy versione bilancesh, nuk ka njësi auditimi të brendshëm, nuk ka departament kontrolli dhe nuk garanton mbrojtjen e pasurisë publike. “Tenderimet që KIS bën për pasuritë publike, bien në kundërshtim me parimet e MSA duke i hapur dyert abuzimit dhe njëkohësisht duke dëshmuar se KIS është ajo masha e errët që qeveria përdor për t’i ikur detyrimeve të integrimit. Duke dëshmuar sjelljen hipokrite të qeverisjes socialiste ku në mëngjes i këndojnë procesit të integrimit ndërsa në darkë përmes KIS-it ndajnë tenderat në kundërshtim me MSA-në.”-shkruan Tabaku. Sipas saj korporata operon edhe si një bankë financiare, duke i dhënë hua institucioneve publike, gjë që rrit rrezikun financiar për pasuritë publike.

Shpenzimet e mbledhura nga KIS, sipas Tabakut, përdoren për qira të shtrenjta dhe abuzive, pa analiza të duhura çmimi dhe në kundërshtim me vendime të qeverisë. Deputetja demokrate Tabaku akuzon direkt KIS-in për projektet pa analiza dhe pa planifikim adekuat, përfshirë Godinën e Kadastrës dhe Kompleksin Qeveritar, që sipas saj janë rezultat i projekteve të shpejtuara dhe shkeljeve ligjore. “Krijimi i KIS-it ka hapur një “tunel të fshehtë” për trajtimin e pasurisë kombëtare në errësirë, dhe FMN-ja ka shprehur skepticizmin për funksionimin e tij.”-shton deputetja. Pas publikimit të akuzave, Tabaku sheh të nevojshme që Kuvendi të propozojë mekanizma ligjorë për të audituar KIS-in, duke e nxjerrë korporatën nga errësira dhe duke siguruar kontroll mbi pasurinë publike. “Shqipëria nuk mund të lejojë një korporatë shtetërore të veprojë në errësirë, pa rregulla dhe pa llogari, ndërsa pronat e qytetarëve kthehen në mall tregu për një rreth të ngushtë vendimmarrjeje.Prona publike është pasuria e shqiptarëve. Dhe nuk mund të preket në heshtje, në fshehtësi dhe me struktura që KLSH vetë i ka cilësuar të pambrojtura dhe të rrezikshme.”-shton ajo duke kërkuar sigurinë e pronës publike që u përket shqiptarëve.


