
Një nga figurat më të rëndësishme në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka paralajmëruar se njerëzimi mund të kishte qenë më mirë nëse nuk do ta kishte zhvilluar kurrë këtë teknologji. Ai ka ngritur shqetësimin se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë një incident me pasoja të mëdha që këtë vit ose vitin e ardhshëm, siç mund të jetë ndërprerja e përkohshme e sistemeve financiare apo e furnizimit me energji elektrike.
Shkencëtari, fitues i Çmimit Nobel, i tha gazetës The Guardian se nuk është pesimist për të ardhmen e kësaj teknologjie. Sipas tij, inteligjenca artificiale ka potencialin të krijojë një të ardhme të jashtëzakonshme, por ekziston edhe mundësia që zhvillimi i saj të ketë qenë një gabim për njerëzimin.
Hinton, 78 vjeç, vlerëson se brenda dhjetë viteve, ndoshta edhe më herët, njerëzimi do ta kuptojë nëse është në gjendje të menaxhojë rreziqet e AI-së dhe të përfitojë prej saj, apo nëse do të përballet me pasoja të rënda, si rritja e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, papunësia masive dhe përçarjet shoqërore.
Shkencëtari i bëri këto deklarata përpara shfaqjes së një dokumentari të ri me metrazh të gjatë, me titull AI: Probably Nothing to Worry About (AI: Ndoshta nuk ka asgjë për t’u shqetësuar), ku ai shfaqet së bashku me ish-kolegun e tij në Google, Demis Hassabis.
Në dokumentar, Hinton shprehet se ndihet i detyruar të flasë hapur për rreziqet e kësaj teknologjie, duke vënë në dispozicion edhe reputacionin e tij shkencor.
Kritika ndaj drejtuesve të kompanive të AI-së
Në intervistën për The Guardian, Hinton kritikoi drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale, të cilët vijojnë të publikojnë modele gjithnjë e më të fuqishme në garën për dominimin e tregut.
Ai deklaroi se nuk ka aspak besim te Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, kompanisë që zhvilloi ChatGPT.
“Besoj se Mark Zuckerberg, Elon Musk dhe Sam Altman i kuptojnë rreziqet, por nuk u interesojnë. Ata preferojnë paratë. Ky është mendimi im”, u shpreh Hinton.
Shkencëtari, i lindur në Londër dhe i rritur në Bristol, tha se është jashtëzakonisht shqetësuese që Altman drejton një prej kompanive amerikane në pararojë të zhvillimit të inteligjencës artificiale, në një garë teknologjike me Kinën.
Paralajmëron një incident të madh: Mund të ndodhë këtë vit ose vitin e ardhshëm
Hinton, i cili ka punuar për rreth 44 vjet në fushën e inteligjencës artificiale, tha se incidentet e ndodhura gjatë verës, ku agjentë të inteligjencës artificiale të OpenAI-së bashkëpunuan për të ndërmarrë sulme kibernetike ndaj platformës Hugging Face, përbëjnë një sinjal paralajmërues.
Ai i krahasoi këto ngjarje me aksidentin bërthamor të vitit 1979 në centralin Three Mile Island në Pensilvani, i cili shkaktoi shkrirjen e pjesshme të bërthamës së reaktorit.
“Qoftë në fund të këtij viti, qoftë vitin e ardhshëm, do të shohim një Çernobil dhe kjo mund të mjaftojë që njerëzit të fillojnë t’i kushtojnë vërtet vëmendje”, paralajmëroi ai.
Sipas shembujve të dhënë nga Hinton, një incident i tillë nuk do të ishte domosdoshmërisht një katastrofë bërthamore. Ai mund të përfshinte një sulm kibernetik të mundësuar nga inteligjenca artificiale ndaj sistemit të prodhimit të energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje masive, ose një sulm që do të paralizonte sistemin financiar për një javë.
“E imagjinoni se çfarë do të ndodhte? Ne mund të rikuperoheshim prej tij, por kjo do t’i bënte njerëzit të reagonin dhe ta merrnin seriozisht situatën”, tha ai.
Kërkon rregulla më të forta për inteligjencën artificiale
Hinton mbështet vendosjen e kontrolleve më të rrepta ndaj kompanive që zhvillojnë modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale. Ai propozon krijimin e një autoriteti të ngjashëm me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), i cili do të vlerësonte sigurinë e teknologjive përpara se ato të dilnin në treg.
Sipas tij, kompanitë duhet të paraqesin prova të qarta shkencore pranë një institucioni të pavarur, për të dëshmuar se modelet e tyre sjellin më shumë përfitime sesa dëme.
Ai mbështet gjithashtu një plan të propozuar nga presidenti i Finlandës dhe 32 vende të tjera, mes tyre Singapori, Gjermania, Kanadaja dhe Australia, që parashikon testimin e detyrueshëm të modeleve më të avancuara të AI-së dhe vlerësimin e tyre nga institucione të pavarura.
Pavarësisht paralajmërimeve, Hinton ruan shpresën
Pavarësisht skenarëve shqetësues, shkencëtari mbetet disi optimist se njerëzimi mund të shmangë një katastrofë.
“Ndjesia ime është se ende kemi situatën nën kontroll. Mund të jemi në gjendje të bëjmë diçka për këtë. Kjo do të funksionojë vetëm nëse përpiqemi seriozisht, por besoj se mund ta bëjmë”, përfundoi ai.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e The Guardian


