
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg publikoi ditën e sotme vendimin në lidhje me ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili ndodhej në paraburgim për një periudhë të gjatë, sipas Gjykatës Evropiane ky vendim ishte i padrejtë, pasi argumentet ishin të pambështetura në fakte dhe shumë të përgjithshme. Gëllçi u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të një abuzimi me tenderin “RTSH Agro”. Lajmin e njoftoi, avokati Dorian Matlija ku shpjegoi se Gjykata e Strasburgut cilësoi se edhe zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan “kujdes të veçantë” për hetimin.
“Arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK-un (dhe jo vetëm), të cilëve u intereson më shumë shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestime e prerje kokash sesa respektimi i standardeve evropiane. Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin të pambeshtetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK-u nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan “kujdes të veçantë” për hetimin. Sipas Gjykatës së Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gellcin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova.”-shkruan Matlija në profilin e tij.
Gjykata e Strasburgut i dha te drejte sot Thoma Gellcit dhe konfirmoi qe arrestimi i tij ishte i paligjshem….
Posted by Av Dorian Matlija on E martë, 25 shkurt 2025
Ndër të tjera në vendimin e Gjykatës të Strasburgut vlerësoi se autoritetet shqiptare nuk e morën parasysh mundësinë e masave më të lehta sigurie. Dhe pas shqyrtimit, Gjykata vendosi se ka pasur një shkelje të të drejtës së tij për liri, dhe urdhëroi shtetin shqiptar të paguajë një dëmshpërblim prej 500 eurosh për dëmin jopasuror dhe 5,000 euro për shpenzimet ligjore. Lexo këtu vendimin e plotë të Gjykatës.


