
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin nr. 8, datë 6 shkurt 2026, lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Çështja u shqyrtua pas kërkesës së Kryeministrit për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetence mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së, lidhur me të drejtën për të vendosur pezullimin e një anëtari të qeverisë. Në proces ishin palë të interesuara edhe Presidenti, Kuvendi si dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në vendimin e saj, Gjykata vlerëson se masa e pezullimit nga detyra, e parashikuar në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, nuk cenon Kushtetutën dhe nuk shkel parimin e ndarjes së pushteteve. Sipas arsyetimit, ministri mban përgjegjësi penale individuale dhe imuniteti nuk përbën privilegj personal, por garanci funksionale që lidhet vetëm me rastet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë, si autorizimi për arrestim apo kontroll personal.
Megjithatë, Gjykata u nda në qëndrime sa i përket nevojës për autorizim paraprak të Kuvendit për pezullimin e një ministri. Katër gjyqtarë argumentuan se, për të balancuar ndjekjen penale me funksionimin e pushtetit ekzekutiv, duhet ndërhyrja e Kuvendit përmes një autorizimi. Katër të tjerë vlerësuan se me Kushtetutën aktuale një autorizim i tillë nuk kërkohet dhe se çdo zgjerim i rasteve kur nevojitet leje parlamentare mund të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, jo përmes interpretimit gjyqësor.
Në përfundim, me një votim të ndarë 4 me 4, Gjykata la në fuqi pezullimin, duke theksuar se masa prek individin dhe jo institucionin, pasi funksionimi i qeverisë mund të garantohet përmes mekanizmave kushtetues të zëvendësimit. Vendimi pritet të ketë ndikim në debatin politik dhe ligjor mbi raportin mes imunitetit, përgjegjësisë penale dhe ndarjes së pushteteve.


