
Altin Dumani bëri një përmbledhje të punës së SPAKU-ut për vitin 2024. Ai deklaroi se 33 zyrtarë të lartë janë nën hetim ndërsa 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë.
“33 zyrtarë të lartë janë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë. Gjatë 2024 për dhjetë funksionarë publikë ka pasur dënime të formës së prerë. Hetimet kanë provuar se korrupsioni zhvillohet në mënyra të sofistikuara. Kallëzimet e nisura nga qytetarët janë tregues i rritjes së besimit ndaj SPAK-ut. Ndërsa vihet re ulje e numrit të kallëzimeve nga Policia e Shtetit.”– tha Dumani në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ndërsa është ndalur më pas dhe në problematikat dhe presionet që SPAK-u është përballur. Një ndër to Dumani ka përmendur dhe presionin ndaj prokurorëve dhe mosekstradimin e shqiptarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe. “Problematika e parë është presioni i jashtëm ndaj institucionit dhe mungesa e një statusi të qartë ligjore të prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit. Gjithashtu vijon të mbetet i ulët numri i referimeve nga institucionet publike. E paadresuar mbetet mungesa e ushtrimit të kompetencës për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja dhe mosekstradimi i shqiptarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe duke marrë parasysh edhe shtimin e personave që duhen ekstraduar që atje.”– deklaroi ai.
Dumani gjatë raportimit të tij ngriti dhe një tjetër shqetësim që kishte të bënte me gjyqtarët e seancës paraprake, që sipas tij ky proces merr shumë kohë. “Një shqetësim që dua ta ngre është shqyrtimi përpara gjyqtarët të seancës paraprake, që merr shumë kohë. Kodi i Procedurës Penale parashikon që për seancat paraprake, ka afat një mujor, çka sjell problematika sa i përket afateve të paraburgimit. E njëjta situatë është dhe me gjykim e shkurtuar. Aplikimi i tij tashmë kërkon kohës duke çuar në zgjatjen e trajtimit të çështjes. Sa i takon zgjatjes së çështjeve të mbartura, hetimet kërkojnë kohë. Çështjet që varen nga bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja, ka raste që zgjasin shumë edhe 5 vite dhe edhe ekzekutimi i letër porosive merr kohë. Nuk flas vetëm për krimin e organizuar por edhe për raste të lidhura me korrupsionin.”
Dumani lidhur për këtë sugjeroi se zgjidhje e këtij ngërçi është mundësia që prokurorët të rikandidojnë dhe jo të riemërohen.
Më pas ai ka folur në lidhje me rezultatet e hetimeve për vitin 2024, ku janë hetuar dhe arrestuar punonjës të policisë së shtetit. “Nga hetimet rezulton se në 2024 kemi pasur procedime ku janë hetuar apo arrestuar punonjës të policisë së shtetit kryesisht për lidhje me krimin e organizuar, funksionarë të mesëm e të lartë, siç ka pasur raste për prokurorë e gjyqtarë. Patjetër që ky fakt, që janë proceduar punonjës të policisë, nuk bën pis të gjithë Policinë e Shtetit që ka djem e vajza të mirë profesionalisht me integritet që përpiqen të kryejnë detyrat me përgjegjshmëri.”


