
Grupi koordinues i protestës kombëtare që mbahet prej 81 ditësh në Tiranë njoftoi se së fundmi iu kanë dërguar një kërkesë institucioneve europiane dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, duke kërkuar që zhvillimet e protestës dhe mënyra sesi trajtohen protestuesit të monitorohen nga afër prej tyre.
Kjo kërkesë, dërguar përmes një letre të posaçme u bë e ditur nga vetë protestuesit që mbajtën fjalimet e tyre përballë Kryeministrisë.
“Sot dua ta fillojmë me një deklaratë që Grupi i Koordinimit dhe protestues të tjerë ia ka dërguar disa institucioneve ndërkombëtare, si Parlamentit Europian dhe organeve të tjera. Këtë kërkesë e kemi dërguar dhe tani e gjithë protesta dhe njerëzit janë në vëzhgim nga organet ndërkombëtare, që të mos kemi më dhunë policore, arrestime arbitrare dhe forma të tjera presioni”, u shpreh një nga protestuesit.
Sipas protestuesit, kërkesa synon të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj situatave që krijohen gjatë tubimeve, duke përmendur shqetësimet për përdorimin e forcës nga policia dhe ndalimet e protestuesve.
Letra e plotë:
KËRKESË PËR VËZHGIM NDËRKOMBËTAR DHE VERIFIKIM TË TRAJTIMIT TË PROTESTUESVE
DREJTUAR: Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri; Komisionit Europian; Parlamentit Europian; Prezencës së OSBE-së në Shqipëri; OSBE/ODIHR-it; Këshillit të Europës; Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut; dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë.
NGA: Grupi i Mbarëvajtjes dhe Koordinimit të Protestës dhe Qytetarë të Tjerë Protestues
DATË: 17 Gusht 2026
LËNDA: Kërkesë për dërgimin e vëzhguesve në protestat e ardhshme dhe ndjekjen institucionale të përdorimit joproporcional të forcës, shoqërimeve, procedimeve dhe intimidimin e protestuesve.
I. Qëllimi i komunikimit
Ky komunikim paraqitet nga Grupi i Mbarëvajtjes dhe Koordinimit të Protestës dhe qytetarë të tjerë protestues si grup që ka kontribuar në koordinimin e protestës, ruajtjen e karakterit të saj qytetar, komunikimin me pjesëmarrësit, shmangien e përplasjeve dhe dokumentimin e incidenteve. Që prej fundit të muajit maj 2026, qytetarë të shumtë janë mbledhur çdo ditë në Tiranë për të shprehur kundërshtimin ndaj mungesës së transparencës, dëmtimit të interesit publik, korrupsionit dhe dobësimit të mekanizmave demokratikë të llogaridhënies. Ajo që nisi si reagim ndaj ndërhyrjeve në zona të mbrojtura u shndërrua gradualisht në një lëvizje më të gjerë qytetare, që kërkon sundim të ligjit, respekt për institucionet, mbrojtje të pasurive publike dhe rikthimin e qytetarit në qendër të vendimmarrjes. Pavarësisht intensitetit të pakënaqësisë publike, protestat kanë ruajtur në thelb karakterin e tyre paqësor, qytetar dhe simbolik.
Ky komunikim u drejtohet mekanizmave ndërkombëtarë pasi thirrjet publike drejtuar Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit dhe organeve të tjera vendase, kanë hasur në heshtje dhe mungesë të një përgjigjeje substanciale efektive. Deri në datën e këtij komunikimi, asnjë prej organeve të lartpërmendura nuk ka bërë asnjë gjetje, përfundim apo masë konkrete pasuese ndaj situatave që po parashtrojmë. Për këtë arsye kërkojmë vëzhgim të pavarur ndërkombëtar, dokumentim në terren të protestave të ardhshme dhe një kanal të qëndrueshëm komunikimi me grupin e koordinimit dhe protestuesit.
II. Protestat përpara Kuvendit dhe reagimi policor
Ky raport evidenton në mënyrë të veçantë katër episode kryesore përpara Kuvendit të Shqipërisë: protestën e 2 korrikut, që përkonte me ditën e 33-të të mobilizimit qytetar; protestën e 20 korrikut, në ditën e 51-të; protestën e 23 korrikut, në ditën e 54-t; dhe protestën e 27 korrikut, në ditën e 58-të. Në këto raste, qytetarët u mblodhën përpara institucionit që duhet t’i përfaqësojë, pikërisht në ditët kur zhvilloheshin seanca parlamentare, me qëllim që zëri dhe kërkesat e tyre të dëgjoheshin nga përfaqësuesit e zgjedhur.
Gjatë protestave, qytetarët përdorën vezë dhe produkte të tjera ushqimore ndaj automjeteve të deputetëve dhe objekteve institucionale, si një veprim simbolik i kundërshtimit politik. Hedhja simbolike e vezëve, e njohur gjerësisht në traditën e protestës demokratike, nuk rrezikonte jetën apo integritetin fizik të askujt. Megjithatë, reagimi i autoriteteve policore ishte, në disa raste, i menjëhershëm, kolektiv dhe dukshëm joproporcional me natyrën e këtyre veprimeve. Megjithëse u raportuan edhe incidente të veçuara, ato nuk mund t’i atribuohen tërësisë së protestuesve. Për këtë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në gjetjet e publikuara më 3 korrik 2026, vlerësoi se protesta e 2 korrikut kishte ruajtur për një kohë të gjatë karakter kryesisht paqësor dhe se veprimet individuale nuk mund të përgjithësoheshin si sjellje e të gjithë pjesëmarrësve.
Megjithatë, ndërhyrjet policore përfshinë përdorimin e ujit me presion, gazit lotsjellës, sprajit me piper dhe forcës fizike nuk mund te justifikohen. Më 2 korrik u raportuan 23 persona të shoqëruar dhe 19 të arrestuar; më 23 korrik, 23 të shoqëruar dhe 11 të arrestuar; ndërsa më 27 korrik u shoqëruan gjashtë persona, shifra këto të cilat tregojnë se reagimi policor nuk u kufizua vetëm në menaxhimin e incidenteve të veçuara, por përfshiu një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstatoi gjithashtu se përdorimi i gazit lotsjellës nuk ishte paraprirë nga paralajmërimi publik dhe koha e arsyeshme për shpërndarje vullnetare. Ai ngriti gjithashtu pretendime për forcë gjatë arrestimit dhe transportimit, pengesa në ekzaminimin e pavarur mjekësor dhe kufizime të aksesit efektiv tek avokati, duke kërkuar hetim të pavarur dhe efektiv.
Materialet filmike, dëshmitë e pjesëmarrësve dhe raportimet publike të cilat do ti bashkangjiten këtij raporti, tregojnë një model të përsëritur ndërhyrjeje. Qytetarë janë tërhequr me forcë, janë shoqëruar në komisariate dhe janë mbajtur për disa orë. Tepër shqetësuese është gjithashtu se persona me probleme shëndetësore dhe individë vulnerabël janë prekur nga përdorimi i agjentëve irritues, ndërsa është raportuar edhe shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës. Këto rrethana ngrenë dyshimin se ndërhyrjet nuk kanë synuar vetëm rivendosjen e rendit, por kanë krijuar edhe një efekt frikësues dhe dekurajues ndaj pjesëmarrjes së mëtejshme në protestë.
Edhe më shqetësuese janë rastet kur qytetarë të zakonshëm, pas pjesëmarrjes së tyre në protestë, janë identifikuar, ndaluar ose shoqëruar në polici në ditët pasuese. Këto veprime, të kryera jashtë momentit të protestës dhe në rrethana që kërkojnë transparencë të plotë ligjore, krijojnë perceptimin e një forme presioni të qëllimshëm ndaj qytetarëve. Një shoqëri demokratike nuk mund të lejojë që pjesëmarrja në një protestë të kthehet në burim ankthi, pasigurie apo frike se policia mund të paraqitet më vonë për të ndëshkuar dikë vetëm sepse ka ngritur zërin.
III. Incidenti ndaj Gentjan Prognit
Një nga ngjarjet më të rënda është incidenti i 27 korrikut ndaj Gentjan “Gent” Prognit, një prej zërave më aktivë qytetarë dhe një prej koordinatorëve të protestës. Sipas deklarimeve të tij dhe materialeve të bëra publike, një person tentoi ta kërcënonte ose sulmonte me thikë gjatë protestës. Progni e ka identifikuar personin e përfshirë si punonjës të strukturave policore dhe ka paraqitur kallëzim pranë Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Pa paragjykuar përfundimin e hetimeve ose përgjegjësinë penale individuale, vetë mundësia që një aktivist dhe koordinator proteste të jetë kërcënuar me thikë nga një person i lidhur me strukturat policore përbën një alarm jashtëzakonisht serioz. Kjo ngjarje nuk mund të trajtohet si një konflikt i zakonshëm ndërmjet individësh. Ajo kërkon një hetim të menjëhershëm, të pavarur, transparent dhe të mbrojtur nga çdo ndikim institucional mbi protestuesit.
IV. Përdorimi i agjentëve irritues, cënimi i personave vulnerabël dhe stigmatizimi politik
Pas ndërhyrjeve policore, protestues të shumtë kanë raportuar djegie në sy dhe lëkurë, vështirësi në frymëmarrje dhe reaksione të tjera fizike. Këto dëshmi kërkojnë transparencë të plotë mbi përbërjen, autorizimin, sasinë dhe protokollet e përdorimit të substancave të hedhura me ujë ose në formën e sprajit irritues. Pushteti nuk mund të përdorë forcën ndaj qytetarëve dhe më pas të refuzojë të tregojë se me çfarë substancash i ka ekspozuar ata. Veçanërisht i rëndë është fakti se nga ndërhyrjet janë prekur edhe persona me aftësi të kufizuara dhe vështirësi zhvillimore. Të rinj, prindër, të moshuar dhe qytetarë vulnerabël janë përballur me ujë me presion, agjentë irritues dhe forcë fizike vetëm sepse kërkuan të dëgjoheshin. Kjo nuk është thjesht çështje e menaxhimit të një proteste, por tregues i mënyrës se si pushteti trajton qytetarët kur ata kundërshtojnë.
Dhuna fizike është shoqëruar edhe me një fushatë publike stigmatizimi. Kryeministri Z. Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Taulant Balla kanë përdorur komunikimin publik për të personalizuar sulmet, duke përdorur gjuhë dhune fizike dhe verbale nëpërmjet kriminalizimit të protestuesve dhe zhvendosur vëmendjen nga kërkesat e tyre. Janë publikuar fotografi (disa prej tyre dhe me inteligjencë artificiale), dhe të dhëna të qytetarëve, janë komentuar jetët e tyre personale dhe janë përdorur etiketime që synojnë t’i paraqiten si kërcënim. Edhe prekja nga agjentët irritues e një familjeje me një person vulnerabël u përdor për të sulmuar organizatorët, duke i krahasuar ata me terroristë. Më 21 qershor, ORF raportoi se Edi Rama i kishte paraqitur demonstratat si të manipuluara nga “agjentë të huaj”. Etiketimi nga Z. Edi Rama i protestuesve si të manipuluar nga “agjentë të huaj”, pa paraqitur asnjë provë, është i papranueshëm dhe përbën rrezik kombëtar, pasi kriminalizon kundërshtimin qytetar, përçan shoqërinë dhe e trajton çdo zë kritik si armik të pushtetit.
V. Kërkesat tona
Veprimet e përshkruara ngrenë shqetësime serioze në raport me nenet 3, 5, 10 dhe 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me nenet 7, 9, 19 dhe 21 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Shteti shqiptar ka jo vetëm detyrimin të përmbahet nga përdorimi arbitrar dhe joproporcional i forcës, por edhe detyrimin proaktiv të garantojë ushtrimin efektiv dhe të sigurt të së drejtës për tubim paqësor.
Këto episode ngrenë shqetësimin se ndërhyrjet kanë pasur qellim efektin dekurajues, demoralizues dhe shantazhues mbi ushtrimin e të së drejtës së tubimit. Kjo pyetje duhet t’u përgjigjet përmes verifikimit të pavarur të pamjeve, urdhrave operacionalë, bazës ligjore të shoqërimeve, dokumentacionit mjekësor dhe akteve procedurale.
Për këto arsye kërkojmë: (i) vëzhgues ndërkombëtarë në protestat e ardhshme dhe komunikim të drejtpërdrejtë me Grupin e Mbarëvajtjes dhe Koordinimit të Protestës; (ii) nxitjen e një verifikimi të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për sulmin fizik të raportuar më 27 korrik; (iii) kërkesë ndaj autoriteteve për të publikuar numrin dhe bazën ligjore të shoqërimeve, arrestimeve e procedimeve, urdhrat për përdorimin e forcës dhe llojin/përbërjen e agjentëve irritues; (iv) monitorim të gjuhës stigmatizuese që mund të krijojë efekt frikësues mbi pjesëmarrjen qytetare; (v) që çdo mision diplomatik ose organizatë ndërkombëtare që pranon këtë komunikim të caktojë një pikë kontakti dhe të na informojë nëse do të dërgojë vëzhgues në protestat e ardhshme.
Me respekt,
Grupi i mbarëvajtjes dhe Koordimit të Protestës dhe qytetarë të tjerë protestues


