“Rrethi i dimrit”

Po të lexosh vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, raport nëpërmjet të cilit kryeministri i vendit Edi Rama u shtriu dorën donatorëve të Europës, gjen me përpikmëri se sa ka qenë numri i shtëpive të dëmtuara që kanë patur nevojë për rikonstruksion por po ashtu i atyre që duheshin ndërtuar nga e para.

Këto dy muaj deklaratat, komunikimet në rrjete sociale apo takimet e qeverisë së Europës Juglindore kanë qenë të fokusuara te pandemia e Covid19. Publiku, përveç atyre që po vuajnë në çadra apo lëvizin sa në një shtëpi në tjetrën, gazetarëve që hulumtojnë apo kujtesës mbi tragjedinë si dhe analizës së pseudo-spotit sensibilizues së kryeministrit Rama që në fakt qe një spot fushate, nuk ka qenë edhe aq kërkues ndaj mënyrës se si qeveria po vazhdon të menaxhojë fondet e rindërtimit.

Me të drejtë.

Në kushtet e një krize të kapaciteteve spitalore, akuzave të opozitës për fshehje të situatës reale nga qeveria apo shqetësimit nëse një i sëmurë i familjes do ta marrë apo jo kujdesin shëndetësor, patjetër që ky spostim i vëmendjes dhe interesit është i legjitimuar.

Mirëpo qindra të tjerë, nëse nuk po vuajnë nga pandemia, po vuajnë nga i ftohti.

Paratë janë. Pyetja pra shtrohet: a po punon për shqiptarët qeveria Rama? A po i menaxhon me përgjegjshmëri taksat e europianëve dhe vetë shqiptarëve? Si po e bën?

Ç’u kërkoi europianëve qeveria Rama e ç’ka ndërtuar

Në dokumentin që mund ta shkarkoni Këtu, gjithnjë nëse të dhënat janë reale, qeveria dorashtrirëse ndaj Europës thotë se 11,490 shtëpi janë të shkatërruara tërësisht dhe duhen ndërtuar nga e para ndërsa 83,745 shtëpi të dëmtuara kërkojnë rikonstruksion sepse janë dëmtuar më lehtë.

Megjithatë t’u rihedhim një sy dëmeve të përgjithshme, edhe në sektorë të tjerë.

Tërmeti preku 202,291 njerëz, nga të cilët 47,263 në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Shkaktoi 51 viktima dhe 913 të lënduar, ndërsa 48 njerëz arritën të shpëtohen.

Edi Rama dhe Safet Gjici

Rreth 17 mijë njerëz u zhvendosën nga shtëpitë e tyre. 321 institucione edukimi të dëmtuara (ndihma të kërkuara për rikonstruksion 94.83 milion Euro (11.67 miliardë Lekë), 36 qendra shëndetësore (ndihma për rikonstruksion 14.54 milion Euro), 11,490 shtëpi tërësisht të shkatërruara dhe duhen ndërtuar nga e para ndërsa 83,745 shtëpi të dëmtuara kërkojnë rikonstruksion sepse janë dëmtuar më lehtë ( ndihma për ndërtim dhe rikonstruksion e nevojitur 803 milion Euro (99.301 miliardë Lekë), infrastruktura që përfshin argjinaturat e dy lumenjve, 50 rrjeta kundër erozionit, një digë, 42 ndërtesa bashkish, një burg dhe 33 ndërtesa zyrtare(ndihma e nevojitur për rregullimin e dëmeve 60.99 milion Euro (7.5 miliardë Lekë).

Po kështu në dëmet e sektorëve të tjerë dhe ndihmave të kërkuara qeveria shqiptare rendit: Ndihma në para në sektorët e argjinaturave dhe kanalizimeve si dhe në ndërtesën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë nevojiten 51.83 milion Euro (6.4 miliardë Lekë), në sektorin e biznesit dhe punësimit 27.84 milion Euro (3.4 miliardë Lekë),ndjekur nga turizmi me 10.88 million EUR (1.3 miliardë Lekë).  Turizmi ka pësuar dëmet më të mëdha duke llogaritur braktisjen e turistëve në vitet 2020-2022 me 90.24 milion Euro (11.1 miliardë Lekë), sektori i biznesit dhe punësimit me 714 biznese për të ndihmuar nga dëmet e pësuara në prodhim dhe tregti, në trashëgiminë kulturore dëme në 2 muze kombëtare dhe 3 lokalë, bashkë me 23 monumente e site kulturore me rrezik të lartë dëmtimi dhe 30 monumente me rrezik mesatar.

57 ndërtesa të Ministrisë së Drejtësisë janë dëmtuar, një stacion zjarrfikëse, dy ndërtesa në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, 8 stacione monitorimi nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, 13 ndërtesa nga Drejtoria e Rezervave të Përgjithshme të Shtetit me nevojë për rikonstruksion prej 48.25 milion Euro (5.9 miliardë Lekë).

Por qeveria shqiptare u ka paraqitur europianëve edhe nevojën per këshillim psikosocial dhe ndihmë sociale, që së bashku me dëmet në qeverisje, koordinim, menaxhim katastrofe shkojnë në 2.83 milion Euro (348.2 miliardë Lekë).

Sot ende nuk është e qartë se sa ka ndërtuar qeveria e cilat ka rikonstruktuar me saktësi. Mungon transparenca.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e kritikoi qeverinë shqiptare lidhur me procedurat e përdorura për tenderimet e rindërtimit si dhe mënyrën si po menaxhon kanalizimin e parave. Një pikë kryesore, sipas fondit, analizuar nga “Monitor” ishte qëndrimi në vendnumëro i qeverisë duke qenë se kishte realizuar vetëm 8% deri në shtator, të planifikimit të buxhetit. Nga 270 milionë euro të parashikuara për 2020-ën për rindërtimin, qeveria ka realizuar deri në shtator vetëm 22 milionë euro. FMN-ja po ashtu i kërkon qeverisë Rama të marrë miratimin në Kuvendin e Shqipërisë për vendimet mbi rindërtimin por nga ana tjetër edhe auditim të pavarur mbi procedurat.

Në 2020-ën qeveria planifikoi 34 miliardë lekë për tërmetin, ndërsa më 2021-shin 28 miliardë lekë.

Ngushtohet “Rrethi i dimrit” për Kombinatin

Deri më tani nga bashkitë, duke përfshirë edhe atë të Tiranës janë zhvilluar 159 tendera, ku 112 kanë rezultuar me fitues, të cilët shënojnë numrin 80. Mbi 9,3 miliardë lekë të reja u janë shpërndarë këtyre fituesve.

Qëndron në një numër më të vogël ai i tenderave të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.  Nga 88 të shpallur, vetëm 34 kanë përfunduar me fitues, kompani që kanë ndarë mes tyre më shumë se ato të bashkive, mbi 9.7 miliardë lekë të reja.

Deri këtu jemi mes të dhënash të përgjithshme që edhe tregojnë diçka po nga ana tjetër edhe nuk thonë asgjë, ashtu si premtimi elektoral i Edi Ramës për kurorat brenda shtëpive, që sipas tij do të merrnin tri shtëpi në vend të njërës po të ishin 3 familje brenda asaj të dëmtuarës.

Çfarë mund të zbulojmë më shumë?

Projekti i zonës së Kombinatit në Tiranë që do ndërtohet nga kompanitë fituese. Nuk është ende e qartë se sa apartamente do ju jepen të dëmtuarëve nga tërmeti dhe sa do shiten

Duke ndjekur parimin, i cili është përdorur edhe në dy shkrimet pararendëse të këtij cikli (Lexo Këtu dhe Këtu), atë të “Follow the Money” (Ndiq Paranë) ne mund të kërkojmë për të gjetur informacion, mënyra, kompani të lidhura me njëra-tjetrën, a ka abuzime, si po bëhet “mbyllja apo hapja e rubinetit” në buxhet, a ka oligarkë të përfshirë, a ka nepotizëm etj.

A ka një “Rreth Dimri”? A ka një “rreth” të tretë të favorizuar?

“Kombinati” gjendet deri më tani në tavolinën e 38 kompanive që po negociojnë me Bashkinë e Tiranës. Nga 92 në garë, siç bën transparente Open Data vetëm këto 38 kompani, grupuar në 15 bashkime duket se janë vlerësuar si të përshtatshme për t’u angazhuar në një nga tenderat më të mëdhenj të rindërtimit, me mbi 7.6 miliardë lekë të reja fond. Vetëm një kompani e huaj, në bashkëpunim me një shqiptare i është përgjigjur njoftimit në një kohë të shkurtër, “North west Construction” LLC por që nuk është kualifikuar mes fituesve. Si degë e shoqërisë së huaj shfaqet edhe kompania e familjes së deputetit socialit Sadri Abazi; “Alko Impex General Construction”.

Të kualifikuarit si të suksesshëm do lidhin marrëveshjen kuadër dhe do zhvillojnë edhe një proces tjetër për çmimet që ofrojnë, një proces që është kritikuar vazhdimisht për mungesën e transparencës dhe kohën e shkurtër në të cilën realizohet.

Le të hulumtojmë tani kompanitë fituese.

Aty gjejmë lehtësisht me një shikim tri shumë të njohura: “Mane/TCI” e Samir Manes, “Salillari” shpk me aksioner Pëllumb Salillarin, i cili mes disa projekteve ka fituar edhe atë të Tiranës së Re dhe “Gjoka Konstruksion” me aksioner Rrok Gjokën që është i injohur për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Por edhe emra të tjerë spikasin.

1.“Mane/TCI” shpk, në pronësi të “BALFIN” shpk, kompani e Samir Manes, që kësaj here ka bashkëpunuar me disa kompani të vogla për të përfituar nga kjo mundësi. Mane është lakuar së fundmi si njeriu që ftoi në resortin “Green Cost Resort” në Palasë, ambasadoren e SHBA-ve, Juri Kim.

Foto e shpërndarë në rrjetet sociale me interpretimin e shëtitjes me skaf të ambasadores së SHBA-ve dhe Samir Manes, në afërsi të resortit të tij

2. “Salillari” shpk, kompani me aksioner Pëllumb Salillarin. Salillari gjithashtu ka marrë mbi 650 milionë lekë të reja në bashkëpunim me disa kompani në tendera të tjerë të rindërtimit. Salillari njihet si një nga kompanitë që ka fituar një sërë koncesionesh, tenderash e projektesh si portin e Porto Romanos, mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, Unazën e re etj.

3. “Gjoka Konstruksion”, kompani me aksioner Rrok Gjokën, fitues i projektit të Rrugës së Arbrit.

4. “Alb-Star” Shpk në pronësi të “FINMAN”, me aksionerë Sadik dhe Idajet Ismailaj, të cilët ngritën Arenën Kombëtare “Air Albania”.

5. “Arifaj” shpk, në pronësi të Rezarta Bokçiut, e cila u procedua penalisht për shkelje të pretenduara në aksin rrugor Gjinar-Elbasan dhe po ashtu u akuzua për vjedhje të zhavorit në lumin e Vlorës. Përveç Bokçiut që është kualifikuar për Kombinatin del në shesh edhe një emër tjetër, ai i Lavdrim Gjicit. Lavdrim Gjici është vëllai i socialistit Safet Gjicit, kryebashkiak i Kukësit. Bokçiu ka bashkëpunuar me Gjicin si bashkim operatorësh, nëpërmjet “Kevin Construksion” dhe me vete kanë marrë edhe “Denis05”shpk. Në pronësi të kësaj të fundit është Hajredin Ukperaj, i akuzuar njësoj si Bokçiu për vjedhje të zhavorit në Vlorë.

6. “Dajti Park 2007” shpk në pronësi me 50% të Lulzim Qefalisë, vëllait të deputetit socialist Xhemal Qefalia. Kjo kompani e ka fituar mundësinë për ndërtim në kombinim me disa të tjera.

7. “Arb&Trans-2010” shpk, në pronësi të Fatmir Firit, i cili është arrestuar në shtator të 2019-ës për abuzim me TVSH-në. Firi garoi si bashkim operatorësh bashkë me “Kronos Konstruksion” shpk dhe “Everest” shpk. Opozita ka denoncuar Firin muaj më parë, duke deklaruar se kishte dhënë urdhër që punonjësit e kompanisë së tij të pastronin hapësirën e Teatrit Kombëtar pas shembjes.

Shënim: Ky është shkrimi i tretë i një cikli të gjatë shkrimesh për mënyrën se si po menaxhohen nga Qeveria Shqiptare fondet e dhëna për tërmetin e 26 nëntorit 2019 nga Bashkimi Europian dhe qeveri të shteteve të ndryshme.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)