
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Njësinë 5, deputeti socialist Erion Braçe ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke sfiduar vendimin e Edi Ramës dhe strukturave të Partisë Socialiste, që kanë përzgjedhur si kandidate zyrtare Ogerta Manastirliu për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Gjatë mbledhjes ku ai ka bërë deklaratën e tij ishin të pranishëm edhe Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj. Takimi ishte një takim i karakterizuar nga tensione dhe debate të forta, ku anëtarët shprehën pakënaqësi mbi mënyrën se si janë menaxhuar punësimet dhe vlerësimi i kontributeve brenda partisë. Në fund të mbledhjes, Braçe mori fjalën edhe deklaroi kandidaturën e tij të pavarur për kryebashkiak të qytetit të Tiranës.
“Siç e patë edhe vetë, kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Problemet e socialistëve nuk po marrin zgjidhje dhe kërkohet një organizim tjetër. Në këto kushte, unë do të kërkoj mbështetjen e socialistëve në të gjithë Tiranën. Nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS-së, do të hyj në garë si kandidat i pavarur për kryetar bashkie,” u shpreh Braçe.

Ky qëndrim ka surprizuar pjesëmarrësit në sallë dhe ka lënë pa fjalë drejtuesit e lartë të partisë, duke sinjalizuar kështu një përçarje të mundshme në radhët e socialistëve. Ditë më parë, Rama ishte takuar me strukturat e Njësisë 2, duke konfirmuar publikisht se Manastirliu është zgjedhja zyrtare e PS-së për Tiranën. Përplasjet në PS nuk janë të reja, ditët e fundit ka pasur tensione edhe në Grupin Parlamentar të PS-së, ku janë evidentuar qëndrime kundërshtuese ndaj vendimeve të kryetarit të partisë.


