
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka denoncuar situatën në kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës. Ajo ka akuzuar kryeministren Giogia Meloni për shkeljen e të drejtave të njeriut në kamp: “Asnjë e drejtë e njeriut nuk është e negociueshme: jemi në Shqipëri, papritur po ecim në Gjadër, në qendrën ku Meloni sheh një “model” dhe është një hapësirë për shkeljen e të drejtave të njeriut”.
Në një video pranë kampit ajo thotë se aty jetohet në kushte çnjerëzore. Sipas Guardës aty ka patur tentiva për vetëvrasje. “Ka njerëz që deri para pak ditësh punonin, bënin një jetë normale dhe tani duhet të presin kushte çnjerëzore, për kthim në shtëpi. Ajo që ndodh në këto vende nuk del në faqet e lajmeve, njerëzit që tentojnë vetëvrasjen këtu brenda mbeten numra dhe ne nuk i dëgjojmë dot, ata mbeten të mbyllur”, shprehet Guarda.
Lexo edhe: https://gogo.al/pas-gjadrit-parashikohen-edhe-20-qendra-pritese-per-refugjatet-nga-siria-gaza-e-libani/
Eurodeputetja shpreh keqardhjen duke bërë të ditur se “90% e tyre kishin të drejtë të qëndronin në Itali. 90%”, tha ajo duke shtuar se “Ata janë njerëz që donin vetëm një mundësi, një jetë me dinjitet”. Guarda ngre zërin kundër kampit në Gjadër duke e quajtur një model çnjerëzor. “Modeli i Shqipërisë” nuk ekziston, është model çnjerëzor, dhe ne po e financojmë atë në kurriz të qenieve të tjera njerëzore”, thotë ajo.


