Ata që jetuan vitet e diktaturës e dinë mirë çfarë do të thotë të shohësh të rrëzohet statuja e Enver Hoxhës. Koha tregoi se ai moment shënoi fillimin e një epoke që u ngrit mbi rrënojat e një sistemi që mbolli kaosin në një shoqëri të shtypur që niset drejt lirisë dhe gjetjes së vetes. Fotot e realizuara më 20 shkurt 1991 dëshmojnë etjen e turmës për të shkulur një të keqe në zemër të Tiranës, aty ku takoheshin ëndrrat e dëshirat për një jetë përtej telave me gjemba që rrethonin frikshëm Shqipërinë e vogël. Po kaq ethshëm duket dora e fotografëve e reporterëve që kanë vrapuar të kapin çastin për ta fiksuar në kujtesën e ndërgjegjen tonë mes plumbave e represionit policor. Statuja e bronxit, 7 metra e lartë që rrinte hijerëndë, është lëkundur kapur pas litarëve të fortë derisa u plas në shesh si symbol i rrëzimit të sistemit që tashmë kishte marrë fund. Lulëzim Lika fotoreporter i “ATSH-së” ka fiksuar një nga momentet historike që flasin më shumë përmes pamjeve.  Ironia e fatit e deshi që vetëm një ditë më pas ai të kërkohej të punonte për agjencinë e huaj të lajmeve “Reuters”, diçka e pazakontë për regjimin në Shqipëri që ishte në grahmat e fundit. Bashkë me Likën foto të ndryshme janë fiksuar edhe nga fotoreporteri Armando Babani e operatori i “RTVSH-së” Fatmir Çepani.

Eksodi i marsit ’91 lexohet me dhimbje në fotot ku duken mijëra shqiptarë që kacavirren anijeve për t’i ikur skamjes ku ishte zhytyr vendi. Pa llogaritur çfarë po linin pas e çfarë i priste, nevoja për të siguruar bukën e gojës ishte më e fortë se jeta që u varej litarëve të anijeve ku ende nuk na thotë dot kush sa janë zhdukur në thellësi të detit në luftë për të kapërcyër përtej brigjeve. Tentativa për t’u larguar vështirësohej nga rojet kufitare të një sistemi që nuk kursente askënd para urdhrave të hetuesisë e persekutimit e nga Sigurimi i Shtetit. Autori i këtyre fotove është i panjohur, por ka lënë gjurmë domethënëse për të vërtetuar atë që ende u dhemb familjeve shqiptare, largimin; në shumë raste ndoshta edhe pa një “Lamtumirë”. Fotot impresionojnë ende për realitetin që paraqesin me detaje ku ndërtohet gjithë ajo që shënoi eksodin e shqiptarëve, që ende vazhdon e ne renditemi ndër vendet me ritme të larta të emigrimit. Zbarkimi në brigjet italiane është fotografuar nga italiani Vittorio Arcieri i cili u dedikoi një ekspozitë me titull “IntegrAzione…” gjithë gjurmëve të vuajtjes shqiptare që kishte kapur me aparatin e tij.

Firmat piramidale, hapja e depove të armëve dhe rrëzimi i qeverisë “Berisha” janë trekëndëshi që tronditi zinxhirin e funksionimit të një shteti e vendi në tranzicion. Sudja, Xhaferri, Kamberi, Vefa e shumë të tjerë ishin ata që bënë lojën më të frikshme me lekët e pasuritë e shqiptarëve duke premtuar shumëfishim e më pas i zhvatën në palcë, me pasoja të rënda për ekonomimë por edhe për stabilitetin e vendit. Revolta lexohet në portretet e kapura nga aparatet fotografike që arkivuan një plagë që u kthye malinje për familjet që shitën edhe shtëpitë e mbetën në qiell të hapur. Shkrepjet e aparatit, nga autorë të panjohur kanë pasqyruar panikun dhe padijen se në çfarë vorbulle pa kah po shkonte turma e verbuar nga premtimet për më shumë para, pa llogaritur surprizat e hidhura që na kthyen pas si bumerang nxitimin e rënien në kurthin e firmave piramidale.

Reja e shpërthimit të depos së demontimit të armëve në Gërdec, më 15 mars 2008 nuk është larguar ende nga kujtesa jonë. Tymi ka mjegulluar drejtësinë e cila nuk e gre dot çekiçin edhe pse në dosje prehen emrat e të paktën 16 personave që humbën jetën e dhjetëra të tjerëve që u plagosën. Fotoja e shkrepur në një qiell të kthjellët marsi, rri aty në ndërgjegjen e paveprimit, si një ngërç i qëllimshëm, për të mos folur, por vetëm për të reflektuar.

21 janar 2011, në bulevard vriten 4 protestues të pafajshëm. Turma ndjeu frikën e ftohtësië plumbave që morën jetë njerëzish. Mungesa e një drejtësie të munguar për tragjedinë e Gerdecit, solli viktima të tjera. Fotot janë aty në arkivat e mediave për t’i freskuar skenat e një krimi që ende fshihet pas gishtit.

Kryeministri Edi Rama kthehet në vendin e krimit, atëherë kreu i opozitës, tashmë kryeminsitër. Me karafil në dorë nderon Faik Myrtajn, Ziver Veizin, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën që u vranë në protestë. Fotoja na lejon të kuptojmë përtej portretit të kreut të qeverisë dhe luleve, atë që realisht i mungon gjithë tablosë, drejtësinë për viktimat, premtim i vetë Ramës.  

Fotoja e bujshme e shtrëngimit të duarve mes Ramës kryeministër e Bashës, ish-kreu i PD-së është shkrepur pas orës 1:45, të datës 17 maj, 2017. Marrëveshja “McAllister” ka ulur tonet e diskurseve politike dhe duket se ka rikthyer në bisedime palët politike, duke i dhënë fund bojkotit të kuvendit dhe rikthimit në jetën parlamentare të opozitës. Shtrëngimi i duarve, një fragment për të mos u humbur tashmë është ruajtuar nga celuloidi i aparatit fotografik. Takimi mes Ramës e Bashës përfundoi me një përshëndetje aspak protokollare, por shumë sportive e shumë domethënëse edhe nga gjuha e trupit.

“This is Spartaaa” kjo është diçitura që i shkon më shumë për shtat kësaj fotoje e situate komike mes revoltës të militantëve të PD-së që u kthye në meme. Gjatë protestës para kryeministrisë në vitin 2019, për të rrëzuar qeverinë e Ramës. Agjencia e lajmeve “Reuters” ndan foton e realizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku protestuesi demokrat matet të godasë me heshtë metalike kryeministrinë.

Një histori dashurie e urrejtje, larg syve të botës ka qenë ajo mes Erion Veliajt dhe ish-presidentit Ilir Meta. Të ndarë edhe bashkë njëkohësisht, janë treguar të kujdesshëm të ruajnë raportet e veta me aleatët por edhe ekulibrin pa prishur balancat mes njëri-tjetrit. Përulje dhe distance, në një ditë të ftohtë dimri është ajo që fotografi Agim Rama ka ruajtur për t’u interpretuar nga koha dhe ngjarjet që pasojnë. Çfarë i ndan e i bashkon Erion Veliajn dhe Ilir Metën? Mjafton të kujtojmë raportin delikat të Veliajt me Ramën dhe insistimin e Ramës për të larguar Metën nga presidenca, si edhe rrjedhën e ngjarjeve ku nuk kanë munguar as akuzat e Metës për Veliajn si përgjegjës direkt në çështjen e Inceneratorit të Tiranës. Sot të dy janë në burg.

Dikur ishin tre, tani ka mbetur vetëm njëri. Arben Ahmetaj, ish-kryeministër, i akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Ahmetaj ndodhet në arrati ku shpesh ka qenë i pranishëm me intervista në media, pa identifikuar vendndodhjen, por duke identifikuar si e zeza në të bardhë, akuza me emra për shkelje të ndryshme. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, i akuzar për shpërdorim detyre. Tahiri u dënua me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, por që e mbylli 20 muaj më herët për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij. Dhe i treti, Edi Rama, kryeministër dhe njeriu që u distancua nga akuzat ndaj ish-anëtarëve të kabinetit të tij, por jo vetëm kaq. Rama i zboi nga planet e tij dhe tani i vetëm, edhe pas pastrimit të disa prej figurave të vjetra të PS-së vazhdon qeverisjen.

Kreu i opozitës, Sali Berisha goditet me grusht gjatë protestës kundër qeverisë “Rama”. I riu, Gerti Shehu ka goditur Berishën në mes të protestës e cila mbahej ditën që në Tiranë zhvillohej Samiti i BE-së. Një rast i paprecedentë, ndërsa Berisha me syrin me shenjë ka vijuar fjalën e tij në foltore, ndërsa Shehu është shoqëruar nga forcat policore e disa muaj më vonë është lënë i lirë me pretendimin se vuan nga problem të shëndetit mendor. Pamje që flasin përmes fotove dhe radhiten mes fakteve që ndërtojnë të vërtetat historike.

Ish-presindeti Ilir Meta, në paraburgim. Ish-funksionari më i lartë i shtetit përballet me akuza nga  Prokuroria e Posaçme për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje intekonjeksioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi në favor të bizesmenit S.M, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar. Lentja e fotografit Malton Dibra ka fiksuar momentin kur Meta shoqërohet në gjykatë. Ai ka kundërshtar akuzat duke u shprehur më media se mbahet aty në mënyrë të paligjshme.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11