
Faza e dytë e garës ndërkombëtare të biçikletave Giro d’Italia është zhvilluar sot në Tiranë, duke sjellë me vete jo vetëm emocione sportive, por edhe tension në disa zona të kryeqytetit. Për shkak të këtij aktiviteti, shumica e akseve kryesore rrugore janë bllokuar, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe makinave.
Në disa pika të Tiranës, qytetarët janë përplasur me forcat e policisë që ndodheshin në terren për të garantuar mbarëvajtjen e garës. Qytetarët kanë kërkuar që rrugët të hapeshin për të kaluar, por kërkesa e tyre është refuzuar. Një qytetare në një moment të papritur kaloi rrugën përmes korsisë së garës, duke rrezikuar jetën e saj dhe sigurinë e ngjarjes, por nuk pati asnjë penalizim nga policia. Pas disa minutash, ajo u lejua të largohej nga vendngjarja pa pasoja.
Disa qytetarë, pa gjetur rrugë për t’u kthyer në shtëpi, u detyruan të kalojnë poshtë urës pranë ish-Hotel Dajtit. Bllokimet e shumta dhe mungesa e alternativave i shtynë në këtë veprim të rrezikshëm, ndërsa pamjet tregojnë qytetarë të irrituar që kërkonin rrugëdalje.
Megjithatë, në disa zona të tjera të Tiranës, sjellja e policisë ka qenë më bashkëpunuese. Efektivët kanë ndihmuar qytetarët të kalojnë në mënyrë të sigurt, pa penguar garën dhe pa vënë në rrezik jetën e askujt. Ky qëndrim është vlerësuar nga shumë qytetarë, duke treguar se organizimi mund të menaxhohet më mirë me komunikim dhe koordinim të ndërsjellë.
Nesër, gara zhvillon fazën e saj të tretë në qytetin e Vlorës. E veçanta është se kjo datë përkon me ditën e votimeve në vend. Nuk dihet si do ndikojë te zgjedhjet bllokimi i rrugëve që qeveria i ka dhënë miratimin, do pengojë njerëzit për të votuar apo do i nxisë ata më shumë për të dalë dhe votuar.
Partia Socialiste ka kërkuar gjithashtu që orari i mbylljes së qendrave të votimit në Vlorë të zgjatet nga ora 19:00 në 21:00, për të mos ndikuar pjesëmarrjen e votuesve për shkak të kufizimeve të mundshme të qarkullimit që lidhen me garën.


