
Florida Doçi është një tjetër shqiptare që po punon dhe po korr sukses në fushën e inteligjencës artificiale, përveç Mira Muratit. Doçi është një shkencëtare e cila u largua nga Shqipëria rreth 15 vite më parë, kur sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe sot i bashkohet Microsoftit, si kërkuesja kryesore e kompanisë së teknologjisë në fushën e inteligjencës artificiale.
Në një postim në rrjetet sociale pasi fitoi këtë detyrë të re ajo është shprehur: “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa e emocionuar jam që po bashkohem me Microsoft si hulumtuese kryesore, ku do të ndihmoj në sjelljen e inteligjencës artificiale në hapësirat bashkëpunuese të Microsoftit.” Doçi shton se kjo është një arritje akoma më e veçantë për të, duke qenë se është rritur në një vend me mundësi të kufizuara teknologjike: “një moment historik i pabesueshëm për vajzën e vogël që u rrit pa kompjuter.”

Kush është Florida Doçi
Florida Doçi është një e re shqiptare, e cila së fundmi është zgjedhur si hulumtuese kryesore në fushën e inteligjencës artificiale në Microsoft. Por puna me kompaninë e madhe amerikane nuk ka ardhur rastësisht, pasi pavarësisht moshës së re ajo ka një karrierë disa-vjeçare ndërkombëtare dhe është një shembull i suksesit për shumë të rinj, veçanërisht për vajzat që janë të interesuara për shkencën dhe teknologjinë.
Doçi është një shkencëtare dhe studiuese, me sfond ndërdisiplinor në bioteknologji, shëndetin e popullsisë dhe teknologjinë. Ajo është autore e botuar e artikujve të ndryshëm shkencorë, dhe bashkëautore e një libri mësimor universitar që diskuton epigjenetikën dhe implikimet e saj në shëndetin dhe mirëqenien.
Largimi nga Shqipëria
Në vitin 2008, pas përfundimit të shkollës së mesme, Doçi emigroi drejt Kanadasë për të vazhduar studimet e larta. Ajo u regjistrua në Universitetin e Windsorit, ku fitoi dy diploma – një në Shkenca Politike dhe një tjetër në Shkenca Biologjike dhe Bioteknologji. Ky angazhim ndërdisiplinor i lejoi asaj të zhvillonte një kuptim të thellë të lidhjeve ndërmjet teknologjisë dhe shëndetit. Më pas, ajo vijoi studimet master në Shkenca Ndërdisiplinore të Shëndetit në Universitetin e Otavës, ku vazhdon doktoratën e saj, duke u fokusuar në shëndetin e popullsisë dhe nevojat e shëndetit riprodhues të grave, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.

Pas kësaj eksperience, Doçi është një nga hulumtueset kryesore të inteligjencës artificiale në Microsoft, një pozicion që ka arritur pas një periudhe të gjatë punë kërkimore dhe akademike. Puna e saj është prezantuar në konferenca ndërkombëtare dhe është publikuar në revista të njohura shkencore. Ajo ka fituar bursa dhe çmime për punën e saj kërkimore dhe është njohur për angazhimin e saj në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies nëpërmjet teknologjisë dhe shkencës. Puna e saj në fushën e shëndetit riprodhues ka qenë e fokusuar në analizën e faktorëve që ndikojnë në vendimet e grave në Shqipëri dhe në vendet me të ardhura të ulëta, duke sjellë një perspektivë të vlefshme për politikat shëndetësore dhe ndërhyrjet ndërkombëtare.
Në një intervistë për emisionin “ABC e Mëngjesit“, Doçi tha “Është një arritje personale dhe profesionale. Në Shqipëri kam jetuar deri pas gjimnazit dhe i përkas brezit ku kompjuterët ishin luks në shkolla. Ne i mësuam produktet e Microsoft-it përmes dërrasave të zeza dhe për dikë si unë, që mësova në këtë mënyrë, është edhe më e veçantë – veçanërisht në një fushë si Inteligjenca Artificiale.”
Ajo është gjithashtu e angazhuar në mentorimin e vajzave duke ofruar mbështetje për programet që mundësojnë një hapësirë më të gjerë për femrat në teknologji dhe shkencë. Si koordinatore për “Science Rendezvous” dhe mentore për programet si Technovation dhe SheHacks, Doçi është një mbështetëse e fortë e mundësive për gratë dhe vajzat në fushat teknologjike dhe shkencore.
A do e sunndojnë robotët botën?
Në lidhje me pyetjen nëse robotët mund të rrezikojnë të sundojnë botën, Doçi ofron një perspektivë të matur dhe realiste. Ajo thekson se inteligjenca artificiale (AI) është një fushë në zhvillim të shpejtë, por shumë larg realitetit të përshkruar shpesh në filmat shkencorë, ku robotët e inteligjencës artificiale kontrollojnë gjithçka. “AI është gjithnjë e më shumë në zhvillim dhe gjithnjë e më shumë po formësohet. Di të them se ne si natyrë njerëzore gjithnjë i trembemi ndryshimeve, dhe sigurisht, kur jemi të përballur me frikën, ndodhin reaksione, qoftë individuale, qoftë shoqërore, që ndonjëherë bien ndesh me atë që është realiteti,” thotë ajo.
Sipas shqiptares, aktualisht inteligjenca artificiale është shumë larg mundësisë që robotët të marrin kontrollin e botës. Ajo thekson se megjithatë, ekzistojnë rreziqe të tjera që lidhen me aplikimin e teknologjisë së AI-it. Ndër këto rreziqe, ajo përmend: “Kemi parë shumë histori se si AI gabon, nuk është gjithmonë e saktë, nuk ka empati, nuk ka emocione, dhe mënyra se si interpreton fakte të ndryshme, fjali të ndryshme, thënie të ndryshme është ndikuar nga mungesa e aftësive që njeriu ka nga ana emotive.” Këto mangësi të AI-t mund të çojnë në probleme të tjera, si diskriminimi në nivel social dhe ekonomik, dhe është ky një aspekt që kërkon vëmendje të kujdesshme në zhvillimin e teknologjive të tilla.
Por përveçse kërkuese shkencore e punës me Microsoft, Doçi është dhe bashkëshorte dhe nënë e një fëmije. E pyetur se si ia del me të gjitha këto ajo duke qeshur u përgjigj se ia bën shpesh vetes këtë pyetje. Por shtoi: “Kam një familje të jashtëzakonshme që më mbështet në çcdo hap. Kam miq të mrekullueshëm që më qëndrojnë gjithnjë pranë dhe më ndihmojnë. Thonë që ‘duhet një fshat’ dhe unë kam një fshat shumë të madh”.



