Seanca e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shndërrua në një përplasje mes tre pushteteve, me secilin institucion që mbrojti kompetencat e veta dhe interpretimin e Kushtetutës.

Në seancë ishin të pranishëm përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, në emër të kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të pretenduar të kompetencave, përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë, i përfaqësuar nga struktura juridike, përfaqësuesit e Presidentit të Republikës, i përfaqësuar nga këshilltarët e tij dhe përfaqësuesit e SPAK-ut, përmes prokurorëve të çështjes, që mbrojtën ligjshmërinë e masës së pezullimit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk dërgoi përfaqësues në seancë. Në një reagim zyrtar, GJKKO argumentoi se në një shtet demokratik një gjykatë nuk mund të paraqitet si palë për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj, ndaj mospjesëmarrja u konsiderua e domosdoshme për të ruajtur parimin e paanshmërisë.

Përfaqësuesja e Kryeministrisë argumentoi se gjykata nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër, duke theksuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet kushtetues, njësoj si deputetët. Sipas këtij qëndrimi, pezullimi përbën de facto një shkarkim, kompetencë që Kushtetuta ia njeh vetëm Kryeministrit dhe Kuvendit.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Kuvendi, i cili theksoi se pezullimi i Ballukut i ka hequr asaj mundësinë për të ushtruar funksionet, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, duke cenuar kështu dispozitat kushtetuese për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. U sollën si precedentë edhe raste të mëparshme të shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, SPAK kundërshtoi kërkesën e kryeministrit, duke deklaruar se nuk ekziston konflikt kompetencash mes Kryeministrit dhe GJKKO-së. Sipas Prokurorisë së Posaçme, masa e pezullimit është e përkohshme, e ankimueshme dhe proporcionale, dhe nuk pengon funksionimin normal të Qeverisë, pasi prek vetëm individin dhe jo institucionin.

Prokurorët theksuan se pezullimi ishte i domosdoshëm për vijimin e hetimit penal, pasi ekzistonte rrezik real që Balluku, nëse do të vazhdonte detyrën, të ndikonte në procedurat e prokurimit, të kryente vepra të ngjashme penale dhe të helmonte provat. Sipas SPAK, dokumentacioni dhe nëpunësit publikë ishin nën varësinë e saj, çka e shtonte rrezikun e ndërhyrjes në hetim.

Pas dëgjimit të të gjitha palëve dhe adresimit të pyetjeve, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, duke shtyrë shpalljen e tij për një moment të mëvonshëm, në një çështje që pritet të përcaktojë kufijtë mes drejtësisë penale dhe kompetencave të pushtetit ekzekutiv.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14