Gjuha shqipe është një prej 33 gjuhëve të përdorura në aplikacionin e mesazheve të koduara “Matrix”, që rezulton të jetë më kompleks se “Sky ECC”. Këtë e ka konfirmuar dhe Europol, pas një operacioni të përbashkët mes Francës, Holandës, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë dhe Spanjës që çoi në zbërthimin e tij. Europol ka njoftuar të martën se ka zbuluar mbi 2 milionë mesazhe të shkëmbyera përmes këtij aplikacioni, që besohet se kryesisht i përkasin njerëzve të botës së krimit dhe këto biseda janë tashmë në duart e prokurorëve europianë të shteteve të përfshira në operacion. Por a do të vijnë këto biseda dhe në duart e prokurorëve shqiptarë?

Çfarë është Matrix?

“Matrix” është aplikacioni i pestë i deshifruar nga hetuesit e Europolit, pas “SkyECC”, “Encrochat”, “Exclu” dhe “Ghost”. Europol thotë se ky aplikacion ishte krijuar nga kriminelët për kriminelët për të qenë një mjet i sigurt mesazhesh të koduara mes tyre. Policët në Holandë e zbuluan ekzistencën e “Matrix”-it fillimisht ndërsa hetonin vrasjen e vitit 2021 të reporterit Peter de Vries, i cili po investigonte në atë kohë mafien marokene. Aplikacioni gjendej në telefonin e një të dënuari për vrasjen e gazetarit dhe tërhoqi vëmendjen e tyre.

Kur u zbulua se serverët qendrorë të aplikacionit ishin në Francë, hetuesit holandezë dhe francezë formuan një grup të përbashkët pune, duke marrë ndihmë dhe nga Gjermania, Italia, Lituania dhe Spanja dhe së bashku arritën të komprometonin sistemin e mesazheve dhe të lexonin bisedat e tyre. Se si u arrit ky infiltrim ende nuk është shpjeguar apo zbuluar publikisht.

Më kompleks dhe më superior se “Sky ECC”

Sipas Europolit, aplikacioni ishte dukshëm më i avancuar se “Sky ECC” dhe softuerët e tjerë të ngjashëm të bisedave. Kjo sepse përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm me ftesë dhe do të duhej të paguanin një shumë midis 1 mijë e 300 dhe 1 mijë e 600 euro për një abonim gjashtë mujor. “U bë shpejt e qartë se infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat.”- shpjegoi Europol të martën. “Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët”.

“Matrix” kishte sistemin e vet operativ dhe aplikacione të ndryshme për mesazhe të koduara, telefonata të sigurta, shkëmbime me video dhe zë, dhe shfletim anonim në internet. Platforma madje shfaqi një aplikacion për lojërat e fatit dhe monedhën e vet për pagesën e tarifave të abonimit. Aplikacioni u instalua kryesisht në telefonat “Google Pixel”.

Por baza e klientëve të “Sky ECC” ishte shumë herë më e madhe se ajo e “Matrix”. Që nga viti 2021, platforma e parë kishte më shumë se 70 mijë përdorues, duke përfshirë mbi 11 mijë në Holandë dhe 6 mijë të tjerë në Belgjikë. “Matrix” kishte rreth 8 mijë përdorues. Hetimet zbuluan se “Matrix” funksiononte përmes rreth 40 serverëve të shpërndarë në të gjithë Evropën. Në një operacion tre mujor, oficerët arritën të merrnin nga ato makineri 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë, ku kryesisht kishte diskutime rreth pastrimit të parave, pazareve të paligjshme të armëve dhe trafikut të drogës. Edhe Gjuha shqipe është një prej këtyre 33 gjuhëve të përdorura në aplikacionin e mesazheve të koduara “Matrix”. Këtë e ka konfirmuar dhe Europol, përmes një prononcimi për Voxnews.al.

Nuk është hera e parë

Kur policët europianë përmbysën sistemin e supozuar të sigurt të mesazheve “EncroChat” në vitin 2020, ata gjetën një mori të dhënash, duke përfshirë këtu dhe një analist të korruptuar të policisë britanike. Që atëherë, mesazhet e bllokuara kanë çuar në arrestimin e 6 mijë e 558 personave në mbarë botën dhe sekuestrimin e afro 740 milionë eurove. “EncroChat” kishte ofruar një platformë të sigurt dhe telefona të koduar për kriminelët kibernetikë. Një vit më vonë, radhën e pati sistemi i komunikimit “Sky ECC”. Më shumë se 100 persona u arrestuan në operacionin, i cili synonte autorët e krimeve të tilla si rrëmbime, të shtëna me armë dhe vrasje. Në shtator të këtij viti, e njëjta gjë ndodhi me sistemin e mesazheve “Ghost”, duke çuar në ekspozimin e më shumë kriminelëve para hetuesve.

“Peizazhi i komunikimit kriminal ka ndryshuar pas heqjes së Sky ECC, EncroChat, Exclu dhe Ghost“. – tha policia holandeze. “Kriminelët tani përdorin një numër më të madh ofruesish shërbimesh më të vogla dhe përdorin teknologji më komplekse.”

Me operacionin e fundit për “Matrix”, ka një të arrestuar në Francë dhe dy të tjerë u arrestuan në Spanjë pas një urdhër-arresti evropian nga Holanda si dhe u kontrolluan dhjetëra banesa të të dyshuarve në Holandë dhe Lituani. Serverët në Francë dhe Gjermani u hoqën. Përdoruesit u njoftuan për përgjimin nga autoritetet përmes një faqeje. Në Francë, një i dyshuar u arrestua dhe shtëpia e tij u kontrollua. Në Spanjë, dy të dyshuar u arrestuan dhe gjashtë shtëpi u kontrolluan. Gjashtë shtëpi u kontrolluan në Lituani. Sipas policisë holandeze, “Matrix” ishte në pronësi dhe menaxhohej nga Spanja nga i dyshuari kryesor: një burrë 52-vjeçar lituanez.

Nuredin Dumani kishte folur për “Matrix”

Ky aplikacion ishte përmendur më parë nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili pati deklaruar se përmes “Matrix”-it, kapot e bandave jepnin porositë e tyre për vrasje dhe drogë. Madje ai shprehej se edhe kreu i bandës së Elbasanit, Suel Çela, e kontaktonte nëpërmjet kësaj platforme, ku i jepte porositë e tij

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10