
Emri i gjeneral-lejtand Eric Wendt është dërguar në senatin amerikan si propozim i administratës së Trumpit për të drejtuar ambasadën amerikane në Shqipëri. Ai është koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez që nga nëntori i vitit 2017. Faqja zyrtare e qeverisë amerikane shkruan se ai mban një diplomë bachelor nga Universiteti i Kalifornisë, “Santa Barbara” në fushën “Ligji dhe Shoqëria”, si dhe një diplomë Master në “Çështje të Sigurisë Kombëtare” nga “Naval Postgraduate School” në Monterey, Kaliforni.

Wendt ka shërbyer si oficer aktiv në Ushtrinë Amerikane që nga viti 1986. Ai ka shërbyer për afro 5 vite në këmbësori dhe që nga viti 1991 ka qenë pjesë e Forcave Speciale si “Green Beret”. Ai u caktua si drejtues i grupit të Komandës Paqësore të SHBA-së në operacionet për lirinë e Filipineve si edhe operacionet e paqes në Afganistan. Wendt ka patur edhe funksionin e këshilltarit ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes si edhe ka drejtuar Komandat Speciale e Operacioneve.

I nominuari për ambasador në Shqipëri, Wendt është nderuar me Kryqin e Artë të Nderit të Gjermanisë (për shërbimin luftarak në Afganistan), Citimin Presidencial të Njësisë nga Filipinet (për shërbimin në OEF-P), medaljen Cheon Su të Presidentit të Republikës së Koresë, si dhe distinktivët e Parashutistit Master nga Tajlanda dhe Koreja. Me një përvojë të gjatë ushtarake ai ka marrë distinktivin Air Assault, distinktivin Master Parachutist, Ranger Tab, Special Forces Tab, Expert Infantryman Badge dhe Combat Infantryman Badge.


