
Gjykata e Posaçme ka vendosur sot dy masa sigurie për zv.kryeministren Belinda Balluku, duke e pezulluar nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe duke i ndaluar të dalë jashtë vendit. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera.
Akuzat lidhen konkretisht me çështjen e tunelit të Llogorasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky vendim vjen pas hetimeve të nisura nga SPAK-u. Top Channel gjithashtu raporton se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që ju është vendosur në dispozicion shkresa, janë urdhëruar të vënë në dijeni për masat funksionaren Belinda Balluku. Veç masave ndaj Ballukut, mësohet se janë vendosur dhe dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy funksionarë të tjerë, Erald Elezin, kreu i KESH, dhe Gentian Gjyli, kreu i ARRSH.

Ky vendim vjen ndërsa Balluku ka theksuar në Kuvend se nuk do të komentojë për hetimin deri në përfundim të tij dhe se mbështet plotësisht reformën në drejtësi.

Ajo, ka folur për herë të parë në seancën e djeshme në Kuvend lidhur me hetimin e nisur nga SPAK-u. Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se nuk do të komentojë apo të bëjë akuza kundër drejtësisë deri në dhënien e vendimit përfundimtar, duke theksuar se mbëshet reformën në drejtësi edhe kur preket personalisht. Ajo kritikoi opozitën për dy standarde në vlerësimin e SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, sipas saj opozita sulmon kur hetohet ajo vetë dhe lavdëron kur hetohet qeveria. Balluku shtoi gjithashtu se ndonëse vetë është nën hetim, ajo do t’i drejtohet qytetarëve me të vërtetën dhe nuk do të bëjë sulme ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve.


