Shkencëtarja e njohur Jane Goodall dha një intervistë të regjistruar për Netflix “Jane Goodall: Famous Last Words”, me qëllimin që të transmetohej pas vdekjes së saj. Në këtë bisedë të fundit, ajo tregon mbi jetën, punën dhe trashëgiminë që donte të linte pas, duke ndarë mendime shumë personale për natyrën, njerëzimin dhe kuptimin e ekzistencës.

Jane Goodall ishte një nga figurat më të rëndësishme në shkencën e sjelljes së kafshëve, e njohur globalisht për studimin e saj revolucionar mbi shimpanzetë në Gombe, Tanzani. Ajo tregoi për herë të parë se shimpanzetë përdorin vegla, kanë emocione dhe struktura sociale komplekse, duke sfiduar bindjen se këto tipare i përkisnin vetëm njerëzve. Për më shumë se gjashtë dekada, ajo udhëhoqi studimin më të gjatë të vazhdueshëm në botë mbi një specie të egër dhe u kthye në një nga zërat më të fortë për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Përmes programit “Roots & Shoots”, ajo frymëzoi të rinjtë në mbi 70 vende të botës të angazhohen për mjedisin dhe komunitetin.

Në këtë intervistë të fundit, ajo rikthehet tek fillimet e saj duke folur për nënën dhe ndikimin e saj. Ajo kujtonte se kur ishte fëmijë dhe shfaqte kuriozitet për botën, në vend që të ndalohej, ajo dëgjohej me vëmendje. “Nëna ime më tha: nëse vërtet do të bësh diçka, do të duhet të punosh shumë dhe të mos dorëzohesh kurrë.” Ajo tregoi gjithashtu një moment kur si fëmijë u zhduk për orë të tëra duke vëzhguar natyrën dhe në vend që të qortohej, nëna e saj e dëgjoi me vëmendje. Për të, kjo ishte themeli i mendjes së saj shkencore: “Ajo nuk e vrau kurrë kuriozitetin tim,” shprehet Goodall.

Në intervistë, ajo ka folur gjatë për shimpanzetë, të cilat i shihte si individë të plotë me emocione dhe jetë familjare. Ajo ishte e para që u dha emra në vend të numrave. Një nga historitë më të dhimbshme ishte ajo e Flo dhe djalit të saj Flint. Ajo e përshkruante momentin kur Flint kuptoi vdekjen e nënës së tij:
“Ishte sikur diçka në të u fik… ajo nuk do të lëvizë më. Ai e kuptoi se ajo nuk do të kthehej më dhe nuk ishte më e njëjta pas kësaj.” Për të, kjo ishte dëshmi se emocionet si dashuria dhe dhimbja janë të pranishme edhe tek kafshët.

Një pjesë shumë emocionale e intervistës ishte marrëdhënia me djalin e saj, Grub. Ajo tregoi se si puna e kishte larguar shpesh nga ai, por theksoi dashurinë e saj të pandryshuar. “Unë bëra më të mirën për ty. Jam krenare për atë që je bërë. Shpresoj që e kupton që të kam dashur gjithmonë, edhe kur nuk kam qenë pranë.” Këto ishin fjalët që ajo i drejton të birit në intervistë.

Kur fliste për besimin dhe jetën shpirtërore, Goodall nuk e përkufizonte veten brenda një feje tradicionale, por besonte në një fuqi më të madhe. “Unë besoj në një fuqi të madhe shpirtërore. Duhet të besoj, sepse më ka ndihmuar shpesh. Kam ndjerë praninë e atyre që kam humbur. Nuk mund ta shpjegoj, por e kam ndjerë,” shprehet ajo në një tjetër moment emocional për të. Ajo fliste gjithashtu për idenë e vazhdimësisë së ndërgjegjes dhe thoshte: “Disa përvoja më bëjnë të besoj se ka diçka përtej kësaj jete.”

Në jetën e saj personale, ajo ishte martuar dy herë. Me Baron Hugo van Lawick me të cilin pati edhe djalin e saj, dhe më pas me Derek Bryceson. Ajo pranoi hapur vështirësitë e këtyre marrëdhënieve. Duke u shprehur, “Isha e dashuruar në atë kohë, por nuk ishte mjaftueshëm për ta mbajtur martesën gjallë. Karriera ime ishte gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime, dhe kjo nuk ishte e lehtë për ata që ishin pranë meje.”

Në fund të intervistës së saj Jane Goodall dha edhe një mesazh i cili më shumë se një mesazh është një thirrje për të kuptuar se çdo njeri ka rëndësi dhe çdo veprim, sado i vogël, ndikon në botën që po ndërtojmë. Sipas saj nuk duhet të humbasim shpresën, sepse vetëm përmes saj mund të veprojmë për të mbrojtur natyrën dhe të ardhmen e brezave që vijnë, jemi pjesë e natyrës dhe se zgjedhjet tona të përditshme janë ato që përcaktojnë jo vetëm fatin e planetit, por edhe trashëgiminë që lëmë pas “çdo ditë që jetoni, ju bëni një ndryshim në botë,” shprehet Goodall.

Jane Goodall vdiq në gjumë nga arresti kardiak ndërsa po qëndronte në shtëpinë e një miku në Beverly Hills, Kaliforni, më 1 tetor 2025, në moshën 91 vjeç. Atë kohë ajo kishte qenë në një turne me ligjërata në Shtetet e Bashkuara.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11