Pas gati 7 vitesh humbjesh, male me borxhe dhe marrëveshjesh okulte për të financuar udhëtimet me charter të kryeministrit, fati i kompanisë flamur të Shqipërisë, “Air Albania”, duket se ka mbërritur në fundin e palavdishëm, por të pashmangshëm. “Kapitali” ka mësuar se Autoriteti i Aviacionit Civil është detyruar të pezullojë licencën e krenarisë imagjinare të qiellit shqiptar për mospërputhje me legjislacionin. Një burim nga brenda kompanisë i tha “Kapitalit” se vendimi është marrë në fillim të këtij muaji dhe se prej tre ditësh Air Albania nuk kryen më asnjë fluturim. “Operimet e Air Albania janë pezulluar përkohësisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil, për mosveprim në përputhje me standardet e aviacionit civil,” i tha “Kapitalit” një burim brenda qeverisë i informuar për çështjen. Sipas burimit, pezullimi i “Air Albanias” do të qëndrojë në fuqi pa afat derisa kompani të plotësojë të gjitha detyrimet e kërkuara nga ligji i Aviacionit Civil. Pezullimi nga AAC do të thotë se tashmë kompania nuk ka të drejtë të kryejë më asnjë fluturim dhe ccdo shitje biletash është potencialisht një mashtrim. Disa ekspertë të tregut të fluturimeve i thanë Kapitalit se plotësimi i detyrimeve nga kompania në kushtet e krizës së thellë financiare në të cilën ndodhet ka shumë pak gjasa të ndodhë dhe me shumë mundësi, pezullimi nga AAC është grushti i fundit që vulos përfundimisht fatin e “Air Albanias”.

“Air Albania” nuk ka operuar fluturime që nga 7 dhjetori

E ardhmja e kompanisë flamur të shumëtrumbetuar nga qeveria tani duket gjithnjë e më e pasigurt. Të dhënat e FlightAware tregojnë se prej datës 7 dhjetor kompania nuk ka operuar asnjë fluturim dhe vazhdon të anullojë në seri rrugë të planifikuara për në Milano dhe Stamboll nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. E themeluar në vitin 2018 pasi qeveria shqiptare ia revokoi licencën Albanian Airlines, Air Albania ka qenë krenaria imagjinare e Shqipërisë për shtatë vitet e fundit. E financuar pjesërisht nga “Turkish Airlines”, fati i “Air Albanias” duket se u vulos përfundimisht pak javë më parë, kur Turkish njoftoi daljen nga kompania shqiptare dhe shitjen e 49 për qind të aksioneve që zotëronin në këtë kompani. Ndërsa linja ajrore kombëtare e Turqisë nuk dha shumë detaje mbi arsyet e shitjes së Air Albania, ajo finalizoi një marrëveshje për të shpenzuar 300 milionë euro për një aksion minoritar në linjën ajrore spanjolle me kosto të ulët, Air Europa, e cila është më e njohur gjerësisht.

Male me borxhe dhe faliment i pashpallur

Muajt e fundit “Air Albania” është përballur me një seri padish në gjykatat ndërkombëtare për mosshlyerje të detyrimeve. Kompania ajrore është paditur të paktën nga dy shoqëri të huaja për mospagesën e qirasë së avionëve, ndërkohë që borxhet e saj vetëm sa shtohen. Shifra reale e borxheve të “Air Albania” mbetet e panjohur pasi kompania nuk publikon asnjë bilanc financiare. Por mali i detyrimeve vlerësohet në dhjetra milionë euro duke përfshirë borxhet ndaj furnitorëve, Tatimeve, aeroporteve dhe punonjësve. Por pavarësisht se është praktikisht e falimentuar, “Air Albania” vazhdon të mos e shpallë falimentin zyrtarisht. Pezullimi i liçencës nga Autoriteti i Aviacionit Civil duket se është goditja finale, që do të hedhë në tokë përfundimisht krenarinë imagjinare të qiellit shqiptar, e cila më shumë se krenari për vendin u themelua për të financuar udhëtimet me charter të kryeministrit. Ky i fundit është akuzuar nga opozita si shkaktari kryesor i falimentimit të “Air Albanias” për shkak të udhëtimeve me Ismailin personal, që iu vu në dispozicion nga “Air Albania”.

Ky shkrim është pronë intelektuale e “Kapitali.al”

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14