Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ku u stabilizua një mandat i tretë i Partisë Socialiste sollën një sërë termash të rinj në përdorimin publik por edhe qarkullimin e koncepteve të njohura.

Një nga to është termi “Stabilokraci”. Le t’u hedhim një sy këtyre përkufizimeve, të shoqëruara me konkretizime që lidhen me vendin.

1. “Stabilokracia” – Në fakt është një fjalë e sajuar që do të tregojë “modelin stabël të një autokracie”. Një “autokraci” që lejon, shtyp dhe e kontrollon (luan me demokracinë) atë, që lejon demokracinë. Liderë të tillë thyejnë rregulla demokracie për hatër të stabilitetit. “Stabilokracia” ka dhënë dhe nuk ka dhënë frute dhe është si të thuash një “gati-demokraci” që vonon, vonon dhe ka lodhur së tepërmi shoqëritë dhe njerëzit.  Stabiliteti në fakt është një qëllim i pëlqyer në gjeopolitikë, ku vende të fuqishme janë më të interesuara për stabilitetin e vendeve të caktuara gjë që do garantonte zhvillimin e interesave të të mëdhenjve, se sa për demokracinë e këtyre vendeve.

2. Lobimi është një formë e përfaqësimit të interesave në politikë  dhe shoqëri. Nëpërmjet lobimit grupet e interesave përpiqen, mbi të gjitha me anë të lidhjeve personale në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, të ndikojnë në politikë. Përveç kësaj ata ndikojnë në mendimin publik përmes punëve publike. Kjo ndodh përgjithësisht me anë të masmediave. Një formë e lobimit së fundmi në Shqipëri është edhe ndikimi që operatorë të caktuar duan të arrijnë sa i përket fiskalizimit. (Lexo për më shumë)

https://hashtag.al/index.php/2021/07/07/drejtuesi-i-dev-al-shpjegon-devpos-sistemin-online-te-fiskalizimit-qe-lehteson-burokracite/ )

3. Imazhi dhe Perceptimi – Pamje, figurë a shëmbëlltyrë e një njeriu, e një sendi, e një dukurie etj., që riprodhohet në mendjen tonë në bazë të perceptimeve dhe të përshtypjeve të mëparshme pa qenë aty vetë ky njeri, ky send, kjo dukuri etj.; përfytyrim a riprodhim besnik ose shumë i përafërt i dikujt a i diçkaje; pamje që na sjell diçka parasysh; pamje, figurë që mishëron diçka. Mendimi a përfytyrimi që krijohet për dikë a për diçka: imazhi i Shqipërisë në botë, imazhi i politikanëve te ne etj. Përceptimi ka të bëjë me pasqyrimin e dukurive në vetëdijen e njeriut kur i përceptojmë; formë e njohjes shqisore të botës; aftësia e përceptimit. Mënyra se si dikush e percepton diçka; përceptim i drejtë ose i gabuar. Perceptimi që kemi patur për shembull mbi rezultatet e mundshme zgjedhore apo perceptimi që kemi mbi të ardhmen e vendit.

4. Fakti –  Ngjarje a veprim që ka ndodhur në të vërtetë; diçka që ekziston objektivisht e realisht, diçka që është e vërtetë. Dëshmi a diçka tjetër që njihet e pranohet si e vërtetë dhe shërben për të argumentuar, për të provuar a për të kundërshtuar një mendim, një tezë etj. ose për të arritur një përfundim.

5. Lajmi dhe informacioni – Njoftime për ngjarje të rëndësishme të ditës, që japin gazetat, radioja, televizioni, mediet sociale etj. Lajme të brendshme (të jashtme). Lajme politike (ekonomike, kulturore). Lajmet e fundit. Informacioni është lënda e parë e lajmit. Njoftim që marrim për diçka, të dhëna për gjendjen e punëve në një fushë të caktuar, për veprimtarinë e dikujt, për një ngjarje etj. Veprimtari që synon të marrë e të japë njoftime e të dhëna për dikë a për diçka. Një nga lajmet e fundit lidhet me variantin e ri “Delta” të virusit ndërsa të dhënat mbi të kanë qenë lënda e parë e këtij lajmi.

6. Komunikimi Politik – Komunikim politik është i rëndësishëm në cdo demokraci në të cilën qytetarët zgjedhin përmes votës së tij përfaqësuesin dhe automatikisht në këtë mënyrë edhe partinë politike që i përfaqëson. Në mënyrë që demokracia të funksionojë, komunikimi mes politikës dhe medias duhet të jetë i frytshëm në të gjitha sferat.

7. Marrëdhëniet me Publikun – Marrëdhëniet me publikun synojnë të përhapin informacion mes një individi, organizate politike dhe publikut, si aktor kyç. Sigurisht që mbetet i pranishëm krijimi i  një imazhi të caktuar mbi një organizatë politike e lidhur kjo nga njëra anë me imazhin e organizatës politike dhe nga ana tjetër më imazhin e vetë politikanit. Çështja e “Coca-Cola”-s dhe Ronaldos mbetet një nga rastet e fundit për të cilën ka nevojë për marrëdhënie me publikun dhe strategji komunikimi, si në rastin që kjo situatë ka qenë zgjedhje e vetëdijshme e kompanisë e strategëve, ashtu edhe nëse ka qenë një incident që kërkon menaxhim krize. (Lexo për më shumë)

8. Interesi Publik – Përkufizohet si “e mira e përbashkët”. Interesi publik është ajo që është e rëndësishme për të gjithë në shoqëri. Pra e mira e përbashkët, mirëqenia e sigurisë dhe mirëqenia e të gjithëve në një bashkësi. Interesi publik në Shqipëri presupozohet që të jetë ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me qëllim që vota e qytetarëve të lexohet ashtu sic është hedhur në të vërtetë.

9. Thing Tank ose institut politikash – Është një institut kërkimor që kryen kërkime dhe avokime në lidhje me tema të tilla si politika sociale, strategjia politike, ekonomia, ushtria, teknologjia dhe kultura. Shumica e grupeve të mendimit janë organizata joqeveritare por disa janë agjenci gjysmë-autonome brenda qeverisë ose janë të lidhura me parti ose biznese të veçanta politike. Në Shqipëri kemi në mënyrë sporadike shpërfaqjen e iniciativave të tilla por jo aq të zhvilluara sa i shohim jashtë.

Leave a Reply

  • (not be published)