
Moskoordinimi institucional ka shkaktuar kaos në rrugët e qytetit të Vlorës, ku prej muajsh ekskavatorët, betonieret dhe rulat gërryejnë, mbushin e sheshojnë gropën që Bashkia Vlorë ka hapur me tenderat e infrastrukturës së brendshme. Një rast i tillë shembullzohet me punimet për shtrimin dhe asfaltimin e rrugës që lidh zonën e Skelës me lagjen “10 Korriku”, rrugë e cila u rehabilitua gjatë muajve të verës dhe në gusht të vitit 2026 u hap për qarkullim normal të automjeteve dhe këmbësorëve.
Pa kaluar jo më shumë se dy muaj nga prerja e shiritit, punimet në këtë rrugë nisën sërish. Institucionet vendore në Vlorë kishin harruar që përpara se të shtronin lustrën e asfaltit, duhet të kishin instaluar tubacionet e ujësjellësit, po aq jetik për komunitetin. Kështu, gabimin vendosën që ta ndreqnin menjëherë. U urdhërua që ekskavatorët të dilnin sërish në punë, duke nisur prishjen e shtresave asfaltike, hapjen e gropave të mëdha, në mënyrë që të instaloheshin tubat.

Për rrjedhojë, kaosi mes zonës elitare të Skelës dhe lagjes “10 Korriku” u rikthye sërish. Rruga është e mbuluar me baltë e pellgje uji, ndërsa banorët raportojnë për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me ujë. Kjo gjë që ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me mënyrën e planifikimit të investimeve publike dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse. Punimet po kryhen nga kompania private “2T” që ka përthithur mjaft fonde për shtrimin dhe asfaltimin e rrugëve nga veriu në jug, ku përveç dëmit ekonomik, prishjet e përsëritura sjellin edhe vështirësi të përditshme për qytetarët, si trafik të rënduar dhe kaos në qarkullim, pluhur e baltë në rrugë. Për më tepër që Vlora është e ekspozuar ndaj përmbytjeve edhe kur bie një vesë shi.
Teksa qytetarët përballen me këto pasoja, mbetet e paqartë nëse ka pasur një plan të përbashkët për punimet nëntokësore dhe asfaltimin e rrugës, përgjigje që duhet ta japë Bashkia e Vlorës.


