
Studentët e Kolegjit Profesional të Formimit Policor pranë Akademisë së Sigurisë në Tiranë janë helmuar përsëri brenda 2 muajsh. Sipas Policisë 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ata janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa sot në mëngjes janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së. Të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Policia bën të ditur se është ngritur një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë. Pas lajmit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuar, të cilat po analizohen në laborator për të identifikuar shkakun e mundshëm të helmimit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë për shkak të ngjarjes. Ai ka shkuar në Akademi menjëherë pas njoftimit. Kreu i Policisë ka kërkuar hetim të plotë të zbardhjes së rrethanave të kësaj ngjarjeje si dhe vënien para përgjegjesive ligjore të personave përgjegjës.
Lexo edhe: https://gogo.al/dyshohet-se-studentet-e-akademise-se-sigurise-jane-helmuar-nga-ushqimi/
Studentët e Akademisë së Rendit e marrin ushqimin katering nga kompania “Sori-AL”, e cila është distancuar nga përgjegjësia. Në një deklaratë zyrtare ata kërkojnë që në hetim të merret në konsideratë se studentët marrin ushqim edhe nga jashtë dhe se në godinën e tyre mungojnë kushtet elementarë të higjenës. “Gjatë ofrimit të shërbimit janë evidentuar mangësi në disa kushte higjieno-sanitare, si mungesa e mundësisë për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent para vakteve ushqimore”, shkruan kompania.
Më tej qarojnë se i kanë faktuar vetë kushtet e brendshme. “Në kuadër të këtij monitorimi janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar. Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet“.


