
Franca është treguar e prerë ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy, duke i hequr titullin më të lartë “Legjioni i Nderit”. Pas akuzave për korrupsion, vendimi ishte mëse i pritshëm edhe pse ai është shprehur kundër.
Dekreti është publikuar më 15 qershor. Gjykata e Apelit konfirmoi akuzat për korrupsion pas përpjekjeve të Sarkozysë për të siguruar favore nga një gjyqtar. Në vend të dënimit me një vit burg ai është detyruar të lëvizë me një byzylyk elektronik në këmbë.
Sipas “Lemonde.fr” Nicolas Sarkozy është në gjyq i akuzuar për pranimin e financimeve të paligjshme të fushatës elektorale në një marrëveshje të supozuar me diktatorin tashmë të ndjerë libian, Muammar Gaddafi. Gjykata pritet të japë vendimin në shtator, ndërsa prokurorët kanë kërkuar një dënim me shtatë vjet burg për Sarkozynë.
Një tjetër histori me heqje urdhri të lartë, është shënuar më herët në Francë, rasti i bashkëpunëtorit të nazistëve Philippe Pétain, i cili u dënua në gusht të vitit 1945 për tradhti të lartë dhe bashkëpunim me armikun.
Ish-presidenti i djathtë Sarkozy e drejtoi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012 dhe që prej largimit nga detyra, pas një humbjeje të vështirë në zgjedhjet presidenciale, është përballur me probleme të shumta ligjore. Me gjithë situatag e ndërlikuara politike dhe akuzat ndaj tij, Sarkozy mbetet një figurë me ndikim në të djathtën franceze dhe njihet për takime të rregullta me presidentin Macron.


