
Ndërsa në pjesën e parë të këtij fjalorthi sollëm koncepte më të përgjithshme si propaganda, opinioni publik, turmat, liderët e opinionit etj., në këtë pjesë të dytë do të përqëndrohemi në një fushë, pa të cilën politika e sotme nuk bën dot: mediat sociale dhe teknologjia.
Një dokumentar interesant, që merr përsipër të shpjegojë në vetëm 1 orë e 34 minuta se si na përdorin ne rrjetet sociale, është publikuar së fundmi, i quajtur “Dilema Sociale” me regji të Jeff Orlowskit.
Në të analizohet me shumë kujdes se si polarizimi politik i ideve dhe i mesazheve në mediet sociale mund të nxisë edhe protesta apo mund të manipulojë zgjedhjet e kontrollojë vende.
Dokumentari sjell mesazhin kryesor, i cili ka të bëjë me atë që nëse nuk po paguan për produktin (pra për t’u futur në rrjetin social apo për ta përdorur atë) atëherë ti je produkti (rrjetet sociale shesin te kompanitë që blejnë hapësirat e reklamave në rrjete, pikërisht vëmendjen tonë dhe parashikimin se si mund të ndryshojmë apo të modelohemi ne në të ardhmen nga ta). Kjo situatë e re kërkon ndërhyrje ligjore.
Pra, teknologjia që na lidh ne, edhe na ndan, edhe na kontrollon, edhe na manipulon, edhe na shpërqendron, edhe na polarizon, edhe na kthen në para’ për kompanitë që kanë krijuar këto platforma.
Mediet sociale punojnë me ne në tre dimensione: aktivizimin (vëmendja, aktivizimi në rrjet, të qenurit reagues, p.sh duke përdorur butonin “Like”, “Tag” apo “Comment”), dimensionin e rritjes (duke shtuar miqtë tanë në profil) dhe dimensionin e reklamës (studimi i sjelljes, personalitetit, psikologjisë së gjithsecilit për t’i shitur sekonda reklamë, për të cilat mediat sociale paguhen nga kompanitë e biznesit apo politika).
Duke u qëndruar besnikë koncepteve dhe termave të dokumentarit le të sjellim edhe njëherë shpjegimet, për të ditur në çfarë mënyre mund të bashkëpunojnë edhe politikanët me këto kompani për të ndikuar te vota dhe pëlqyeshmëria ndaj tyre.
1.Media sociale (Social Media)
Janë website apo aplikacione që ju mundësojnë përdoruesve të krijojnë dhe ndajnë përmbajtje apo të marrin pjesë në rrjete sociale.
Ajo që ka ndryshuar është se nga një mjedis me bazë mjetet (kompjuterat), kemi kaluar në një mjedis me bazë joshjen dhe ky është ndryshimi. Pra, media sociale nuk është një mjet që po pret që ne ta përdorim, ajo ka qëllimin dhe mjetet e veta në joshjen ndaj nesh duke përdorur psikologjinë kundër nesh: fiksimin mbi teknologjinë. Pra media sociale është “drogë”, fuqi dhe influencë.
2.Kapitalizmi Mbikëqyrës (Surveillance Capitalism)
Kapitalizmi që ofron modele biznesi ku reklamat janë të suksesshme dhe modelet ofrojnë saktësi dhe parashikime të mëdha, teksa nevojiten shumë të dhëna.
Kapitalizmi pra, përfiton nga të dhënat e gjithsecilit kudo ku shkon, të marra nga kompanitë e teknologjisë, modeli i të cilave është që të sigurohen që reklamuesit të jenë sa më shumë të suksesshëm. Një lloj i ri tregu që nuk ka ekzistuar më parë, i cili tregton ekskluzivisht të ardhmen e njerëzve, duke përdorur vëzhgimin dhe mbikëqyrjen.
3.Manipulimi (Manipulation)
Kemi krijuar një kulturë ku lidhja online është parësore, sidomos për të rinjtë dhe në këtë botë sa herë dy njerëz lidhen, kjo formë financohet nga një person i tretë që hyn fshehurazi, i cili paguan që të manipulojë këta dy persona.
Pra, qëllimi i vërtetë i komunikimit dhe i kulturës është bërë manipulimi. Këtu përdoret vulnerabiliteti i mendjes sonë, çdo gjë që na bind ne dhe ata dinë rreth psikologjisë sonë është brenda teknologjisë që ne përdorim (teknologjia bindëse, që na manipulon, lundrimi në këto medie apo Tag-imi i miqve në foto, apo Emoji për ata që përtojnë të shkruajnë, apo faqja që ka gjithnjë informacion për të na mbajtur aty).
Pra, në thelb ne manipulohemi për të fituar zakone që as i kuptojmë se i kemi fituar, p.sh shikimi disa herë i telefonit se mos kemi një njoftim (notification) apo ankthi që ndjejmë po të jemi pa telefon, apo dalja ne protesta. Këtë e bëjnë inxhinierët që hakojnë psikologjinë e njerëzve (Growth Hacking) me taktika të rritjes (Growth Tactics) me qëllim që ne të ftojmë më shumë njerëz e të angazhoheni më shumë.
Përdoruesit janë në këtë mënyrë as më shumë e as më pak se “minj laboratori”.
P.sh “Facebook”-u realizoi eksperimente se si të nxiste sa më shumë njerëz që të votonin në zgjedhje. Ekspertët zbuluan se ishin në gjendje ta bënin këtë gjë. Ata mund të ndikonin te sjellja e njerëzve realë dhe te emocionet e tyre, pa u rënë në sy atyre. Përdoruesit që ndikohen nuk kuptojnë asgjë. Motorët e Inteligjencës Artificiale (Artificial Inteligence Engines) përdoren për të na manipuluar sa më shpejt të jetë e mundur që të na kthejnë pas dopaminën.
4.Polarizimi politik (Political Polarization)
Një fjalë kyçe në “Google” të jep përcaktime specifike sipas profilit (interesave të tua) dhe vendodhjes tënde. Por ne kemi perceptimin e gabuar se të gjthë bien dakord me ne sepse në faqen kryesore të medias ku jemi kushdo duket si ne.
Por e vërteta është se përdoruesit e tjerë nuk shohin të njëjtin informacion si ti. Këtu ndodh polarizimi politik, ndarja. Algoritmat rrisin polarizimin në shoqëri dhe nga ana tjetër janë ekstremisht shumë eficientë të mbajnë njerëzit online.
Algoritmat do të bindin nesër se diçka është false. Ka grupe si “Pizzagate”, ata që besojnë se toka është e sheshtë, grupet anti-vaksinë etj etj, ku mesazhe të caktuara funksionojnë.
Lajmi i rremë përhapet 6 herë më shpejtë se lajmi i saktë. Lajmet e rreme bëjnë më shumë para, sepse e vërteta është e mërzitshme. Përça dhe sundo mbetet efektive.
Media sociale amplifikon thashethemet dhe teoritë konspirative sa ne nuk e dimë më se çfarë është e vërtetë.
Është një model biznesi i disinformimit (disinformation age, fake news) për përfitim. Pra, bën më shumë para duke lejuar mesazhe të parregullta të arrijnë këdo, duke bërë që vetë këto kompani teknologjike të paguhen për çmimin më të mirë.
Mendojini rrjetet sociale në duart e diktatorëve. Nëse doni të kontrolloni popullsinë, nuk ka mjet më efektiv se “Facebook”-u; një rrugë e re e manipulimit të opinionit publik, me shpejtësi ekstreme dhe me pak para.
Nëse dua të manipuloj zgjedhjet mund të shkoj në FB dhe të gjej 100 njerëz që besojnë se toka është komplet e sheshtë dhe që është konspiracion që kemi shkuar në hënë dhe mund t’i them “Facebook” më jep 1 mijë përdorues që duken kështu, “Facebook” m’i jep. Ata mund t’i mbush me më shumë teori konspiracioni.
Algoritmat dhe politikanët manipulativë po bëhen aq ekspertë në mësimin se si mund të na kontrollojnë ne, duke krijuar lajme të rreme që ne i thithim si me qenë realiteti, duke na bërë konfuzë, duke humbur kontrollin tonë te ajo që jemi dhe besojmë.
Mendoni një botë ku askush nuk beson asgjë. Demokracia kalon në krizë duke pësuar një sulm global ndaj saj. Liderë apo politikanë duan të destabilizojnë vende të caktuara nëpërmjet rrjeteve sociale. Fushata pra, që fuqizohen nga mediat sociale. Sepse media sociale i ka mjetet e destabilizimit të shoqërisë.
Një vend mund të manipulojë një tjetër pa pushtim të kufijve fizikë. Mund të sjellë kaos dhe ndarje totale duke krijuar dy grupe që nuk e dëgjojnë më njëri-tjetrin më. Pasoja? Hakimi i zgjedhjeve (election hacking).
Shah mat mbi njerëzimin që sjell polarizim, polarizim politik, radikalizim, vanitet etj.

5. Monetizim (Monetisation)
Si e gjithë platforma kthehet në para, duhet të bëjmë para’ dhe ky model reklamash është mbase rruga më elegante, duke shitur përdoruesit (vëmendjen e tyre dhe parashikimin që kemi mbi sjelljet dhe veprimet e tyre).
Nëse nuk po paguan për produktin, atëherë ti je produkti (po të shesin ty). Është ndryshimi gradual, i lehtë, i pakapshëm në sjelljen dhe perceptimin tënd që është produkti. Me këtë kompanitë teknologjike bëjnë para, duke ndryshuar atë që ti bën.
Mediat sociale do jenë gjithnjë në luftë për vëmendjen tënde, duke luftuar për mundësitë e reklamave virtuale (Virtual Ads), reklamat që na dalin teksa përdorim mediet sociale.
6.Privatësia (Privacy)
Çdo gjë që bën online vëzhgohet (duke përdorur dhe GPS-in psh), matet, regjistrohet me saktësi. Për shembull dihet me saktësi se çfarë imazhi je duke parë në këtë moment dhe sa sekonda po e sheh. Platformat e dinë kur njerëzit janë vetëm, kur janë të mërzitur, kur shohin foto të ish-partnerëve, çfarë bëjnë natën, nëse janë ekstrovertë apo introvertë, çfarë personaliteti kanë etj.
Të gjitha këto ndihmojnë që këto kompani të bëjnë parashikime më të sakta rreth sjelljeve dhe të ardhmes sonë, me koston e cënimit të privatësisë. Në fakt nga këto platforma nuk shiten të dhënat tona por ato përdoren. Të dhënat regjistrohen në sisteme ku nuk ka supervizim njerëzor.
Më këto të dhëna ata ngrenë modele që parashikojnë veprimet tona dhe kushdo që ka modelin më të mirë fiton. Ne na ofrojnë videot që na tërheqin, imazhet që na mbërthejnë, me qëllim që të na mbajnë të lidhur me platformat për të bërë të klikojmë reklamat.
7.Algoritmat (Algorithms)
Puna e tyre është të kuptojnë se çfarë duhet t’u tregojnë juve me qëllim që të rrisin angazhimin tuaj në rrjete sociale, që ju të ftoni miq të tjerë (duke përdorur Wave-in psh) dhe që në fund t’u shesin reklamat. Pra, ata përcaktojnë se çfarë postimi dhe në çfarë kohe mund ta nxisë këtë gjë te ju.
8.Dizenjimi etik (Ethical design)
Dizenjimi etik mbi produktet e kompanive të teknologjisë. P.sh kujdesi për njoftimet (notification) që njerëzit të mos të preken në jetën e tyre të përditshme.
Nëse po bëjnë një reklamë konsumi, të kujdesen që ne të qëndrojmë të shëndetshëm fizikisht dhe psikologjikisht.
Studimet kanë treguar se është kthyer në shqetësim ajo që quhet Snapchat Dysmorphia, që do të thotë se të rinjtë kërkojnë operacione që të ngjajnë me Selfie-t me filtra në “Snapchat”.
9. Kërcënimi ekzistencial
Nuk është teknologjia kërcënimi ekzistencial por aftësia e teknologjisë për të nxjerrë më të keqen e shoqërisë dhe më e keqja e shoqërisë është rreziku ekzistencial.
Platformat duhet të jenë të përgjegjshme kur bëjnë reklama për zgjedhjet elektorale, që të mbrojnë zgjedhjet. Duhet të mbrojnë konsumatorin kur bëjnë reklama komerciale.
Ekspertët i frikësohen luftës civile. Frikës për mbijetesë apo zënies në kurth nga ky model biznesi.
Për këtë duhen Ligje për Privatësinë Digjitale (ashtu siç ka për kompanitë telefonike). T’i taksosh këto kompani mbi të dhënat sensitive që mbledhin në gjithë botën dhe ku prevalon interesi i përdoruesve.
Si të dalim nga ky rrezik? Vullneti i përbashkët, reformimi. Edhe nxjerrja si të jashtëligjshëm, po qe nevoja.
Çfarë të bëjmë për t’u mbrojtur nga ky rrezik? Ekspertët e dokumentarit “Dilema sociale “(“The social dilemma”) sugjerojnë:
- Çaktivizo njoftimet (Off notification)
- Mos përdor “Google” por “Qwant” që nuk magazinon historinë e kërkimit
- Mos prano asnjëherë një video rekomanduar për ty në “YouTube”, gjithmonë zgjidh
- Para se të ndash (Share), kontrollo faktet (Fact Checking), konsidero burimin, kujdes postimet që ju ndikojnë emocionalisht
- Ti voton me klikun. Vlerësoje klikun
- Zgjeroje rrethin e miqve që mendojnë ndryshe nga ty. Ekspozohu ndaj mendimeve të ndryshme.
- Fëmijët nuk duhet të përdorin media sociale. Ky duhet të jetë rregull.
- Asnjë media sociale deri 16 vjeç. Sa më lart në moshë aq më mirë. Vendos kohën e kufizuar për rrjetet.
- Fshi profilet nëse mundesh. Dil jashtë sistemit.