
Pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, “MCN TV” zbuloi se qeveria kishte shpërndarë 40 milionë euro në fshehtësi për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, në javën e fundit para zgjedhjeve.
Paratë u shpërndanë në qetësi në Durrës, Shijak, Kamzë, Vorë, Rrogozhinë, Kavajë, Mirditë, Lezhë dhe në të gjitha zonat e tjera të prekura nga tërmeti.

Ky qe një fakt tërësisht i ri sa i përket favorizimit elektoral, ndërsa publiku qe mësuar, teksa mediet e kishin trajtuar gjerësisht, vetëm me formën e avantazhit elektoral që krijonte promovimi i shtëpive të ndërtuara gjatë fushatës në televizione, ku kryeministri i Shqipërisë Edi Rama apo kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj jepnin çelësa shtëpish të reja.
Por lajmi zmadhohet edhe më, sidomos në kontekstin e kritikave të ashpra që qeveria Rama mori kohë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për mosrealizimin e rindërtimit pas tërmetit.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë transferuar drejt bashkive për tërmetin rreth 69.1 Milion Euro.
Të dhënat e analizuara nga Open Data Albania tregojnë se jo vetëm janë shpërndarë para fshehtas vetëm pak ditë para se shqiptarët të votonin për qeverinë e re por njëkohësisht që vetëm pas dy vitesh nga tragjedia, qeveria Rama që ishte në kërkim të një mandati të tretë, të cilin e fitoi, ka menduar të “lirojë qesen” e t’u japë bashkive që kanë menaxhuar paratë e individëve që ishin dhe votues më 25 prill, rreth 124.44 Milion Euro.
Në katër muajt e parë të këtij viti qeveria Rama ka shpenzuar nga fondi i rindërtimit 56% të totalit të rindërtimit, ndërsa shpenzimet më të mëdha brenda kësaj përqindjeje i ka kryer gjatë fushatës zgjedhore, plot 30%.
Rritjen më të lartë sipas analizës së Open Data Albania e kanë bashkitë Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Kamëz dhe rekordin e mbajnë bashki si Vora (549%); Kurbini (340%); Tirana (250%) apo Shijaku (228%).

Çfarë ndryshoi te qeveria 4 muajt e fundit para zgjedhjeve? Po gjatë fushatës çfarë ndryshoi që qeveria u mobilizua të shpërndante më shumë para? Si ndryshoi një qeverisje që një vit më parë kritikohej nga një organizëm ndërkombëtar për paaftësi në realizimin e rindërtimit?!

Një hulumtim i detajuar i Hashtag.al tregon se Partia Socialiste ka siguruar një numër më të madh votash se Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim në zonat e dëmtuara nga tërmeti, megjithëse ka pësuar një rënie në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës. Rënien më të thellë PS-ja e ka patur në Krujë me -8.65% të votave, ndërsa rritjen më të madhe PS-ja e ka patur në Vorë me +24.28%.
Rastësi?! A nuk është Vora një nga bashkitë ku paratë e shpenzuara për tërmetin kanë patur një rritje prej 549%? A rezulton Kruja një nga bashkitë më të lëna pas dore në dëshirën për të shpenzuar gjatë këtyre muajve?!
Po të gërmosh në tabelat e Hashtag.al mund të nxjerrësh të dhëna të tjera interesante por pyetja thelbësore mbetet se sa e madhe mund të qe gropa e rënies në vota për Partinë Socialiste te zonat e tërmetit po të mos kishte shpenzuar para zgjedhjeve 124.44 milion Euro?!