
Pasi zbuluam se tenderat e Bashkisë së Tiranës i fitojnë kompani në pronësi të miqve apo personazheve me lidhje me drejtues të Bashkisë së Tiranës, është momenti të hulumtojmë se cilët janë njerëzit që fitojnë projektet e financuara nga buxheti i shtetit dhe nga Bashkimi Europian apo qeveri të shteteve të tjera që janë kanalizuar nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Qeveria shqiptare ka vendosur që nga paratë e taksapaguesve shqiptarë të shpenzojë për rindërtimin pas tërmeteve 20 miliardë lekë të reja. Për rikujtesë për ata që nuk e kanë plotësisht të qartë, edhe Bashkimi Europian është zotuar se do t’i japë qeverisë Rama 115 milionë euro për ta ndihmuar të rikuperojë dëmet materiale nga lëkundjet sizmike.
Qeveria shqiptare, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, kryeministrit, i merr paratë dhe me t’i marrë nis shpërndarjen e tyre me urgjencë duke kristalizuar dy kanale kryesore: një fond zhvillimi të vendit të saj dhe nëpërmjet bashkisë më të madhe në vend, asaj të kryeqytetit.

Le të shohim tani se çfarë ka ndodhur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Fituesit e mëdhenj-rrethi i përhershëm, emra të njohur: nga Shkëlqim Fusha te Alban Eftimi
Për 45 tenderat janë shpallur fituesit, ndërsa priten edhe për 12 tendera të tjerë duke plotësuar numrin 57 në total. Shuma e kontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit deri më tani është 6.5 miliardë lekë të reja. Lloji i tenderave me autoritet kontraktues FSHZH-në lidhet me ndërtimin e shkollave dhe kopshteve si dhe infrastrukturën rrugore e atë urbane ndërsa janë rishpallur tendera që kanë të bëjnë me ndërtimin e pallateve për banorët, apartamentet e të cilëve u dëmtuan nga lëkundjet sizmike.
Një pjesë e fituesve mund të konsiderohen si “Fituesit e mëdhenj” të projektit të rindërtimit për shkak të parave në qarkullim, të cilat kanë destinacion kompanitë në pronësi të personazheve të përmendura shpesh si të favorizuar në projekte të mëdha në vend.
Pas kryqëzimit të të dhënave me kanalin “Open Data” dhe kanalet e Agjencisë së Prokurimeve Publike apo faqen e Kryeministrisë për vendimet zbulohen të favorizuarit e rrethit të përhershëm, të cilët janë ndër më të mëdhenjtë e kompanive të tjera me të cilat bashkëpunojnë, një lloj ombrellë e tyre.
1.Shkëlqim Fusha me “Fusha shpk” merr mbi 1.1 miliardë lekë të reja në bashkëpunim me disa kompani të tjera.
Shkëlqim Fusha është pjesë e rrethit të përhershëm të të favorizuarëve të zakonshëm të qeverisë Rama dhe Bashkisë së Tiranës. Fusha ka fituar dhjetra projekte si ndërtimi i Sheshit Skënderbej, miliarda lekë për projekte të tjera si dhe e njohur për ofertën e pakërkuar për godinën e Teatrit Kombëtar që u rrafshua muaj më parë.
2.Florenc dhe Milo Gjikuria me “Gjikuria shpk” mbi 1.1 miliardë lekë të reja në bashkëpunim me kompani të tjera.
“Gjikuria shpk” njihet për një sërë projektesh të fituara gjatë qeverisjes Rama, mes të cilave koncensionin për ndërtimin e rrugës Orikum-Llogara e projekte të tjera në jug të vendit.
3.Elvis Sula. “AgiCons shpk” merr mbi 850 milionë lekë të reja në bashkëpunim me kompani të tjera.
“AgiCons” njihet për një sërë koncesionesh e projektesh të fituara nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës si hidrocentrale dhe ndërtime shkollash në Tiranë.
4.Pëllumb Salillari me “Salillari shpk” merr mbi 650 milionë lekë të reja në bashkëpunin me disa kompani.
Salillari njihet si një nga kompanitë që ka fituar një sërë koncesionesh, tenderash e projektesh si hidrocentral, portin e Porto Romanos, mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, Unazën e re etj.
5.Alban Eftimi, Altin Premti, Andi dhe Olsi Eftimi. Me kompaninë “Atelier 4 Shpk” Alban Eftimi merr mbi 11 milionë lekë të reja.
Eftimi është i njohur për miqësinë me kryeministrin Rama dhe për marrjen e disa projekteve nga qeveria, si projeksione në Butrint, rikonstruksione etj. ndërsa aktiviteti financiar i kompanisë ka pësuar rritje të shpejtë pas 2014-ës.
Pistat e hulumtimit me pyetje të reja që mbeten për t’u kërkuar në shkrime të ardhshme sa i përket Projektit të Rindërtimit janë disa:
- A nuk duhet të ngrejë qeveria sisteme më gjithëpërfshirëse për transparencen e fondeve?
- Pse është zgjedhur një procedurë tenderimi 10 ditore duke përjashtuar de facto kompanitë ndërkombëtare nga konkurimi për shkak të kohës së kufizuar dhe duke përdorur në fazë të parë shprehjen e interesit për kompanitë shqiptare, të cilat në një moment të dytë bëjnë negocim në tavolinë për objektin e fituar me ofertë ekonomike?
- Pse favorizohen kompanitë e njohura? Cilat do favorizohen sërish?
- Cila do jetë cilësia e ndërtimit? Me themele apo pa themele shtëpitë individuale?
- Kur do futen në shtëpi përfundimisht gjithë banorët e pastrehë?
- Si do ecë procesi i shpronësimeve? Cilat troje dhe si do shpronësohen?
- Çfarë do ndodhë me fondet e buxhetit të shtetit dhe të BE-së nëse banesa të caktuara ndërtohen nga bamirësit televizivë si Elvis Naçi, Samir Mane, Fundjava Ndryshe etj?
- Cili audit do monitorojë nga afër ndërtimet përveç kompanive të favorizuara për mbikëqyrje?
Shënim: Ky është shkrimi i dytë një cikli të gjatë shkrimesh për mënyrën se si po menaxhohen nga Qeveria Shqiptare fondet e buxhetit të shtetit dhe fondet e dhëna për tërmetin e 26 nëntorit 2019 nga Bashkimi Europian dhe qeveri të shteteve të ndryshme. Hulumtimi do të vazhdojë.