
Nga Kristaq Thano
Foto dhe video credits: Kristaq Thano
Në qytetin e Fierit për ditë shikon gra që shesin punimet e tyre për të siguruar të ardhura. Janë punime që bëhen me shtiza dhe është një traditë që vazhdon të ruhet nga gratë fierake. Janë gra të moshuara të moshës mbi 60 vjeç që shesin punimet e tyre me shtiza e bizë ku puna artistike e duarve të tyre duket në këto punime që ne kemi filmuar. Për të parë nga afër këto gra të palodhura edhe pse në moshë të thyer, kemi shkuar te tregu i tyre pranë një lulishteje të këtij qyteti. Mësojmë se çdo ditë këto gra të moshuara vijnë shesin punimet e tyre si fanella, çorape, triko, papuçe fëmijësh dhe të rriturish e të tjera, të cilat duken edhe nga këto pamje.

Jo vetëm pasioni shumëvjeçar që kanë vite që me duart e tyre të arta prodhojnë në mënyrë artizanale, por edhe pensioni i tyre që marrin i detyrojnë të qëndrojnë gjithë ditën për të shitur këto punime me shtizë, të cilat siç shikohen edhe nga pamjet e marra janë të ekspozuara në ambiente të pastra të kësaj lulishteje pranë xhamisë së qytetit. Këtu shesin mbi 10 gra, të cilat qëndrojnë këtu me orë të tëra duke shitur punimet që janë dhe artistike dhe të kërkuara, sidomos gjatë dimrit, jo vetëm nga qytetarët fierakë, por edhe nga emigrantët që vijnë, por edhe të huaj e turistë.


Ne pyetëm njërën prej tyre, Azire Lalajn, të cilën ashtu si të gjitha gratë që kishin dalë për të shitur, por njëkohësisht edhe punojnë edhe me shtizë, e gjetëm Azirenë duke punuar me shtiza. “Jam pensioniste dhe jam ulur këtu për të shitur. Pensioni është shumë i ulët dhe nuk e përballojmë dot dhe hallet që kemi prandaj dhe dalim këtu për të shitur. Kam13 vjet punë që merrem me këto punime me shtizë. Jetesa me kaq sa marrim nuk përballohet dot. Rrimë deri në orën 12:00 dhe largohemi pasi nuk vjen njeri për të blerë. Puna jonë është e bukur dhe artistike dhe të kënaq, por s’ka lekë. Kemi shumë prodhime pasi punojmë gjatë beharit dhe rrimë këtu dhe i shesim. Punojmë edhe në shtëpi edhe këtu ku presim klientët për t’i shitur”.



