
Franca po përfshin në ligj fundin e të ashtuquajturave “të drejta bashkëshortore”, nocioni sipas të cilit martesa nënkupton një detyrim për marrëdhënie seksuale. Një projektligj i miratuar të mërkurën në Asamblenë Kombëtare shton një nen në Kodin Civil, i cili e bën të qartë se “bashkëjetesa” nuk krijon një “detyrim për marrëdhënie seksuale”.
Ligji i propozuar gjithashtu e bën të pamundur që mungesa e marrëdhënieve seksuale të përdoret si argument në divorcet me faj. Edhe pse pritet të mos ketë një ndikim të madh praktik në gjykata, mbështetësit shpresojnë se ligji do të ndihmojë në parandalimin e përdhunës brenda martesës.
“Duke lejuar që një e drejtë apo detyrim i tillë të vazhdojë, ne kolektivisht po japim miratim për një sistem dominimi dhe grabitjeje nga burri ndaj gruas,” tha nismëtarja e projektligjit, deputetja e të Gjelbërve Marie-Charlotte Garin. “Martesa nuk mund të jetë një hapësirë ku pëlqimi për seksin konsiderohet përfundimtar dhe i përjetshëm.”
Ligji synon të fshijë një paqartësi që ka ekzistuar, edhe pse “detyrimi bashkëshortor” nuk përmendet shprehimisht në asnjë tekst ligjor. Aktualisht, Kodi Civil francez përcakton detyrat e martesës si “respekt, besnikëri, mbështetje dhe ndihmë”, si dhe angazhimin për një “bashkëjetesë”.
Megjithatë, disa gjyqtarë në raste divorci e kanë interpretuar gjerësisht konceptin e bashkëjetesës duke përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale. Në një rast të njohur në vitin 2019, një grua u shpall fajtore për refuzim të marrëdhënieve seksuale për disa vite dhe bashkëshortit iu dha divorci me faj.
Gruaja e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila vitin e kaluar dënoi Francën për lejimin e refuzimit të seksit si bazë për divorc me faj. Vendimi u përshëndet si një hap i rëndësishëm nga aktivistet feministe.
Vendimi i GJEDNJ-së e ka bërë praktikisht të pamundur që një gjykatës francez të marrë një vendim të ngjashëm, ndaj ligji i ri synon kryesisht sqarim ligjor. Për aktivistët, ideja se gratë kanë “detyrim” të pranojnë seksin në martesë ende ekziston në disa shtresa të shoqërisë dhe duhet të sfidohet.
Në Francë, ashtu si në shumicën e vendeve, përdhunimi brenda martesës tashmë është i sanksionuar me ligj. Para vitit 1990, burrat mund të pretendonin se martesa nënkuptonte pëlqim automatik. Që nga nëntori i vitit të kaluar, përkufizimi ligjor i përdhunimit në Francë është zgjeruar për të përfshirë konceptin e mungesës së pëlqimit. Heshtja apo mungesa e reagimit nuk konsiderohen më pëlqim, sipas ligjit.
Kujdes: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “BBC”-së.


