
Mbyllja e Tik Tokut në Shqipëri është konsideruar me vendim nga Gjykata Kushtetuese si cënim i lirisë së shprehjes. Sot GJK pranoi pjesërisht kërkesën e Asociacionit të Gazetarëve dhe Rrjetit Investigativ BIRN duke u shprehur se “Ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”, thuhet në vendim dhe se “Sipas Kushtetutës, vendimi për mbylljen e rrjetit social nuk mund të bëhej përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave dhe se ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Pala paditëse pretendonte se mbyllja e Tik Tokut cënonte edhe lirinë e veprimtarisë ekonomike, gjë që nuk është argumentuar në gjykatë duke sqaruar se: “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash: 1) Pranimin pjesërisht të kërkesës. 2) Konstatimin e cenimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok””.

Reagimi i familjes së të ndjerit Martin Cani
14-vjeçari Martin Cani humbi jetën pasi u godit me thikë nga bashkëmoshatari tij Mario Përlleshaj shumë pranë shkollë së tyre “Fan S. Noli” në Tiranë. Ngjarja erdhi pas një konflikti prej ditësh mes tyre. Pas kësaj ngjarjeje qeveria vendosi bllokimin e platformës Tik Tok duke pretenduar se debatet kishin nisur aty. Familja reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke u shprehur në rrjete sociale se biri nuk humbi jetën për shkak të TikTok-ut, por si pasojë e dështimit të institucioneve. Duke mirëpritur fjalën e gjykatës, familja Cani shkrun se:”U konfirmua zyrtarisht ajo që ne kishim bërtitur me dhimbje që nga dita e pare se Martini nuk u vra nga TikToku!”
“Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës”-shprehen ata.
Më tej rendisin argumentet që sipas tyre janë shkaqet që po vriten fëmijët si sistemi arsimor i falimentuar. “Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese” -vëren familja.

Sipas tyre një faktor tjetër janë edhe krimet e sistemit shëndetësor: “Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT-ja ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij”-ngrenë ata shqetësimin për fëmijën që u ndërroi jetë pas plagëve të rënda.
Një tjetër argument që përmendin është edhe propaganda në vend të sigurisë: “Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent”, shtojnë prindërit.
Më tej theksoijnë se mbyllja e aplikacionit nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk shpëton jetë: “Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte”.
Në fund shprehen se nuk do heshtin dhe se do kërkojnë drejtësi: “Ne nuk do të heshtim! Kërkojmë drejtësi për Martinin dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja. Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!”-ngre zërin familja.

Ironia e radhës e Ramës me Gjykatën Kushtetuese
Kryeministri Rama reagoi ndaj vendimit duke ironizuar sërish Gjykatën Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese mendonka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIK TOK-ut!”-shkruajti ai në platformën “X”. Ai vijon të besojë që mbyllja ishte e favorshme: “Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un vetëm falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht nga impakti i mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot!” Rama hedh thumba për opozitën që kundërshtoi kërkesën e qeverisë për mbylljen e Tik Tok-ut: “Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar!”
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe BIRN Albania u përfaqësuan në seancë nga avokati Franc Terihati, kreu i AGSH Isa Myzyraj dhe Drejtoresha ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko. Në komunikatën për shtyp ata shprehën shqetësimin se: “Pyetja që ne shtrojmë sot është shumë e thjeshtë: çfarë ndodh nesër, nëse një qeveri tjetër, ose kjo qeveri, me një vendim të Këshillit të Ministrave, vendos të bllokojë jo vetëm një rrjet social, por vetë internetin?”

Pala e medias vërejti se përfaqësuesit e qeverisë e pranuan se nuk ekziston asnjë marrëveshje me shkrim mes shtetit shqiptar dhe kompanisë “TikTok”. “Ministria e Arsimit deklaroi se ka vetëm angazhime verbale për vendosjen e filtrave me fjalë kyçe në gjuhën shqipe, video sensibilizuese dhe linja raportimi, por pa asnjë protokoll ligjor detyrues. Kjo situatë ngriti shqetësime serioze edhe nga anëtarët e trupës gjykuese, të cilët pyetën drejtpërdrejt nëse filtrat ekzistojnë realisht, nëse janë funksionalë dhe çfarë do të ndodhë nëse këto angazhime nuk zbatohen”, sqaron AGSH dhe BIRN Albania, ndërsa GJK-ja ka njoftuar se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara sipas ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.


