Ish-deputetja dhe gjuhëtarja ukrainase Iryna Farion u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 19 korrikut, ndërsa po ecte në rrugë në qytetin Lviv të Ukrainës.

Ende nuk ka një person të arrestuar për vrasjen e saj, e rrjedhimisht as një pistë zyrtare mbi motivet që fshihen pas kësaj ngjarjeje.

Iryna Farion është një personazh shumë i njohur në Ukrainë, jo aq shumë për postin që mbante si deputete disa vite më parë, sa për deklaratat e saj të diskutueshme mbi përdorimin e gjuhës ruse në Ukrainë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Farion shkaktoi zemërim në publik kur tha se nuk mund t’i quante ukrainas ushtarët ukrainas nëse flasin rusisht. Deklaratat e saj shpesh herë kontroverse i kushtuan asaj dhe vendin e punës dhe e çuan drejt dyerve të gjykatave. Por ajo nuk u ndal në kauzën e saj për promovimin e gjuhës ukrainase, të cilës i dedikoi gjithë jetën e saj. Kauzë që e bëri atë një figurë kontroverse dhe të komentuar.

Si ndodhi atentati?

Një person i paidentifikuar hapi zjarr ndaj gjuhëtares dhe ish-politikanes 60-vjeçare, kur ajo po ecte në një rrugë në qytetin e Lviv rreth orës 19:30 të së premtes së 19 korrikut.

The Kyiv Independent shkruan se autori u largua nga vendi i ngjarjes dhe oficerët ende po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e tij.

Farion mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua në spital. Ajo iu nënshtrua një operacioni dhe ra në gjendje kome. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ia doli të mbijetojë.

Disa orë më pas, guvernatori i Rajonit të Lviv, Maksym Kozytskyi konfirmoi për publikun lajmin se ish-deputetja ka ndërruar jetë.

“Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet e mjekëve, ata nuk arritën të shpëtonin Iryna Farionin.”– shkroi Kozytskyi në Telegram.

Presidenti Volodymyr Zelensky u informua për atentatin dhe tha se “kushdo që është përgjegjës për këtë sulm duhet të mbahet plotësisht përgjegjës”.

Siç shkruan “Reuters”, ministri i Brendshëm Ihor Klymenko tha se të shtënat po trajtoheshin si një atentat dhe se policia ka nisur një kërkim të gjerë për autorin e armatosur.

Kush është Iryna Farion dhe pse ishte një figurë kaq kontroverse

Iryna Farion lindi më 29 Prill 1964 në Lviv në familjen e një mësueseje dhe një hidrauliku. Në vitin 1987 ajo u diplomua në Fakultetin Filologjik të Universitetit Shtetëror të Lvivit. Në vitet studentore, ajo punonte si laborante në Departamentin e Gjuhësisë së Përgjithshme të Universitetit. Deri në vitin 1991, ajo drejtoi Qendrën për Studime Ukrainase në Departamentin e Studimeve të Folklorit, shkruan media lokale RBC-Ukraine.

Farion është një gjuhëtare e cila njihet për promovimin e gjuhës ukrainase, u bë anëtare e partisë nacionaliste Svoboda (Liria) në vitin 2005 dhe u zgjodh në parlament në 2012. Ajo shërbeu si deputete deri në vitin 2014, por dështoi të fitonte përsëri një mandat në Parlament në tentativat e saj të mëvonshme. Ajo kishte shërbyer gjithashtu në këshillin rajonal të Lviv.

Farioni fitoi famë për fushatat e shpeshta që bënte për të promovuar gjuhën ukrainase dhe për të diskredituar zyrtarët publikë që flisnin rusisht. Pikëpamjet e Farionit u panë si radikale nga disa kritikë dhe disa nga deklaratat e saj shkaktuan polemika.

Në vitin 2018, kur Ukraina po luftonte me separatistët e financuar nga Rusia, të cilët kishin pushtuar territorin në lindje, ajo bëri thirrje publike për të “goditur me grusht në nofull çdo person që fliste rusisht”.

Siç shkruan Reuters, në muajt e parë të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Farioni denoncoi luftëtarët rusishtfolës të regjimentit Azov, të cilët mbrojtën qytetin port të Mariupolit për tre muaj.

Megjithëse ukrainishtja është gjuha e vetme shtetërore e Ukrainës, shumë njerëz flasin rusisht si gjuhë të parë, një trashëgimi e sundimit sovjetik.

Promovimi i gjuhës ka qenë prej kohësh një çështje e rëndësishme, me miratimin e legjislacionit nga parlamenti për të rrënjosur përdorimin e saj në jetën publike dhe në industrinë e shërbimeve.

Sipas The Kyiv Independent, në vitin 2023, Farioni u pushua nga puna si profesore në Departamentin e Gjuhës Ukrainase në Institutin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin Politeknik të Lvivit pikërisht për shkak të deklaratave të saj të diskutueshme.

Kjo sepse më 6 nëntor të vitit të kaluar, ajo kishte deklaruar se nuk mund t’i quante ukrainas ushtarët ukrainas nëse flasin rusisht. Deklaratë që shkaktoi zemërimin e publikut.

Skandali rreth deklaratave të Farionit u përshkallëzua pasi ajo dyshohet se mori një mesazh mbështetjeje nga Maksym Hlebov, një student pro-ukrainas që jetonte në Krimenë e pushtuar. Ajo e publikoi emailin në rrjetet e saj sociale duke zbuluar identitetin e të riut dhe duke e ekspozuar atë para pushtuesve rus që e arrestuan. Pas këtij gjesti, Farioni e gjeti veten përballë kritikave të ashpra si kurrë më parë.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha në nëntor 2023 se Farion ishte nën hetim penal si për deklaratat e saj për ushtarët rusishtfolës ashtu edhe për rrjedhjen e mesazhit nga Hlebov dhe kështu nisi procesi gjyqësor.

Në fund të majit, Gjykata e Apelit në Lviv nxori një vendim që e riktheu atë në detyrë. Ajo u rivendos në qershor të vitit 2024 si profesoreshë në departamentin e gjuhës ukrainase në Universitetin Politeknik të Lvivit.

Jeta personale

Iryna Farion ka qenë e martuar me Ostap Semchyshyn. Çifti ka një vajzë sëbashku Sofia (lindur 1989), por martesa e tyre nuk zgjati. Ata janë të divorcuar, por pavarësisht ndarjes, Farioni kishte gjëra pozitive për të thënë për martesën e tyre.

“Kjo ishte 34 vjet më parë. E vetmja gjë në atë jetë që ka justifikim absolut është dashuria. Sigurisht që mund të kalojë, sepse çdo gjë kalon. Frytet e saj nuk ikin – fëmijët – më e mira nga gjithçka në botë. Më e shenjta. Dhe kur Parajsa të jep nipër e mbesa, atëherë Zoti të puthi dhe të tregoi një mrekulli.”– komentonte ajo në një postim në rrjetet sociale, të cilin e shoqëronte me foton e saj të martesës.

Farioni e kujtonte martesën e saj si një eksperiencë të mirë, ku ajo nisi një udhëtim të vetë-zbulimit.

“Ishte një ngjarje e mirë që na dha përvojë të jashtëzakonshme në njohjen e vetvetes, studimet njerëzore dhe gjënë më të shenjtë – mëmësinë. Kulmi i lumturisë sonë të përbashkët ishte Urtësia jonë – Sofia. Dhe tani gjëja më e rëndësishme është të jesh një luftëtar. Duartrokitje. Fitore. Momentet tona së bashku ishin unike.”-shprehej ajo.

Farion ishte gjyshe e dy nipërve të quajtur Eva dhe Dmytro.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11