
Prokuroria e Hagës ka kërkuar 45 vjet burg për ish-krerët UÇK-së, ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte si: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit si: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje në periudhën kohore midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Të pandehurit kanë mohuar akuzat. Procesi ndaj tyre ka nisur në tetor të vitit 2020 ku më pas janë dërguar në paraburgimin e Hagës.

Prokurorja Kimberly West në paraqitje të pretencës tha: “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”. Në sallën e gjyqit ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar në 50 kampe të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). West tha se në UÇK ishin të përfshirë persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona të komunitetit rom dhe shtetas serbë. “Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”-vijoi West.
Prokurori Alan Tieger më tej ka shtuar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së që në orët e para të formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ata kanë importuar armë në Kosovë. “Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, tha ai.

Rexhep Selimi, për prokurorin Tieger, ishte një person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët. “Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997-ën. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, -tha Tiegeri.

Prokurori ngre pretendime se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarë të Partisë Socialiste Serbe. Ai u referohet ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë fjalimit në varrimin e një personi që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së e shton se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuara antikombëtare. Procesi nisi në 2020, ndërsa West sqaron se edhe pse kanë kaluar vite, akuzat nuk e kanë humbur vlerën me kalimin e kohës. “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi”-thekson ajo.

Analisti Mentor Kikia në një postim në rrjete sociale kërkon fundin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Ndërkombëtare: “UÇK-ja ishte ushtri, jo OJQ për të drejtat e njeriut! Ky gjyq duhet të shënojë edhe Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Ndërkombëtare… Këta i pyesnin ish-drejtuesit e UÇK-së: A mbanit uniforma ushtarake ju? Po armë a kishit? Jo mor torollakë, nuk kishin as uniforma ushtarake as pushkë. Ata ishin veshur me kostume, çorape të bardha dhe kollaro, dhe kishin me vetë roll-upe, banera e fletëpalosje, dhe bënin trajnime nëpër male, ku u mësonin kriminelëve serbë, se të vrasësh fëmijë e të përdhunosh gra, është shkelje e të drejtave të njeriut. Dëgjojeni këtë karafilin e tretë, që thotë se UÇK-jë kishte si qëllim të eliminonte aparatin e sigurisë serbe. Po pse, çfarë duhej të kishte si qëllim o idiot, t’i furnizonte makinat me karburant që të vazhdonin t’u digjinin shtëpitë, t’u vrisnin fëmijët e të shfarosnin popullin?”-shkruan Kikia.

Ai komenton edhe faktin që në akuzë ka edhe dëshmi nga vetë shqiptarët kundër shqiptarëve të UÇK-së, duke shtuar: “Nuk habitem. Armiqtë e shqiptarëve, aleatët me të mëdhenj, ndër shqiptarë i kanë gjetur gjithmonë. Ka eksponentë analistë/politikanë, në Kosovë që për hir të interesave që kanë me Serbinë, apo inateve me njëri-tjetrin, janë gati të votojnë pro rikthimit të Kosovës nën Serbi”.

Gazetari Klodian Tomorri e quan farsë gjyqin ndaj UÇK-së duke ironizuar se kjo e bën edhe Milosheviçin të duket burrë i mirë. Ai shkruan se nuk barazohet kurrë agresori me viktimën, një shtet me institucionet, një qeveri dhe ushtri të rregullt siç ishte Serbia, me një organizatë vullnetare pa hierarki dhe pa zinxhirë të qartë komande dhe përgjegjësish si UÇK-ja. Ai thekson se urdhrat për krimet e serbëve në Kosovë vinin drejtpërdrejtë nga qeveria dhe institucionet e Serbisë. Kosova nuk kishte as shtet, as qeveri, as institucione. Tomorri vëren se: “Krimet e luftës i bën pushtuesi. Jo ai që pushtohet. Nuk shkoi UÇK-ja të vriste serbë në Beograd. Ishte ushtria serbe që vrau shqiptarë në Kosovë”.

Nga e mërkura më datë 11-18 shkurt nis mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë. Sipas legjislacionit Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.


