Po të të ketë mbetur hapur celulari te videoja e Dubait dhe të të ketë ndaluar njësoj siç e shikon në imazhet më poshtë nuk ka sesi mos të të vijë në mendje fraza e njohur e George Orwellit: “Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

Në tavolinë shohim një biznesmen, z. Samir Manen, të cilit i është dhënë së fundmi leja për resortin e dytë në një nga zonat perlë të Shqipërisë dhe bashkë me të shohim edhe ministrat Arben Ahmetaj e Belinda Balluku. Po shohim dhe Arbjan Maznikun e biletave të hotelit në Barcelonë e në të djathtë të tij drejtorin e strategjive komunikative të Kryeministrisë që si çuditshëm ka marrë me vete në këtë takim edhe bashkëshorten, vizitë që vetë ata e komentuan si në kërkim të investimeve nga grupi “Emaar” duke u gostitur sipas tyre nga drejtuesi i kompanisë që nuk ishte në tavolinë.

Kjo foto është personifikimi më i përkryer i “Fermës së Kafshëve” sepse edhe pse të gjitha kafshët janë të barabarta, disa janë edhe më të barabarta se të tjerat.

Darka e qeveritarëve dhe biznesmenit të favorizuar në Dubai

Po pse i referohemi ne Orwellit kur shohim këtë foto? Çfarë ta trazon stomakun kur sheh imazhe të tilla?

Në veprën e tij, një nga më të mprehtat e alegorisë politike, disa kafshë u ngritën në kryengritje për të shtypur sistemin ku gjendeshin por u shndërruan në shtypësit e rinj që e çuan gjendjen në nivelin e asaj që kishin kundërshtuar.

A ju kujtohet opozita e Partisë Socialiste? Se si ata nuk do ishin si qeverisja e Berishës? Se si ata “nuk do vidhnin në mënyrë kaq flagrante” sa të mëparshmit, se si nuk do lejonin oligarkë, se si pushtetet do ishin të ndara, se si do bëhej drejtësi, se si do të ngrinin ekonominë, se si do të hapnin 300 mijë vende pune, se si do integronin Shqipërinë në Bashkimin Europian, se si nuk do bënin pushime jashtë shtetit teksa takimet formale u shndërruan në pushime të rëndomta familjarje me tavolina mishi para, se si në thelb qeverisja socialiste bëri të kundërtën e asaj që tha se do bënte, në emër të së cilës kërkoi pushtetin?!

Mesazhi kryesor i videos që tregonte bashkim, tryezë plot e momente të shpenguara në Dubai nuk qe tronditja nga kostot stratosferike të ushqimit në raport me pagën minimale në Shqipëri por është simbolika flagrante e asaj që kishin premtuar socialistët se nuk do të bënin; një fermë kafshësh orwelliane në Shqipëri, ku derrat u bënë më të pasur dhe ndryshuan rrugës rregullat e lojës.

Natyrisht që një dorë të madhe trazimit tonë i ka dhënë edhe një video e pak ditëve më parë të kryeministrit Edi Rama, teksa joshte me gota vere e batuta eksponentë të partive rivale.

Ferma shqiptare

Po të kthehemi te “Ferma e Kafshëve” të Orwellit e t’u futesh analogjive, i gjen me lopatë.

Kafshët rebelohen te Orwelli, ndërsa i drejton dhe i iluminon derri. Për ta armiku është njeriu, i cili duhet larguar nga skena sepse vetëm kështu merr fund uria dhe puna rraskapitëse. Duke e hequr qafe atë, te ferma orwelliane mundi i djersës së kafshëve do të bëhet i tyre, ata do të jenë të lirë dhe të pasur, drejtësia do të bëhet!

A ju kujtohet si “armiku” ishte Berisha në ditët opozitare socialiste?! Se si Rama premtonte se do rikthente shpresën, të ardhmen, zhvillimin?!

Sepse nën drejtimin e z.Xhounz kafshët nuk po ndjeheshin të lira në fermë, ato po shtypeshin, derisa kryengritja e tyre triumfon, pas përpjekjeve të dështuara të tij për të përdorur dhe armën. Në fakt, z.Xhounz u përzu dhe “Ferma e Sarajeve” u shndërrua në atë që u quajt “Ferma e Kafshëve”, teksa u flakën prangat e tiranisë dhe simbolet e tiranit (kupto njeriut, z.Xhounz). Dhe ndodhi shumë shpejt, vetëm pas një dite të shijimit të lirisë nga kryengritja e fituar që ishte pikërisht koha që të ishin derrat ata që do të rregullonin sistemin dhe do të menaxhonin pushtetin.

Derrat te ferma orwelliane ishin ata që mendonin dhe kishin përgjegjësi të mëdha në raport me kafshët e tjera dhe nisën të vendosnin 7 urdhërimet, të cilat kohë më pas u sakatuan duke pësuar ndryshime të vogla në dukje por që përmbysnin thelbin e tyre.

Qumështi i mjelë u zhduk, ndërsa njëri prej derrave që mendonte e kishte përgjegjësi tha me zë të lartë se kësaj pune i gjendet ana.

A gjeni ndonjë ngjashmëri me degdisjen e pasurisë së përbashkët?! Me gjetjen e anës së Teatrit Kombëtar për shembull?!

Po Orwelli flet edhe për Mbledhjen e kafshëve, një formë parlamenti njerëzish, ndërsa në rrëfimin e tij kafshët e pazbutura nuk u zbutën kurrë në fermë.

Të vetmit që u transformuan qenë derrat. Sepse derrat mësuan shkrim e këndim nga abetarja e armikut- njeriut.  7 urdhërimet nisën të ndryshonin me transformimin që derrat pësuan.

Urdhërimet te “Ferma e Kafshëve” dhe si u transformua kryesori

Kjo ndodhi kur frutat, edhe pse kafshët pandehën se do ndaheshin në mënyrë të barabartë, filluan t’i merrnin pikërisht ata, derrat.

A ju vinë në kujtesë skenat se si u favorizuan një pjesë e biznesmenëve mbi shqiptarët dhe se si disa biznesmenë mbi biznesmenët e tjerë me koncesionet?!

Arsyetimi i derrave te Ferma e Orwellit? Frutat na duhen për shëndetin se mendojmë shumë sepse drejtimi dhe organizimi i fermës varet nga ne, natë e ditë ruajmë mirëqënien tuaj (Kujto fjalimet e Ramës; Mendojmë për ju, jemi këtu për t’u ruajtur nga armiku i padukshëm, po mos na keni ne kthehet Berisha, ne jemi më të mirë se Berisha).

Një prej kryederrave, Napoloni korri sukses me votat që mori nga delet, ndërsa këlyshët e qenve që kishte rritur në fshehtësi me qumështin që zhdukej në fermë dëbuan kundërshtarin, kryederrin tjetër; Topin e Borës. Dhe në këtë fazë brenda fermës orwelliane ka lëvizje, njerëzit që janë armiqtë e kafshëve duan ta sulmojnë fermën duke u rrezikuar pushtetin kafshëve. Ndërkohë derrat që drejtonin u komunikonin kafshëve të tjera mesazhe të tipit “Mos mendoni se udhëheqja është kënaqësi”. “Ndjehem vetëm në zyrë…”, ju thotë gjë?

Por Napoloni ndryshon politikat e nis tregti me fermat fqinje deri në atë pikë sa nis marrëdhëniet me njerëzit edhe pse thuhej “Dy këmbë keq, katër këmbë mirë”.

Derri Napolon dhe derrat e tjerë nisën të jetonin në shtëpi, të hanin ushqim shtëpie dhe të flinin në shtrat me presionin e përhershëm ndaj kafshëve: Nuk doni kthimin e z.Xhounz apo jo?! (Kujdes! Frikë! Berisha!)

Kështu te ferma orwelliane po shkohej drejt tiranisë dhe të gjitha urdhërimet nisën të binin që te ai se asnjë kafshë s’duhet të vrasë një tjetër. Urdhërimet e reja interpretoheshin me hile duke përdorur teknika manipulative. Urdhërimi “asnjë kafshë s’duhet të vrasë një tjetër” ishte kthyer në  “asnjë kafshë s’duhet të vrasë një tjetër pa shkak” apo “asnjë kafshë s’duhet të flejë në shtrat” ishte shndërruar në  “asnjë kafshë s’duhet të flejë në shtrat me çarçafë” si dhe “asnjë kafshë s’duhet të pijë alkool” ishte tranformuar në “asnjë kafshë s’duhet të pijë alkool pa masë”.

Adhurimi për Napolonin po arrinte kulmin, derri i Orwellit shihej si “Ati i të gjitha kafshëve”. “Babai i kombit”, “Lideri i Ballkanit”, “Shpëtuesi”, “Skënderbeu” ju thonë gjë?!

Luksi që dikur Topi i Borës brenda fermës orwelliane i kishte mësuar kafshët të ëndërronin, stallat me drita elektrike me ujë të ftohtë e të ngrohtë si dhe java me tri ditë punë nuk ziheshin më në gojë. Napoloni i kish denoncuar se binin ndesh me frymën e Animalizmit, thoshte se lumturia e vërtetë qëndron në të punuarin fort dhe duke bërë një jetë me kursim.

Derrat dhe qentë u bënë më të pasur.

Sokëllitësi, një derr tjetër i rëndësishëm nisi të ecë me dy këmbët e pasme dhe më pas gjithë derrat e tjerë dhe delet ia dhanë këngës: “Katër këmbë mirë, dy këmbë më mirë!” duke ndryshuar urdhërimin: nga “Të gjitha kafshët janë të barabarta” në “Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa janë më të barabarta se të tjerat”.

Pinin me llullë, visheshin si njerëz, pinin alkool, lexonin si njerëzit.

Ky transformim i llahtarshëm i uli derrat në tavolinë. I bëri të flasin e punojnë me armiqtë e dikurshëm- njerëzit, “Fermës së Kafshëve” iu rikthye emri për të cilin ishte realizuar kryengritje dikur, u riquajt “Ferma me Saraje”.

Fytyrat e derrave te ferma e Orwellit nisën të shëmbëllenin me atë të njerëzve. Armiqve, në emër të luftës ndaj të cilëve derrat kishin ardhur në pushtet.

Haka e policëve barkderra

Intervistat e Ramës si disident e elitar janë zeruar me videon ku i lutej Nasip Naços të pinte ndonjë gotë verë e t’i bashkohej PS-së, imazhi si krijuesi i muzeut të dhuratave elitare është sfumuar sepse kryeministri i stilit dhe elegancës që është serviruar gjithë këto vite mediatikisht është degraduar në një njeri mesatar që pi e bën gallata me video të regjistruara e ku negocion me ish-ministra të LSI-së, të cilën për hir të së vërtetës e telendis nga mëngjesi deri në darkë por së cilës kërkon t’i rrëmbejë personazhe,  njësoj si kërkesa për tepsinë e timonin në zgjedhjet për mandatin e dytë.

Edi Rama duke pirë e duke joshur Nasip Naçon për ta marrë në parti. Bashkë me të Lefter Koka- aksion i mbyllur me sukses nga Rama pas largimit të tij nga LSI-ja dhe Damian Gjiknuri, eksperti i zgjedhjeve, ish-ministri i përmendur në përgjimet e Dibrës për shitblerje votash

Por më shumë se të gjitha ka rënë miti i “luftës së Ramës ndaj policëve barkderra” sepse në fund të 8 viteve nuk dihet sa bark kanë vënë vetë ata që morën përsipër të luftonin barkderrizmin.

S’është delirizëm të thuash se shqiptarët e Shqipërisë kanë votuar gjithnjë për të ndëshkuar ose shpërblyer qeverinë në pushtet. Kështu ka ndodhur me qeveritë e Sali Berishës, kështu ndodhi dhe me Fatos Nanon.

Përveç viteve të para të ndërrimit të sistemit alternativat e partive rivale s’kanë patur forcë për arsye e rrethana të ndryshme për të ndryshuar historinë në krahasim me mbushjen e kupës dhuruar shqiptarëve nga qeveritë në pushtet.

Rama kërkon një mandat të tretë përballë mundësisë për rotacion.

A apo B? B apo A?

A është trashur zullumi aty ku s’mban më?!


Shënim: Orwelli e shkroi veprën për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin. Vepra nuk u botua fillimisht duke ndeshur në censurë, teksa botues të ndryshëm kritikonin krahasimin e drejtuesve me derrat. Imazhi kryesor i shkrimit simbolizon fabulën e veprës “Ferma e Kafshëve”. Derrat të transformuar me kostume janë ulur në tavolinë teksa konsumojnë alkool, fjalosen me njëri-tjetrin e komunikojnë me armiqtë e dikurshëm e miqtë e sotëm; njerëzit.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

One Comment to: “Ferma e Kafshëve” zhvendosur në Dubai

  1. Rilindje

    January 30th, 2021

    Nje gazetare e shkelqyer …Nje portal me piazza Up…Rastesisht nje i njohur ma rekomandoi.Shkrime dhe analiza me nivel ,si ky shkrim per tavolinen ku derrat shqyejne Shqiperine.Suksese dhe keshtu vazhdoni

    Reply

Leave a Reply

  • (not be published)