
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim penal mbi pretendimet tronditëse se shtetas italianë dhe të huaj kanë paguar për të qëlluar mbi civilë gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90, në atë që po përshkruhet si “turizëm snajperësh”.
Sipas raportimeve të “BBC”-së dhe “The Guardian”, hetimi është ndërmarrë nga prokurori italian Alessandro Gobbi, pasi gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni dorëzoi një kallëzim penal, ku përfshihen dëshmi, dokumente dhe një raport i ish-kryetares së bashkisë së Sarajevës, Benjamina Karić.
Gavazzeni, i njohur për shkrimet e tij mbi terrorizmin dhe mafien, thotë se ka zbuluar prova që tregojnë se persona shumë të pasur, të apasionuar pas armëve, paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur nga pozicionet serbe në kodrat përreth qytetit të rrethuar. Pretendohet se këta “sniper tourists” italianë dhe shtetas të tjerë perëndimorë paguanin shuma të mëdha parash për t’u transportuar nga ushtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës në pozicionet e zjarrit, nga ku mund të qëllonin mbi popullsinë civile. Në disa dëshmi thuhet madje se çmimet ndryshonin sipas “llojit të viktimës” burrë, grua apo fëmijë.
“Ishin njerëz të pasur, pa motive politike apo fetare. Shkonin atje për qejf dhe për ndjesinë e pushtetit që u jepte arma,” – ka deklaruar Gavazzeni për mediat italiane.
Sipas kallëzimit, italianët e përfshirë mblidheshin në Trieste, udhëtonin drejt Beogradit, dhe më pas shoqëroheshin nga ushtarë serbë në kodrat mbi Sarajevë, prej nga qëllonin mbi banorët e qytetit të rrethuar. “Ishte një trafik i të ashtuquajturve ‘turistë lufte’ që paguanin për të vrarë,” -shtoi ai, duke e cilësuar fenomenin si një indiferencë të frikshme ndaj së keqes.

Në dokumentet e dorëzuara në prokurori përfshihet edhe dëshmia e një zyrtari të inteligjencës ushtarake boshnjake, i cili tregon se autoritetet e Sarajevës kishin zbuluar ekzistencën e këtyre “sniper tourists” që në fund të vitit 1993 dhe e kishin njoftuar shërbimin sekret ushtarak italian (SISMI). Sipas tij, disa muaj më vonë nga Italia erdhi përgjigjja: “I kemi ndalur, nuk do të ketë më sniper tourists.”
Hetimi i sotëm përqendrohet mbi veprën penale të vrasjes me dashje, të rënduar nga motive çnjerëzore dhe mizore, ndërsa disa prej personave të identifikuar pritet të thirren për t’u marrë në pyetje në javët në vijim. Rrethimi i Sarajevës (1992–1996) ishte më i gjati në historinë moderne, ku më shumë se 11 mijë civilë humbën jetën nga granatimet dhe zjarri i snajperëve serbë. Rrugët e qytetit, përfshirë bulevardin qendror Meša Selimović, u kthyen në “Sniper Alley”, ku çdo kalim ishte një rrezik për jetën.

Historia ka kujtuar edhe viktima simbolike të kësaj periudhe, si Boško Brkić dhe Admira Ismić, çifti i njohur si “Romeo dhe Zhulieta e Sarajevës”, të vrarë nga një snajper në vitin 1993 ndërsa përpiqeshin të kalonin një urë mes pozicioneve ndërluftuese.
Dokumentari “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zupanič (2022) e risolli këtë temë në vëmendje, duke përfshirë rrëfime të ish-ushtarëve serbë që pretendonin se perëndimorë të pasur kishin marrë pjesë në këto gjueti. Pikërisht ky film, thotë Gavazzeni, e shtyu ta hapte sërish hetimin e tij pas tri dekadash. Megjithatë, disa ish-ushtarakë britanikë që shërbyen në Sarajevë i thanë BBC-së se nuk kanë parë apo dëgjuar kurrë për “sniper tourism”, duke e cilësuar fenomenin si “një mit urban”. Ata theksuan se për shkak të kontrolleve të shumta ushtarake, do të ishte logjistikisht e vështirë që civilë të huaj të kishin hyrë në zona lufte për të qëlluar mbi banorët.
Pavarësisht këtyre dyshimeve, hetimi i Milanos ka nisur dhe po konsiderohet si përpjekja e parë serioze për të verifikuar një nga akuzat më të errëta të luftës së Bosnjës.


