Disa vite më parë, kur gazetarja investigative Daphne Caruana Galizia hetonte korrupsionin në spitale në vendin e saj, pushteti në Maltë e denigroi dhe sulmoi atë, derisa ajo u vra në tetor të vitit 2017 me një bombë në makinë.

Shtatë vite më vonë puna e inicuar nga ajo ka dhënë frytet e saj duke çuar disa zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë nën hetim.

Kjo është hera e parë në historinë malteze, që një ish-kryeministër përballet me akuza penale.

Sipas “Times of Malta“, nëse shpallen fajtorë, ish-kryeministri Joseph Muscat dhe ish-ministri i tij i Shëndetësisë Konrad Mizzi, si dhe ish-shefi i Shtabit Keith Schembri mund të përballen me 18 vjet burg. Por ata nuk janë të vetmit që akuzohen.

Janë 11 individë të tjerë dhe tetë kompani që akuzohen për pastrim parash dhe akuza të tjera. Dhe pastaj është një grup i dytë prej 14 individësh dhe dy kompanish që do të akuzohen për shkelje dytësore. Ai grup përfshin zëvendëskryeministrin Chris Fearne, guvernatorin e Bankës Qendrore Edward Scicluna si dhe nëpunës të lartë civilë.

Siç shkruan “Malta Today”, hetimi për marrëveshjen e spitaleve filloi në vitin 2019 pasi OJQ-ja “Repubblika” kërkoi një hetim për privatizimin e pjesshëm të tre spitaleve shtetërore.

Fokusi kryesor në atë fazë ishte mënyra me të cilën koncesioni 99-vjeçar për përdorimin e tre spitaleve St Luke’s, Karin Grech dhe Gozo General iu dha kompanisë Vitals Global Healthcare në 2015.

Kompania e panjohur përbëhej nga investitorë me pak ose aspak histori në menaxhimin e objekteve të kujdesit shëndetësor, të cilët fituan tenderin publik në rrethana të dyshimta.

Raportet e mediave, përfshirë ato të gazetares Daphne Caruana Galizia që në vitin 2015, kishin treguar se të njëjtët investitorë që fituan kontratën për drejtimin e tre spitaleve kishin nënshkruar tashmë një memorandum mirëkuptimi me qeverinë.

Ky informacion u konfirmua nga Auditori i Përgjithshëm në raportin e parë për marrëveshjen e spitaleve të lëshuar në korrik 2020.

Zyra Kombëtare e Auditimit në Maltë hetoi dhënien e koncesionit dhe përcaktoi se kishte marrëveshje të fshehtë midis kompanisë Vitals dhe qeverisë. Ky institucion vlerësoi mungesën e kujdesit të duhur të kryer nga Vitals dhe e përshkroi studimin e fizibilitetit si sipërfaqësor.

Një raport i dytë i publikuar në dhjetor 2021, përshkruan se si kompania e “vdekur” në atë kohë nuk arriti asnjë nga pikësynimet e saj kur mori kontrollin e tre spitaleve shtetërore.

Një raport i tretë i publikuar në maj të vitit të kaluar që u fokusua në transferimin e koncesionit të spitaleve tek Steward Healthcare nga Vitals në 2018, zbuloi se Konrad Mizzi mashtronte Kabinetin kur negocionte me Steward.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, raportet e mediave zbuluan se si kishte një gjurmë parash midis një kompanie me bazë zvicerane e lidhur me Vitals dhe ish-kryeministrin Joseph Muscat.

Dhe vitin e kaluar, gjykata malteze shfuqizoi më në fund kontratën për spitalet në një çështje civile të nisur nga deputeti i opozitës, Adrian Delia.

Gjatë viteve, magjistratja Gabriella Vella vazhdoi të zgjeronte fushëveprimin e hetimit të saj ndërsa informacione të reja dolën në domenin publik. Ajo gjithashtu mund të ketë hasur në informacione të reja dhe më në fund zyrtarisht u ngritën akuzat për të dyshuarit.

Më poshtë, disa nga protagonistët politikë kryesorë të lidhur me marrëveshjen e spitaleve.

Joseph Muscat

Ish-kryeministri që dha dorëheqjen në janar 2020 ishte në fund të fundit përgjegjësi kryesor për veprimet e qeverisë së tij. Marrëveshja e spitaleve ishte një nga projektet kryesore të administratës së tij. Edhe pse fillimisht hetimi nuk kishte të bënte me të, raportimet në media se ai kishte marrë pagesa nga një kompani zvicerane me lidhje me Steward Healthcare e vendosën atë në listën e hetuesve. Pagesat për shërbimet e konsulencës filluan pasi Muscat dha dorëheqjen si kryeministër. Në atë kohë ai ishte ende deputet.

Muscat mohoi çdo keqbërje dhe këmbënguli se puna ishte legjitime dhe e deklaruar. Megjithatë, pas këtij raporti në media, gjykata kishte urdhëruar një kontroll policor në shtëpinë e Muscat Burmarrad në janar 2022, nga ku u konfiskuan pajisjet elektronike. Në maj 2023, një hetim nga OCCRP, Times of Malta dhe The Shift News zbuloi se Muscat po hetohej mbi dy pagesa që kishte marrë nga një firmë zvicerane e quajtur më parë VGH Europe.

Ish-kryeministri Joseph Muscat

Konrad Mizzi

Konrad Mizzi erdhi në krye të Shëndetësisë në një riorganizim të kabinetit në vitin 2014 kur Muscat largoi nga kjo detyrë ministrin e mëparshëm Godfrey Farrugia. Mizzi ishte arkitekti kryesor i marrëveshjes së spitaleve. Ai vazhdoi të punonte në të gjitha marrëveshjet në lidhje me koncesionin edhe pasi humbi drejtimin e dikasterit të Shëndetësisë dhe Energjisë në vitin 2016, kur shpërtheu skandali i “Panama Papers”.

Mizzi gjithashtu mbikëqyri transferimin e koncesionit tek Steward Healthcare në vitin 2018 dhe ishte negociatori kryesor me Steward për marrëveshjet anësore të arritura para përfundimit të administratës së Muscat. Raporti i Auditorit të Përgjithshëm sugjeroi që Mizzi negocioi ndryshime kontraktuale me Stewardin pas shpinës së ministrit të ri të Shëndetësisë që e pasoi atë, Chris Fearne. Ky i fundit është gjithashtu në listën e të akuzuarve.

Mizzi u kritikua keqazi për mënyrën se si u soll me marrëveshjen në të tre raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Konrad Mizzi ishte Ministër i Shëndetësisë në vitin 2015 kur fillimisht u nënshkrua marrëveshja (Foto: James Bianchi/MaltaToday)

Eduard Scicluna

Ish-ministri i Financave, i cili tani është guvernator i Bankës Qendrore të Maltës, u vu në pikëpyetje sepse ministria e tij përfundimisht do të jepte dritën e gjelbër për projekte të tilla. Zyra Kombëtare e Auditimit kishte arritur në përfundimin se analiza për Vitals ishte e cunguar dhe shumë sipërfaqësore, gjë që shtron pyetjen se përse ministria e Financave nuk u ul seriozisht të studionte për projektin duke pasur parasysh angazhimin e miliona eurove në fondet publike që do të shpenzoheshin.

Për më tepër, Scicluna, si pjesa tjetër e kabinetit, kishte dështuar të qëndronte në rrugën e marrëveshjes që Mizzi kishte arritur me Steward Healthcare në verën e vitit 2019, që do të thoshte se grupi amerikan do të duhej të paguhej 100 milionë euro nga qeveria e marrëveshja kontraktore u anulua nga gjykatat.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Maltës dhe ish-ministri i Financave Edward Scicluna (Foto: James Bianchi/MaltaToday

Keith Schembri

Ish-shefi i kabinetit në Kryeministri ka mohuar çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në negociatat për marrëveshjen e spitaleve. Sidoqoftë, Schembri ishte personi kujt i drejtoheshe në qeverinë e Muscat. Ka shumë pak gjasa që gjurmët e gishtave të tij të mungojnë në këtë marrëveshje. E vërteta është se Schembri kishte marrëdhënie të mira me disa nga investitorët e Vitals. Avokati Wasay Bhatti, i cili drejtonte dy kompanitë zvicerane nga të cilat Muscat u pagua me tarifat e konsulencës pasi ai u largua nga Kryeministria, ishte mburrur gjithashtu për afërsinë e tij me Muscat dhe Schembri. Në një shkëmbim emailesh, ku Yorgen Fenech (i akuzuar për organizimin e vrasjes së Daphne Caruana Galizia) kërkoi ndihmën e Bhattit për të transferuar fonde në juridiksione të huaja, iu referua atij si “një mik i përbashkët“. Ky mik është me sa duket Keith Schembri.

Shefi i Shtabit të Joseph Muscat, Keith Schembri (Foto: James Bianchi/MaltaToday)

Vrasja e gazetares

Daphne Caruana Galizia u vra më 16 tetor të vitit 2017, pasi i kishin vënë një bombë në makinë. Caruana Galizia kishte zbuluar rrjete të gjera korrupsioni brenda Maltës, duke përfshirë këtu aferën në spitale.

Ishte ajo e cila kishte raportuar për herë të parë për hijet e dyshimit mbi marrëveshjen në vitin 2015 (kliko këtu), duke pretenduar se qeveria kishte arritur një marrëveshje me Oxley Capital Group të Singaporit përpara thirrjes për propozime për privatizimin e spitaleve. Ajo kishte raportuar gjithashtu se Ram Tumuluri, që përfaqësonte Oxley Capital, kishte mbajtur takime me furnizuesit mjekësorë maltezë në janar 2015, duke u thënë atyre se kompania e tij tashmë kishte një marrëveshje me qeverinë malteze për të drejtuar spitalet. Firma private e investimeve Oxley Capital është pronari kryesor i Vitals Global Healthcare, kompania e cila mori koncesionin 30-vjeçar për të drejtuar tre spitalet malteze.

Para vdekjes së saj, Daphne Caruana Galizia kishte punuar për “Panama Papers”, rrjedhjen e miliona të dhënave që ekspozonte korrupsionin e përhapur ndërkombëtar.

Postimi i saj i fundit një ditë para vrasjes ishte: “Ka mashtrues kudo që të shikoni tani. Situata është dëshpëruese.”

Shtatë vite nga vrasja e saj, drejtësia ka qenë e ngadaltë. Tre burra janë dënuar për vrasjen e saj dhe tre të dyshuar të tjerë, përfshirë Yorgen Fenech (një nga biznesmenët më të pasur të Maltës) janë në pritje të gjykimit. Fenech pretendon se është i pafajshëm.

Në vitin 2019, kryeministri i atëhershëm i Maltës, Joseph Muscat, dha dorëheqje, pasi u gjet se bashkëpunëtorë të tij të ngushtë ishin të implikuar në vrasjen e saj.

Gazetarja Daphne Caruana Galizia

Leave a Reply

  • (not be published)