
Një projekt luksoz ndërtimi i planifikuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump nxit protesta kundër korrupsionit.
Nga Isaac Stanley-Becker
Në verën e vitit 2021, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, po lundronin në Mesdhe me një jaht, kur u ndalën për t’u larë në brigjet e Adriatikut. Ata notuan drejt një ishulli dhe e përshkuan atë zbathur, mes terrenit kodrinor e të ashpër. ‘Pothuajse kështu e zbuluam’, do të tregonte më vonë vajza e madhe e ish-presidentit.
Ishulli shqiptar mbi të cilin ranë në mënyrë të papritur trashëgimtarët e familjes Trump, si të ishte Robinson Crusoe, quhet Sazan, dikur vendndodhja e një baze ushtarake tepër sekrete. Sazani nuk është një territor i pazbuluar për shqiptarët; është ishulli më i madh i vendit të tyre. Meqenëse mbeti i pabashkuar me banorë për shumë vite, bimësia e egër dhe fauna lulëzuan, duke e kthyer atë në një rezervat natyror mjaft të çmuar. Për fatin e mirë të çiftit Trump, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ftuar në të njëjtin jaht gjatë një prej netëve që ata ndodheshin në bord.
Tre vjet më vonë dhe rreth dy muaj pas rizgjedhjes së Donald Trump në vitin 2024, një komitet investimesh i udhëhequr nga Rama dha miratimin paraprak për planet e çiftit për ta kthyer ishullin në një resort ultra-luksoz. Ky projekt shtrihet edhe në një sipërfaqe toke ngjitur me një lagunë bregdetare, e cila shërben si një habitat kyç për flamingot, breshkat e detit dhe specie të tjera.Partnerët e çiftit në këtë sipërmarrje përfshijnë dy vëllezër nga Katari , të cilët kanë financuar projekte të nivelit super-luksoz në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore , si dhe një konglomerat shqiptar me aktivitete në energji, ndërtim, infrastrukturë, sigurime dhe turizëm.Në një intervistë të fundit në podcast, Ivanka Trump e përshkroi projektin si “kulminacionin e të gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, të gjitha udhëtimeve të mia dhe një reflektim të thellë mbi mënyrën se si dua të jetoj e se si mendoj që njerëzit po kërkojnë gjithnjë e më shumë të jetojnë.”
Mirëpo, shumë shqiptarë i shohin gjërat krejt ndryshe. Qindra mijëra persona u janë bashkuar protestave të përditshme kundër këtyre planeve, në një prej mobilizimeve më të mëdha shoqërore në vend që nga rënia e regjimit komunist 35 vjet më parë. Kryengritja, e pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, e merr emrin nga shpendët e egër që riprodhohen në këtë habitat ligatinor. Protestuesit mbajnë në duar flamingo me ajër si dhe pankarta me vizatime.
Trazirave nuk u mungon asgjë: akuza për krim të organizuar dhe trafik droge, pretendime të kundërta për ndikim të huaj, si dhe një dalje episodike nga Kanye West. Për pjesëmarrësit me të cilët bisedova, protestat janë pasojë e frustrimit të akumuluar me politikanët shqiptarë, të cilët dështuan t’i sigurojnë vendit një bazë të fortë ekonomike.”Mund ta interpretosh si një demonstratë anti-Trump, në kuptimin që i kundërvihet një sistemi të ngjashëm me atë të Trump-it që shohim këtu,” më tha Fatos Lubonja, shkrimtari dhe disidenti që vuajti dënimin me burg gjatë diktatutës komuniste në Shqipëri: “vendime qeveritare të marra në fshehtësi, në dobi të një pakice, të nxitura nga paraja që lidhen me oligarkët.”
“Bukuria e atij peizazhi që zbuloi vajza e presidentit amerikan i përket të gjithë shqiptarëve’,” tha Lubonja. Ai parafrazoi Dostojevskin: “Dhe bukuria do ta shpëtojë botën.” Por Rama, një ish-artist profesionist, nuk do t’ia dijë për këto. “Mund të më japin leksione për shumë gjëra për ekonominë, për çështjet ligjore, për bujqësinë, për kujdesin shëndetësor,” tha ai në një intervistë të fundit. “Por është një gjë për të cilën askush nuk mund të më japë leksione: bukuria.”
Revolucioni i Flamingove duket, me shikim të parë, si më i pazakonti ndër protestat anti-Trump. Shqipëria, një komb me më pak se 3 milionë banorë, është një nga vendet më pro-amerikane në botë dhe ka qenë e tillë që kur Shtetet e Bashkuara u dolën kundër copëtimit të saj që në vitin 1920. Më vonë, Uashingtoni mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 dhe ka garantuar sigurinë e saj në një rajon historikisht të paqëndrueshëm, që shpesh njihet si fuçia e barutit e Evropës.
Gjatë 18 muajve që kur Trump u rikthye në pushtet, kam udhëtuar gjerësisht në vendet evropiane që kanë disa nga lidhjet më të forta të pasluftës me SHBA-në, përfshirë Britaninë, Gjermaninë dhe Danimarkën. Një nga pyetjet që dëgjoj më shpesh është se pse amerikanët që i kundërvihen Trump-it nuk po organizojnë demonstrata më të mëdha dhe më të qëndrueshme kundër tij. Kjo pyetje lind veçanërisht kur i pyes diplomatët evropianë se pse udhëheqësit e vendeve të tyre nuk i kundërvihen më me forcë një presidenti amerikan që i fyen ata dhe ushqen idenë e aneksimit të territorit të tyre. Ata m’a kthejnë pyetjen mbrapsht, duke më pyetur: Pse nuk po ngrihen vetë amerikanët ? Mijëra e miliona njerëz kanë marshuar në protestat “Pa Mbretër” (No Kings); mobilizimi i pranverës ishte një nga protestat më të mëdha njëditore në historinë amerikane. Sidoqoftë, thelbi i pyetjes mbetet. Trump fitoi të paktën 2.2 miliardë dollarë gjatë vitit të tij të parë pas rikthimit në detyrë, ndërkohë që rritja e pagave u ngadalësua. Ai po ndjek një luftë jopopullore, të paautorizuar nga Kongresi dhe të pasanksionuar nga e drejta ndërkombëtare. Madje edhe evropianët pro-amerikanë duan të dinë: Pse njerëzit nuk janë në rrugë çdo ditë?

Në Shqipëri, një vend i vogël në Peninsulën e Ballkanit në Evropë, ata po ngrihen. Sot shënohet dita e 54-t radhazi e protestave të nxitura nga projekti i zhvillimit të familjes Trump. Pak kush do ta kishte menduar Shqipërinë si qendrën e opozitës ndërkombëtare anti-Trump. Por një vështrim i shkurtër në historinë e saj të afërt tregon se kjo nuk është aq e pazakontë sa duket.
Shqipëria dikur ishte një nga vendet më të izoluara në Evropë. Ajo u sundua, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1985, nga një diktator komunist mizor dhe paranojak, Enver Hoxha, frika e të cilit nga një pushtim i huaj nxiti ndërtimin e rreth 173,000 bunkerëve. Shqipëria fitoi nofkën “Korea e Veriut e Evropës”. Shteti komunist u rrëzua në vitin 1991, dhe opozita anti-komuniste erdhi në pushtet në zgjedhjet parlamentare një vit më pas. Por tranzicioni drejt ekonomisë së tregut nuk ishte i lehtë. Privatizimi i rrufejshem nën një sistem të njohur si “terapia e shokut” shkatërroi industritë vendase dhe solli papunësi masive. Në vitin 1997, kolapsi i skemave gjigante piramidale të mbështetura nga shteti fshiu kursimet e jetës për rreth dy të tretat e shqiptarëve. Që atëherë, një grup i vogël politikanësh ka garuar për kontrollin e vendit.
Për shkak të kësaj përvoje të afërt, popullsia është mjaft e ndjeshme ndaj shenjave të autokracisë, më tha Dana Fisher, një sociologe në American University e cila ka studiuar demografinë e protestave “No Kings” në SHBA. Njohja me diçka mund të lindë vetëkënaqësi e pasivitet. Por në këtë rast, po frymëzon një rezistencë të ashpër.
Familja Trump e nxiti kryengritjen, por shënjestra e protestave është Rama. Udhëheqësi i Partisë Socialiste të vendit, Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, kur Shqipëria po oratej ende për të hequr qafe identitetin e saj izolues. Shqipëria u bë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian vitin pasues. Rama dikur ishte një kritik i ashpër i Trump-it, i cili e priti mundësinë e nominimit të biznesmenit në vitin 2016 me deklaratën: “Ruajna Zot!”. Ai parashikonte dëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjithë “botën demokratike”.
Sot Rama është shumë më mbështetës. Ai përshëndeti “fitoren e jashtëzakonshme” të Trump-it në vitin 2024 dhe, një vit më vonë, i bëri jehonë deklaratave të presidentit mbi providencën hyjnore, duke shtuar: “Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi atë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është se Ai e shpëtoi Trump-in edhe për ta zgjuar Evropën që të mbledhë veten.” Rama është një nga udhëheqësit evropianë që pranoi ftesën për t’u bërë pjesë e Bordi i Paqes që kryesohet nga Trump.
Në nivel vendor, ai ka kërkuar ta përmirësojë ekonominë shqiptare përmes ngritjes së industrisë së mikpritjes. Ai deklaroi për The Guardian vitin e kaluar: “Ne kemi nevojë për turizmin e luksit ashtu siç ka nevojë shkretëtira për ujë.” Kjo është plotësisht në linjë me ambiciet e Kushner-it. “Isha shumë, shumë i përshtypur nga vizioni i tij për atë që do të bënte me Shqipërinë,” u shpreh dhëndri i Trump-it gjatë një konference investimesh. Kushner vazhdoi: “Realisht nuk dita asgjë për atë vend. Nuk e kuptoja historinë, errësirën e historisë me komunizmin, dhe se si ajo udhëheqje e tmerrshme në fakt e la atë krejtësisht të pazhviluar si komb.”
Kjo nuk është përpjekja e parë e Kushner-it për zhvillime luksoze në Ballkan. Dhjetorin e kaluar, ai u terhoq nga planet për të ndërtuar një Trump Tower në Beograd, në vendndodhjen e ish-ministrisë jugosllave të mbrojtjes, e cila u bombardua nga NATO në vitin 1999. Firma e tij e investimeve u tërhoq nga projekti vetëm pak orë pasi prokurorët e krimit të organizuar të atij vendi morën të pandehur ministrin e kulturës për falsifikim të dyshuar dokumentesh me qëllim heqjen e statusit të trashëgimisë kulturore për ndërtesën. Kompania nxori një deklaratë ku thuhej se planet nuk do të vazhdonin, sepse “projektet me peshë duhet të bashkojnë e jo të ndajnë”.
Në Shqipëri, njerëzit e përfshirë në projektin e resortit pretendojnë se ndërtimi nuk ka filluar ende, edhe pse aktivistët e mjedisit thonë se rrethimet janë vendosur, pemët janë prerë dhe dunat e rërës janë rrafshuar. Vendi ndryshoi rregulloret mjedisore në vitin 2024, duke i hap rrugë zhvillimit përmes heqjes së ndalimit të ndërtimeve në zonat ekologjike të mbrojtura. Ky hap nxiti një paralajmërim nga Parlamenti Evropian lidhur me respektimin e standardeve mjedisore si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në bllok. Zyra e Ramës nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por Asher Abehsera, një nga partnerët e çiftit Trump në këtë sipërmarrje, më tha në një deklaratë: “Synimi ynë është i thjeshtë: të lartësojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë.” Ai shtoi: “E ardhmja e tij në fund do të përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar.”
Demonstratat në shkallë të gjerë nisën në Shqipëri në fund të muajit maj, pasi në rrjet qarkulloi një video ku rojet e një kompanie private sigurie goditën me grushte dhe tërhoqën zvarrë një protestues përgjatë plazhit në Zvërnec, enklava bregdetare ku është planifikuar një pjesë e projektit të familjes Trump. “Kjo ishte pika e kthesës,” më tha Ditmir Bushati, një ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë. “Nisi si një mosmarrëveshje për qasjen në det dhe natyrë, dhe brenda pak ditësh u shndërrua në një protestë mbi atë se kush duhet të vendosë për të ardhmen e vendit.”
Mijëra njerëz u mobilizuan në Tiranë, kryeqytet, me pankarta ku shkruhej se kombi NUK ËSHTË NË SHITJE dhe duke deklaruar: NUK E DUA SHQIPËRINË SI DUBAIN. Rama gjithashtu mbajti qëndrim të prerë, duke nxjerrë një deklaratë ku thuhej: “Nuk ka absolutisht asnjë shans që investimi të ndalet për sa kohë që unë jam këtu.”
Teksa protestat rriteshin, ato u kthyen në një platformë për spekulime të shfrenuara dhe teori konspirative. Disa protestues panë paralelizma me mbështetjen e Kushner-it për projektin e propozuar të “Rivierës së Gazës”, duke pasur frikë se toka shqiptare do të përdorej për të risistemuar palestinezët. Më tej akoma, komentuesit në rrjet e quajtën projektin “një tjetër ishull të Epstein-it”.
Një tjetër polemikë e veçantë, mbi planet e mbështetura nga qeveria për një koncert të Kanye West jashtë Tiranës, iu shtua pakënaqësive. Vëmendja erdhi nga të gjitha krahët ideologjikë. Senatori Bernie Sanders i përshëndeti protestat si një mospërmbajtje ndaj “oligarkisë globale”. Alex Jones, teorikanti i krahut të djathtë të konspiracioneve, u shpreh me entuziazëm për një “luftë civile” të afërt.
Kryeministri pretendoi se protestat ishin marrë peng nga aktorë të huaj, duke fajësuar “urrejtësit e Trump-it” si dhe “armiqtë e Izraelit dhe Shqipërisë”. Shqipëria, ku rreth gjysma e popullsisë është myslimane, ka lidhje të forta me Izraelin të rrënjosura në mirëbesimin historik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e udhëhequr nga kodi antik i nderit i quajtur Besa (që fjalë për fjalë do të thotë “të mbash fjalën e dhënë”), strehuan mijëra refugjatë çifutë; ishte i vetmi vend evropian që kishte më shumë banorë çifutë pas Holokaustit sesa përpara tij.
Në këtë shekull, Shqipëria e bëri veten shënjestër të regjimit iranian kur ra dakord, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe OKB-së në vitin 2013, të strehonte anëtarët në mërgim të grupit disident Mujahedin-e-Khalq (MEK). Në vitin 2022, Shqipëria dëboi diplomatët iranianë pasi arriti në përfundimin se Teherani qëndronte pas një vale sulmesh kibernetike ndaj institucioneve qeveritare dhe infrastrukturës kritike. Javët e fundit, Rama ka akuzuar Iranin për zhvillimin e një “lufte hibride” përmes shpërndarjes së dezinformatave rreth projektit dhe ndezjes së opozitës kundër planeve të qeverisë së tij. Irani i ka mohuar këto akuza.
Protestuesit duken të vendosur të provojnë se kjo kryengritje është autentike dhe autoktone. Bushati, ish-ministri i jashtëm, i ka vlerësuar protestat si “investimi më i mirë në imazhin tonë si popull dhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”. Ai tha se deri në 200,000 njerëz u mobilizuan gjatë fundjavës së 4 Korrikut dhe i hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaja. “Irani ka zero ndikim në Shqipëri,” tha ai. “Ky është një vend që jeton i lumtur në orbitën e SHBA-së.”
Ndikimi iranian vështirë se duket i nevojshëm për të destabilizuar planet e resortit. Toka mbi të cilën është planifikuar një pjesë e projektit është me pronësi të kontestuar. Sazani, ishulli, është në pronësi të shtetit, kështu që në fund do të nevojitej një kontratë qiraje; konsorciumi i lidhur me Trump-in aktualisht gëzon statusin si “investitor strategjik”, i cili ndihmon në përshpejtimin e lejeve dhe negociatave për një marrëveshje afatgjatë.
Toka bregdetare në Zvërnec, nga ana tjetër, është private. Subjekte të lidhura me çiftit Trump e blenë atë nga një biznesmen me bazë në Miami, Artur Shehu, i cili këmbëngul se e drejta e familjes së tij mbi atë tokë daton që nga kohët osmane. Banorët vendas në Zvërnec argumentojnë se ata janë pronarët e ligjshëm. Është një situatë e ndërlikuar sepse toka u sekuestrua nga shteti gjatë periudhës komuniste; kur pronat iu rikthyen privatëve në vitet 1990, pronësia shpesh shoqërohej me kontestime.
Saga u bë dukshëm më dramatike këtë verë, kur një agjenci shqiptare e përkushtuar ndaj luftës kundër krimeve financiare, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), deklaroi se po hetonte nëse Shehu kishte falsifikuar dokumentet e pronësisë. Zbulimi nëse ai ka titull të ligjshëm mbi tokën është vetëm një pjesë e një heqimi më të gjerë nga agjencia mbi pretendimet se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij kishin trafikuar kokainë në portet evropiane dhe më pas kishin pastruar paratë përmes projekteve të pasurive të paluajtshme.
Një mesazh i dërguar në një numër të lidhur me Shehun mbeti pa përgjigje; avokati i tij i mohoi akuzat për Reuters. Çifti Trump dhe partnerët e tyre në këtë sipërmarrje nuk akuzohen për shkelje. Një zëdhënës i sipërmarrjes u shpreh: “Sistemi ligjor shqiptar është vendi i duhur për zgjidhjen e pyetjeve mbi pronësinë e tokës dhe integritetin e transaksioneve të mëparshme. Ne e respektojmë atë proces dhe, si gjithmonë, do të bashkëpunojmë me çdo proces ligjor sipas kërkesave.”
“Revolucioni i Flamingove” pasqyron pakënaqësinë me institucionet demokratike të Shqipërisë 35 vjet pas rënies së komunizmit. Megjithatë, mobilizimi popullor, i kombinuar me hetimin anti-korrupsion që kërkon të vërtetojë disa nga pretendimet e tij kryesore, është dëshmi e pjekurisë demokratike. Shoqëria shqiptare ka zhvilluar antitrupa ndaj shenjave të kapjes së shtetit.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e The Atlantic


