
Gjermania e ka vënë theksin te lufta ndaj korrupsionit si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE. Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner gjatë Konferencës Ndërqeveritare të zhvilluar sot mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel ka shprehur mbështetje duke përshëndetur arritjet e Shqipërisë në grupkapitullin “Fundamentals”. Bergner e ka veçuar korrupsionin në nivele të larta si hap të rëndësishëm në këtë fazë. Ai ka përgëzuar qytetarët shqiptarë, si edhe përfaqësuesit e politikës, administratës dhe drejtësisë për angazhimin e tyre në këtë drejtim përmes një postimi në rrjete sociale.
Në shënimin e tij, Berger vëren: “Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”.
Sipas tij lufta pa kushte ndaj korrupsionit vendos shpejtësinë e ecurisë së procesit të integrimit: “Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Fundamentals” përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias”.


