
Ditën e sotme nisi seanca për Erion Veliajn, një seancë e cila zgjati për rreth 7 orë, ndërsa Gjykata vendosi ta lërë nën masën e arrestit në burgim Veliajn dhe detyrim paraqitje për bashkëshorten e tij. Gjithashtu edhe për biznesmenin Elman Abule u vendos masa e arrestit në burgim. Edhe pse avokatët e Veliajt kërkuan para Gjykatës një garanci pasurore për lirimin e Veliajt, kjo kërkesë u rrëzua. Informacionet e para janë se pasi është njohur me masën e sigurisë, Veliaj është dërguar në paraburgim në Durrës.
Fillimisht seanca nisi në orën 08:30 por u vonua për rreth 30 minuta, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Pas një periudhe të shkurtër pritjeje, seanca u shty për në orën 13:00, me kërkesën e avokatëve për njohjen me aktet hetimore që përmbanin 6 fashikuj. Në nisjen e fillimit të seancës para godinës së GJKKO-së u mblodhën një numër i madh mbështetësish të Veliajt, të cilët mbanin në duar pankarta, me foto nga shkollat e Tiranës, Pazari i Ri dhe projekti i ri i Teatrit Kombëtar. Ajo që u vu re ishte që pas largimit të mbështetësvë edhe Helena Kadare iu drejtua SPAK-ut për të ndjekur seancën e masës së sigurisë, por nuk u lejua.
Gjatë seancës që rinisi në orën 13:00 mësohet se pati përplasje midis Veliajt dhe Olsi Dodos ku ky i fundit akuzohet nga Veliaj se është në konflikt interesi. “Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”.

Prokurori Olsi Dado
ReportTV publikoi një dokument, në të cilin thuhej se prokuroi Olsi Dado që po heton Veliajn ka marrë leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës. Në lejen e ndërtimit në Tiranë që bashkia ka firmosur, flitet për një objekt banimi 9 katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve, aty ku sipas çmimit të referencës vlera e pronës është shumë e lartë.

Seanca e sotme gjithashtu ka kaluar në një fazë të re pas një gabimi të regjistrit elektronik, prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani saktësuan se Veliaj nuk është person i dënuar, duke korrigjuar një gabim të SPAK-ut i cili e kishte paraqitur atë si të tillë. Kjo u konfirmua edhe nga një dokument gjyqësor i datës 11 shkurt 2025, ku thuhej se Veliaj nuk ka pasur asnjë dënim të mëparshëm. Ai akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për më shumë lexo këtu.
Helena Kadare shkon në SPAK, për të ndjekur seancën e Veliajt


