
Gazetarja Lindita Çela i është përgjigjur Monika Kryemadhit se cila tha se historia e CEZ-DIA-s ka filluar nëpërmjet një shkrimi që është bërë nga Çela, të cilin e ka marrë nga Lulzim Basha. E ftuar në emisionin e Ylli Rakipit, Kryemadhi ka përmendur emrin e gazetarës Çela e cila iu përgjigj duke shkruar: “Unë Monika Kryemadhin nuk e kam ndjekur asnjëherë publikisht. As atëherë kur nëpër emisionet prime time fliste për standardin që e rrethonte të dielave me shampanjë dhe festat me tendat gjigante ku të ftuarit i gostiste me kadaif me pana dhe karkaleca deti, verë Deschants dhe puro kubaneze të llojit “Cohiba”; as kur flet për politikë”.
Çela shton se: “Sado fort të përpiqem me gjithë njohuritë e mia të kufizuara, zor se gjej një rast të saj si deputete e Parlamentit të vendit tim, si Kryetare Partie, të ketë marrë një nismë që së paku të mos i shërbente një pakice; por as dhe tani kur del si analiste, qoftë tek një reality shoë apo edhe të hallit të vet që ka me drejtësinë”. Sipas saj këto janë përpjekje të Kryemadhit për të krijuar një narrativë tjetër mbi akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me të dhe ish-bashkëshortin e saj. “Nuk do i kushtoja rëndësi nëse të njëjtat deklarata nuk do ishin të përsëritura në daljet e saj televizive, ku herë si analiste, herë si e pandehur, e herë si viktimë, përfshin edhe emrin tim në përpjekjet për të krijuar një narrativë tjetër mbi akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me të dhe ish-bashkëshortin e saj”, vijon Çela.
Gazetarja vëren se Kryemadhi e ka marrë përgjigjen mbi shkrimin në kohën kur Meta ka qenë në krye të Kuvendit, i cili e quajti gazetare të papërgjegjshme, që me atë shkrim nga Basha kishte përmirësuar edhe standardin e jetës së saj. Gazetarja i përgjiget edhe duke u shprehur se vijon të ketë të njëjtin standart jetese. “Sot, unë, Lindita Çela drejtoj një ndër të paktat media në vend, krejtësisht të pavarura, që quhet “shteg.org”, ku edhe seancat gjyqësore të çështjes suaj në GJKKO pasqyrohen me profesionalizëm”. Ajo thekson se: “Me punën time, duke raportuar jo vetëm për korrupsionin, por edhe për lidhjet e krimit të organizuar në këtë politikën tonë që mban peng vendin prej 36 vitesh, kam fituar besimin e njerëzve që duan që media në Shqipëri të mos urdhërohet nga X politikan apo X kryetar”.
Në fund ajo nënvizon: “Sa për të vërtetat tuaja e di që kemi rrugë shumë të gjatë për të bërë, qoftë edhe për faktin e votave të reformës në drejtësi, ku procese si ato që ju po përballeni, më së paku duan nja 10 vite që të kemi një vendim final”. Pas kësaj deklarate, reagon sërish Kryemadhi e cila shprehet përmes një videoje duke i thënë të mos rrijë nëpër shtigje, po t’i dalë përballë. “Një përgjigje për Linditën dhe gjithë Linditat. Xhelozia dhe vogëlsia nuk të lë kurrë të ecësh përpara”, shkruan Kryemadhi.


