
Avokatja e emisionit “Shihemi në gjyq”, Eni Çobani, e ka gjetur veten të përfshirë në një debat me një biznesmen, ndërsa tentonte të bënte ndërmjetësimin mes dy fqinjëve nga Bulqiza, siç bën zakonisht në emisionin e saj. Dhe tani rrezikojnë të dalin dhe në gjykatë përballë njëri tjetrit.
E gjitha nisi me denoncimin e Genti Hupit, trashëgimtarin e kullës Hupi në Bulqizë. Ai i kërkonte bashkëfshatarit të tij Lulzim Hupit që të ndryshonte emrin e biznesit të tij, një bujtinë që e ka quajtur “Kulla Hupi”.
Konflikti mes të dyve qëndronte në faktin se të dy kanë të njëjtin mbiemër dhe të dy kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre nga një ndërtesë të vjetër, që në Malësi i quajnë “kulla”.
Ndryshimi qëndron në faktin se kulla e të parit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ndërsa kulla e të dytit është kthyer në një bujtinë.
Në emisionin e saj (kliko këtu), Eni Çobani deklaroi se e kishte ftuar biznesmenin Lulzim Hupi të dilte në një përballje televizive me fqinjin e tij, por ky nuk kishte pranuar.
Pavarësisht refuzimit të ftesës, Çobani e ka bërë publik konfliktin mes dy bashkëfshatarëve dhe madje ka deklaruar se është kërcënuar me mesazhe nga Lulzim Hupi.

Akuzat e Çobanit: Më ka kërcënuar me mesazhe
Pas diskutimit me të ftuarin në ambientet e zyrës së saj (dhe jo në studio siç ndodh ngahera), Çobani e mbylli programin duke deklaruar se është kërcënuar nga Lulzim Hupi.
“Mos harro dhe një fakt dhe duhet ta dinë edhe shqiptarët që është hera e parë që unë marr një mesazh nga një qytetar sikundër është Lulëzim apo Lulian Hupi që në momentin që u ftua për të qenë publikisht përballë shqiptarëve me një të vërtetë sikundër thotë Genti Hupi, por pse jo edhe me të vërtetën e Lulëzim Hupit, Eni Çobani ka marrë një kërcënim. Mos harro se ia ke çuar Eni Çobanit dhe nëse do të dëshirosh, unë sot nuk do ta bëj publike, por në një emision tjetër nëse do të vazhdosh, do të lexoj çdo rresht që ke shkruar në këtë mesazh.”– tha Çobani.
Madje ajo pa prova, ngre dyshime se biznesmeni Hupi mund të ketë përfituar nga fondet publike pa të drejtë për ngritjen e biznesit të tij, vetëm për shkak se biznesi i tij ka të njëjtin emër me kullën e Genti Hupit.
Por si është pritur nga Lulzim Hupi kjo akuzë kaq e rëndë e avokates Çobani?
Biznesmeni: Më bënë gjyq televiziv
Lulzim Hupi nuk e ka pritur aspak mirë gjithë këtë shfaqje publike, sepse kishte preferuar ta zgjidhje çështjen në gjykatë me bashkëfshatarin e tij dhe jo para kamerave. Madje e quan këtë një sulm dhe zhantazh mediatik me qëllim për të dëmtuar biznesin e tij.
“Meqë unë refuzova gjyqin televiziv, u gjenda nën një monolog-agresiv të zonjës, duke iu drejtuar kameras në mënyrë të paprecedentë: ‘Shqiptarë, kjo nuk është Kulla Hupi. Julian Hupi ka shkelur ligjin, ka shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodin Penal’.
E tmerrshme! Si është e mundur që nje njeri që ka në dispozicion një hapësirë televizive ta përdorë atë si një frëngji lufte, të sulmojë, shpifë, e denigrojë me shumë pasion dikë që guxoi të refuzojë ftesën e pjesëmarrjes në SHOW-n e saj mediatik.”– shkruan Hupi në një reagim të gjatë në rrjetet sociale.

Ai vazhdon të shpjegojë më pas për zonjën Çobani, arsyet se përse e ka quajtur “Kulla Hupi” biznesin e tij.
“Unë quhem Julian Hupi, pra kam mbiemrin HUPI. Kam trashëguar një kullë, një shtëpi guri të vjetër, me çertifikatë pronësie dhe me tri kate, madje dhe një dhomëz që quhet dhoma e luftës, me frëngji ku luftonin burrat kur sulmohej kulla. Edhe katragjyshi, stërgjyshi, gjyshi, im atë dhe unë mbajmë mbiemrin HUPI.
Për pasojë kjo vazhdon edhe sot të quhet Kulla Hupi. Edhe para se ta bëja bujtinë kullë i thoja, sepse ne malësorët kulla u themi shtëpive. Ju më akuzoni në televizion se kam shkelur ligjin tregtar. Emri im tregtar është ‘Julian HUPI P.F’. Nuk ka asnjë subjekt tjetër me këtë emër. Ju më kërkoni llogari mua pse e quaj kullën time ‘Kulla HUPI’. Po si ta quaj, Kulla Çobani? Apo mos ta quaj kullë fare, ta quaj supermarket?”-thotë ai.
Hupi vazhdon duke thënë që i vetmi ndryshim mes dy kullave është se njëra është monument kulture dhe ky është i lumtur që e vetja nuk është e tillë, se në të kundërt s’do kishte mundur dot të bënte ndërhyrjet që donte.
Ndërsa akuzat e Eni Çobanit për mesazhe kërcënuese ai i komenton duke thënë se i është përgjigjur me mirësjellje që e refuzon ftesën, që i uron suksese bashkëfshatarin e tij dhe uron ta restaurojë ndërtesën që ka trashëguar, madje ta bëjë akoma më të mirë se të tijën. Por e ka paralajmëruar avokaten se nëse i sulmohet biznesi, do e padisë atë.
“Unë e mbylla komunikim duke thënë se Gentianit i uroj punë të mbarë, ta restaurojë objektin që trashëgon, ta bëjë edhe më të mirë se timin dhe ta gëzojë.
Unë thjeshtë i thashë, nëse më sulmoni biznesin, do ju padis. Dhe këtë zonja që e quan kërcënim. Sepse ju atje në televizon mund të thoni ç’të doni, ndërsa kur ne që punojmë nga 18 orë në ditë, kur tentojmë të mbrohemi, quhet kërcënim.”– thotë zoti Hupi, duke vazhduar të thotë se këtë radhë do të shihet me Çobanin në gjyqin e vërtetë dhe jo atë televiziv.
Pas këtij reagimi, një pjesë e gazetarëve dhe personave publikë janë solidarizuar duke shpërndarë postimin e Hupit në rrjetet e tyre sociale.



