
Rezultoi në kohën e duhur publikimi i të dhënave nga anketa mbi policinë shqiptare, e financuar nga qeveria suedeze pasi vendi ishte përballur me protesta të mëdha pas vrasjes brutale të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie i quajtur Nevaldo Hajdëraj, duke vënë në këtë mënyrë në dyshim punën që bënin efektivët për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Përkuan këto rezultate në kohën e duhur edhe për një fakt tjetër; ministri i ri i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi, sapo ishte ulur në karrige, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt.
Dhe në këtë kontekst, siç mund ta marrim me mend të gjithë, informacionet e reja, sidomos sa i përket perceptimit të shqiptarëve mbi policinë marrin tjetër vlerë.
Çuçi, mbajti posaçërisht një dalje publike, ku prezantoi përfundimet e anketës realizuar në muajt tetor-nëntor 2020, ku mes të tjerash spikati në fjalën e tij e dhëna se 66% e publikut mendon se Policia e Shteti po bën një punë të mirë.
Ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen ishte se Çuçi kishte përzgjedhur nga gjithë studimi disa pjesë të tij, të cilat e paraqisnin narrativën e ministrit të sapoemëruar si shumë të bukur, se policia po punon shkëlqyer dhe mbi të gjitha se ne jemi si Europa, madje edhe më mirë se vende si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca.
Gogo.al gjeti studimin e plotë të qeverisë suedeze dhe në mënyrë elementare vendosi përballë pjesëve të përzgjedhura të ministrit, pjesë të munguara të së njëjtës çështje.

Narrativa nuk duket edhe aq me ngjyra, pas ballafaqimit të peizazhit të plotë të anketës me komunikimin e ministrit.
Studiuesit e anketës kanë pyetur 2500 persona sipas datëlindjes së fundit, mes familjeve të përzgjedhura rastësisht. Numri i tyre është vetëm 300 për Tiranën, ndërsa në 11 qarqe të tjera janë pyetur nga 200 për secilin.
Le t’i bëjmë tani një lexim të plotë anketës, duke patur për bazë fjalimin e ministrit Çuçi.
Çështja 1- Cilësia e punës së Policisë së Shtetit
Thotë Çuçi:
“66% e publikut mendon se Policia e Shtetit po bën një punë të mirë krahasuar kjo me 36% në vitin 2013. Shikoni se çfarë ndryshimi drastik! Gati dyfish ka pësuar perceptimi që policia bën mirë punën e vet, krahasuar me 2013-ën”.
Thotë anketa:
“Kur të anketuarit pyeten për cilësinë e punës së Policisë së Shtetit, vihet re një rritje prej +3% të atyre të cilët mendojnë se Policia po bën një punë të mirë/shumë të mirë në krahasim me valën e kaluar (66% përkundrejt 63%), por janë më pak se në studimin e vitit 2014 (73%).”
Interpretim:
Pra është e vërtetë që 66% e të anketuarëve (që në këtë rast janë 2500 persona dhe jo “publiku”) mendojnë se Policia e Shtetit po bën një punë të mirë (në raport me 36% në vitin 2013) por kjo përqindje ka rënë në raport me 2014-ën, vitin e parë të qeverisjes së socialistëve. Fakt ky që nuk përmendet nga ministri Çuçi. Nga 73% që mendonin se policia bënte një punë të mirë, kjo përqindje ështe reduktuar në 66% (shiko grafikun).

Çështja 2-Presionet e partive politike dhe politikanëve mbi Policinë e Shtetit
Thotë Çuçi:
“Përsa i përket shprehjes se vendimet dhe veprimet e Policisë së Shtetit janë të influencuara në mënyrë të padrejtë nga presionet e partive politike dhe politikanëve, 62% e të anketuarve besojnë se vendimet dhe veprimet e policisë janë të ndikuara në mënyrë të padrejtë nga presionet e partive politike dhe politikanëve. Megjithatë ka përmirësim krahasuar me vitin 2013, kur kjo shifër ishte në nivelin 71%. Kjo është shumë interesante, është një pyetje që iu jep përgjigje të gjithë atyre që nuk lënë vend pa shpifur, që Policia e Shtetit është bërë polici politike. Dhe është një përgjigje e drejtpërdrejtë, ku me kënaqësi e shohim që Shqipëria prapë është në një trajektore shumë pozitive, krahasuar me vendet e tjera. Shikoni ku kemi qenë në 2013, krahasuar me vendet europiane! Shiko ku është Shqipëria sot, në 2020, krahasuar me mesataren e vendeve europiane. Kemi lënë mbrapa madje edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca për sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit. Më vjen shumë mirë që publiku nuk është ndikuar në masë nga balta që i bëhet nga politika e mbrapshtë dhe nga gjithë sulmet e padrejta që pëson Policia e Shtetit”.

Thotë anketa:
“Interesante janë gjetjet e pyetjes së fundit në këtë bllok pyetjesh. Rreth 58% e të intervistuarve janë plotësisht dakord/dakord që “Vendimet dhe veprimet e Policisë së Shtetit janë të influencuara në mënyrë të padrejtë nga presionet e partive politike dhe politikanëve”. Pra këtë vit ka rreth 3% më pak qytetarë që mendojnë se vendimet e policisë janë të influencuara nga politike. Përmirësimi është i dukshëm dhe në raport me vendet e tjera të marra në studim, ku pozicioni i Shqipërisë ka ndryshuar pozitivisht, por përsëri nën mesataren europiane”
Pohimi i fundit tregon një rënie të numrit të të anketuarve që bien dakord. (58% ne 2020 dhe 61% ne 2018), megjithatë kjo rënie është pozitive.
Kur krahasohet me vendet e tjera, vihet re se Shqipëria ka numër të lartë të të anketuarve që janë dakord me këtë pohim, një indikator negativ ky për punën e policisë. Megjithëse ka një përmirësim nga viti në vit, përsëri mbetet nën mesataren europiane.
Interpretim:
Kur dëshiron Çuçi bën krahasime me 2013-ën, ndërsa kur nuk i leverdis nuk e krahason rënien e perceptimit që qytetarët kanë për cilësinë e punës së policisë së shtetit nga 2014-ta te 2020-ta.
Megjithatë ka një mosrakordim edhe në konluzionet e anketës, ku thuhet 58% janë plotësisht dakord dhe dakord, ndërsa në grafikun e dytë dalin 62%, sa e dhëna e bërë publike nga Çuçi (shiko grafikët).

Çuçi ka harruar të shtojë në leximin e tij publik edhe konkluzionin tjetër të rëndësishëm për këtë syth: “Kur krahasohet me vendet e tjera, vihet re se Shqipëria ka numër të lartë të të anketuarve që janë dakord me këtë pohim, një indikator negativ ky për punën e policisë. Megjithëse ka një përmirësim nga viti në vit, përsëri mbetet nën mesataren europiane.”, përpos pathosit të treguar se “kemi lënë mbrapa madje edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca për sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit”.
Çështja 3- Siguria e qytetarëve kur ecin vetëm në lagjen e tyre
Thotë Çuçi:
“80% e të intervistuarve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre pasi është errësuar…Pra, në një farë mënyre njerëzit ndihen më të sigurt, pikërisht sepse krimet kanë ardhur në rënie, dhe e mendojnë vetë, e perceptojnë vetë që nuk do i vijë asnjë e keqe”.
Thotë anketa:
“Personat e marrë në studim u pyetën për sigurinë që kanë kur ecin natën në lagjen e tyre. Siguria në lagje është përmirësuar me +5% në krahasim me vitin 2018, 80% ndihen ‘shumë të sigurtë/të sigurtë’ kur ecin në lagjen e tyre pasi është errësuar. Pozicioni i vendit tonë në krahasim me vendet e tjera është përmirësuar, por përsëri mbetet nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.”
Interpretim:
Edhe pse është e vërtetë që 80% ndihen shumë të sigurtë/të sigurtë kur ecin në lagje, pjesa e dytë e shpjegimit që kjo e dhënë mbetet nën mesataren e vendeve të BE-së, nuk është përmendur nga Çuçi. Por ajo që vihet re është se Çuçi ka renditur disa arsye pse ndodh kjo, siç është citimi: “…krimet kanë ardhur në rënie, dhe e mendojnë vetë, e perceptojnë vetë që nuk do i vijë asnjë e keqe”, kur në fakt anketa nuk bën asnjë shpjegim të tillë për këtë tregues (shiko grafikun).

Çështja 4- Rryshfeti në radhët e Policisë së Shtetit
Thotë Çuçi:
“Një pikë tjetër e trajtuar në këtë studim është çështja e ryshfetit në radhët e Policisë së Shtetit. Publiku e vlerëson Policinë e Shtetit me notë mesatare 54. Ka përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin 2013 kur ishim në të njëjtin nivel me Ukrainën, 74%. Sot jemi disa vende pranë mesatares së BE-së.”
Thotë anketa:
“Shqiptarët mendojnë se Policia e Shtetit kërkon ose pranon rryshfet më shumë se në vitin 2018, por më pak se në vitin 2014. Mesatarja e konvertuar e vlerësimit tregon se tani policia vlerësohet me 54 pikë në një shkallë nga 0=policia nuk pranon/kërkon kurrë rryshfet në 100=policia pranon/kërkon gjithmonë rryshfet.”

Interpretim:
Është rritur numri i të anketuarëve që mendojnë se Policia e Shtetit kërkon ose pranon rryshfet krahasuar me 2018-ën (shiko grafikun lart), fakt i rëndësishëm por jo i theksuar në fjalimin publik të ministrit Çuçi.
E sigurisht këtu, sipas përzgjedhjes që ka bërë ministri Çuçi nuk ka vend ta krahasojmë Shqipërinë me Mbretërinë e Bashkuar, sepse në realitet janë shumë larg. Në Angli vetëm 31% e të anketuarëve mendojnë se policia e tyre merr rryshfet.