Në këtë bisedë në GogoCast, Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë dhe avokat komenton pa rezerva rezultatin e reformës në drejtësi dhe nismën e re të krijimit të një drafti të ri për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

“Ishte reformë që përmirësoi shërbimin gjyqësor dhe dhënien e drejtësisë, apo ishte një reformë personeli?! Unë besoj që është kjo e dyta…Kjo ishte një reformë emrash, pra duheshin hequr ca emra, për të krijuar ca vende bosh që të fusim ca të tjerë.”, komenton reformën në drejtësi Manjani që sipas tij “shtrenjtoi korrupsionin”, duke shtuar edhe se ligji për vettingun është keqzbatuar.

Si duhet të veprohet për të përmirësuar këtë situatë me dhënien e drejtësisë në Shqipëri sipas Manjanit?

Të parën zgjidhje ish-ministri e sheh te dakordësia e re politike opozitë-maxhorancë dhe hapi i dytë mbetet rishikimi total i ligjeve të bëra deri më sot, duke nisur me krijimin e kodeve të rinj të procedurave. “Shteti është procedurë”, thekson Manjani.

Nismën e Kodit të ri Penal Manjani e vlerëson si hap pozitiv, ndërsa shprehet se në aspektin metodik janë shpjeguar dhe zbërthyer konceptet, mirëpo ka nevojë që ky kod të rishihet.

“Kjo i kalon caqet e juristëve, këtu tani duhet të hyjë në lojë shoqëria, duhet të hyjë në lojë politika, të hyjnë grupet e interesit”, këshillon avokati.

Manjani hedh pyetje të rëndësishme për mënyrën se si shoqëria jonë duhet të reagojë ndaj krimit dhe cilat vepra të dënojë e deri në ç’masë.

Shpjegimi i Ylli Manjanit për pikat që duhen diskutuar mbi draftin e Kodit të ri Penal:

E para, a ia vlen të kriminalizojmë çdo gjë?! Unë jam i pikëpamjes që në substancë veprat penale duhet të jenë më pak se ç’janë deri më sot, edhe të projekti i ri por ky kod duhet shoqëruar me një ligj tjetër ose një kod tjetër që është Kodi i Kundravajtjeve Administrative. Janë disa veprime, disa sjellje që i disiplinon më shumë gjoba administrative se sa burgu.

Marrim zyrtarin e shtetit. Zyrtari, sipas kodit aktual penal por edhe sipas projektit, të krijohet ideja që prezumohet i fajshëm. Çfarëdo që të bëjë zyrtari do ta hajë! Tani një minutë, po çfarë po përpiqemi të bëjmë?! Pse duhet ta kriminalizojmë me se zbën zyrtarin e shtetit?! Për t’i bërë qejfin publikut? Drejtësisë popullore?! Të thonë ky hajduti?! Përkundrazi, nuk funksionon kështu! Janë disa gjëra, ku di unë, në kryerje e sipër të detyrës ti nuk ke qëllim që të shkaktosh pasojë kriminale por nga neglizhenca, nga padienija, ka shumë rrethana që zyrtari i shtetit mund të ndodhet, kur nuk vlerësohet e qëllimshme dhe kur nuk ka pasojë kriminale, kjo është e rëndësishme, atëherë sigurisht që gjoba do ishte më efikase.

Ose shpërblimi i dëmit, sepse çfarë rëndësie ka, ja bëre një dëm financiar dhe ti hyn në burg, po dëmin, kush e paguan?! Madje mos themi që ka dhe raste që bën nja 1 vit a 2 vjet burg dhe të bëfshin mirë lekët që ke bërë! Kjo praktikë duhet të ndalojë. Ky është momenti për ta diskutuar.

Neni më tipik, që unë jam për ta hequr fare nga Kodi Penal “Shpërdorimi i detyrës”. Për një arsye fare të thjeshtë, teknike dhe profesionale. Shumica e pasojave që kryen zyrtari publik kur shpërdoron detyrën janë të dënueshme. Pra, ti e shpërdoron detyrën për të bërë lek, e shpërdoron detyrën për të bërë pasuri, e shpërdoron detyrën për t’i bërë dëm dikujt tjetër. Të gjitha këto në vetvete janë vepra penale më vete, korrupsioni më vetë, pasurimi i paligjshëm vepër më vete, pra pasoja e shpërdorimit të detyrës është e kriminalizuar tashmë, atëherë pse merresh me mjetin?!

Unë jam për ta reduktuar në ekstrem dënimin për armëmbajtje pa leje apo përdorimin e drogave. Nuk mund të mbushësh burgjet ti me përdorues droge apo me mbajtës armësh. E mban njëherë merr një gjobë, e mban dy herë merr një gjobë më të madhe, ok, kur je recidivist e kuptoj, po maksimumi merr një kundravajtje penale po jo dënime të tmerrshme jo më pak se 7 vjet. Njeriu e mban armën në çdolloj rrethane. A, kur e përdor armën për të krijuar krim, atëherë përveçse krimit që ke bërë, dënohesh edhe për armën që është pa leje, kjo është tjetër gjë.

E treta janë disa lloje krimesh si krimet ndaj atdheut ose përdhosja, thotë diku aty projekti i kodit penal, përdhosja e këtyre flamujve, stemave. Tani unë pashë një karikaturë të kryeministrit një ditë që kishte bërë shqiponjën te agjenda e vet në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, tani çfarë ta quajmë këtë përdhosje?! Tani po ta marrim në mënyrën strikte përdhosje janë, po a ia vlen që të bëhet debat penal për këto gjëra?! Janë disa nene që krijojnë rrezik për një shoqëri demokratike në tërësi po për një shoqëri si Shqipëria që demokracinë e ka nga lart, nuk e ka genuine.

Tjetër, unë jam për dekriminalizimin total të profesioneve. Profesionisti në punë e sipër mund të bëjë dhe gabime po për shkak të gabimit ti nuk futesh në burg. Mjeku në sallën e kirurgjisë mund të jetë dhe neglizhent. Pasoja mund të vijë dhe nga neglizhenca, po mjeku në gjithë botën humb liçencën po nuk futet në burg sepse mjeku mezi bëhet profesionist, mezi ngjizet, mezi arrin në këtë pikë, tani çfarë do bëjmë, do i fusim në burg deri sa ta sqarojmë jo se s’ka faj ai?! A tjetër punë nëqoftëse vret. Vret? Po, futesh në burg për vrasje si gjithë të tjerët po jo për shkak të profesionit, pra gabimi në profesion paguhet me para, paguhet me profesion, paguhet me sjellje profesionale, jo me burg.

Ose temë tjetër gjithashtu e mprehtë, çfarë do bëjmë me bakshishin, do ta quajmë korrupsion?! Pra, çfarë do bëjmë, do ta quajmë kulturën shqiptare korrupsion?! Apo do ndalemi te vënia e kushtit për të marrë shërbimin në këmbim të pagesës?! Unë jam për këtë të dytën.

Ose fjala vjen, biznesin do ta kriminalizojmë njësoj si zyrtarin?!

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Artikull i Mëparshëm

GogoCast- Ervin Goci

Leave a Reply

  • (not be published)