
Ku e gjen guximin Rama të linçojë qytetarët e republikës?! Përballë kryeministrisë prej një muaji protestuesit kërkojnë që të japë dorëheqjen, ndërsa ai e ka kthyer në personale duke u vënë secilit epitete apo edhe t’u bëjë biografinë. Faqen e Facebook-ut e ka mbushur me fotot të atyre që u kanë dalë kundër. Të parët që u ironizuan publikisht ishin blogerët. Në takime me socialistët në rrethe, i quajti blogerët edhe si shkak të protestave, pa gjetur dot argumentet që të justifikojë pakënaqësitë për abuzimet me pronat, akuza dhe vendosje nën hetim të ish-ministrave apo dhe zv.kryeministres Balluku.
“RRUMBULLAKTOROLLAK”, kryeministri Edi Rama etiketon me epitete protestuesit. Ai ka postuar adresën e Olti Rrumbullakut, konsulent, kodues dhe atlet i cili prej ditësh mbështet protestën. Rama i drejtohet me fjalët: “Djemtë e CHESTNUT HILL-it lart në Tropojë janë dy vëllezër flori, nga një familje e dinjitetshme në një nga majat e atyre maleve kreshnike, ku kanë ngritur një biznes familjar me stërmundim të madh, duke e kthyer shtëpinë e tyre në një destinacion turistik mbresëlënës.
“Akademiku” që i ka kërcënuar, se do t’u verë një yll në vlerësimin online, po u “morën me politikë në kohë krize” – pra po nuk u bashkuan në një mendje me të e me dështakët e tjerë lugëndryshkur, që kujtuan se u bë bulevardi kos – ka qenë zëvendës ministër në një prej qeverive socialiste dhe e vetmja gjë për të cilën u dallua, ishte se mbyllej nga brenda në zyrë e bënte rrumbullak gjumin e drekës. Tani ky “akademik” i larguar nga qeveria si i padobishëm për asgjë dhe që paska mbledhur tërë këto vite helmin e mediokrit hakmarrës, i tregon “delet e narkotrafikut” dy djemve që i japin ujë mali në bisht të lugës së ndryshkur, atij dhe tërë sallahanave të kombit, që u kapën rrumbullak pas qafës si flamingove si i mbyturi pas fijes së barit…”.
Një tjetër emër në tabelë qitje është moderatori Shpend Gashi. “Kur del nga kuvlia e Bufit dhe shtiresh si flamingo në një teatër maskash…”, shkruan Rama ndërsa e shoqëron me një video të montuar me batuat e Gashit.

Dritan Goxhaj para disa netësh lexoi në foltoren e protestës piketat me kushte për qeverinë. Pas kësaj Rama nisi sulmet ndaj tij duke shkruar: “Dje “Komandant” me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?” Postimin e shoqëroi me videon ku pretendohet se Goxhaj dhe i ati kanë qenë të paguar nga UÇK-ja.

“Vendi yt është në xhami”, i drejtohet Rama hoxhës, Mustafa Tërniqi. Ai thotë se Tërniqi duhet të jetë atje për të drejtuar lutjet, ndërsa i përmend edhe Kuranin. “Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen? Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën”. Më tej ai shkruan: “Dhe merr shembull nga urtësia e Komunitetit Musliman, paçka se nuk je as pjesë e tij, se s’po të them gjë për si e qysh u ndërtua asokohe xhamia jote.”

Aktivisti Klajdi Bello është quajtur nga Rama një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene. Pasi i citon edhe vargjet e Fishtës: “Po nuk ban hajër Shqipnija, n’se padija e krenija do të shkojnë njit si trupi e hija”.

Protestuesi që qëndroi gjithë natën në bulevard me bindjen për të ngritur zërin kundër qeverisë, Rama i dedikoi një postim të gjatë në rrjete sociale ku e nis me fjalët: “Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij. Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar”. Pasi i bën ftesë t’i bashkohet atij, Rama vijon: “Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje…”.

Nuk është lënë pa u komentuar dhe një nga protestuesit i cili ka ngritur çështjen çame. “Ky patriot i shtirur me emrin e Çamërisë dhe me atë zemër groteske në bluzën e porositur për këtë ditë të paharrueshme shërbimi ndaj atyre që e kanë urdhëruar të kapi mikrofonin, kërkon të përmbysë qeverinë e Shqipërisë dhe të shpëtojë atdheun e nxjerrë në shitje nga unë..”, kështu shprehet kryeministri, i cili vazhdon duke i bërë biografinë: “Ai ka qenë i dënuar në Belgjikë për trafik droge”.
Ironia nuk mungon as për imazhin e Shqipërisë së Re që kërkojnë protestuesit: “Këta janë fytyra e errësirës, prej ku ushqehet kjo shfaqje e Shqipërisë më të vjetër, që kujton se gjeti ilaçin magjik për t’u bërë Shqipëri e re”.

Prej 28 ditësh nën presion për të lënë detyrën, Rama ka fajësuar blogerët se po e përdorin këtë protestë, madje bashkë me ta përgjegjësinë ia kaloi Iranit dhe algoritmit.


