
Erald Kapri është një nga deputetët e rinj që do të nisë ligjërimin në shtator në Kuvendin e Shqipërisë. Nga radhët e partisë “Mundësia”, parti që nxori 2 deputetë me 50 mijë vota në total, zgjedhja e Kaprit erdhi e papritur, kur askush nuk e priste.
Në një bisedë në Gogo.al Kapri tregon se si dhe deputetë e ish-deputetë nga Partia Demokratike kanë dashur të kandidojnë për ta.
“…ne nuk e ushqyem këtë lloj skizme e quaj unë, madje duke refuzuar edhe shumë personazhe brenda PD-së që dinin të vinin te ne. Deputetë e ish-deputetë.”, rrëfen Kapri, duke saktësuar se bëhet fjalë edhe për ndonjë që është akoma në PD, megjithëse nuk dëshiron të japë emra.
“Donin të vinin kandidatë që mbetën jashtë listave të PD-së apo që s’ishin shumë të sigurtë deri në vendmarrjen e Berishës?”, u pyet Kapri.
Teksa ai u përgjigj: “Të gjithë nga pak. Edhe personazhe të njohura, njerëz me kontribute në PD, që mund të shikonin që karriera e tyre mund të ishte në rrezik dhe donin ta provonin me një forcë tjetër duke menduar se kishin një mbështetje lokale elektorale. Ne i refuzuam, jo vetëm këta, por këdo që na vinte te partia e na thoshte që kam 500 vota ose 1000 vota. Këto lloj tipash ne nuk i kemi qasur, në asnjë rast dhe rezultoi që kishim të drejtë. Nuk e sulmuan kurrë PD-në publikisht, nuk u morëm me të, u morëm me projektin tonë politik, ndërkohë që PD-ja çfarë s’ bëri kundra nesh.”
Kapri foli në Gogo.al edhe për RTSH-në si dhe akuzat për blerje hapësire televizive në mediat private. Një bisedë edhe për jetën e tij dhe për Mbretin Zog, për të cilin ka botuar një libër.
Pjesë nga biseda në Gogo.al:
Erald Kapri: Mendojmë që tani ka nisur puna. Që një forcë e re me ambicie të shikohet me mjaft vëmendje nga votuesit, veçanërisht nga ata 50 000 që na kanë votuar. Sepse ne kemi bërë edhe një analizë për të parë se kush janë votuest tanë.
Valmora Gogo: Cilët janë?
Erald Kapri: Tipike nga shtesa e mesme, njerëz që ia kanë dalë vetë, që nuk presin gjë nga qeveria, biznesi dhe të rinj. Në çdo qendër qyteti ne jemi forcë e tretë që kemi marrë deri në 9% të votave. 10% të votave dhe në Tiranë sasinë më të madhe të votave e kemi marrë të Njësia 5.
Valmora Gogo: Te bastioni historik i socialistëve.
Erald Kapri: Po edhe i socialistëve. Pra kemi marrë majtas dhe djathtas, pra një forcë tipike urbane. Pra nëse në bashkinë e Tiranës kemi marrë 2000 vota, Kavajë, Rrogozhinë, Vorë, Kamëz bashkë, 4000 vota. Atje kemi marrë 1.5-2%, këtu shkon deri në 7-8 % në kuptimin se në qytet nisin zhvillimet e mëdha, nga qyteti nis, nuk nis nga fshati, që do shtrihemi më tej dhe projekti ynë politik do ketë një të ardhme dhe veçanërisht për pozicionimin tonë dhe për ato që ne i kemi si ideologji dhe si vizion politik dhe shpresoj edhe unë këtu do mbahem edhe atje në parlament dhe e ndiej që nuk do jem shumë komod.
Valmora Gogo: Kam një pyetje, meqënëse fole për elektoratin. I keni marrë PD-së?
Erald Kapri: U kemi marrë të gjithëve, por përgjithësisht po, mund të quhet që kemi marrë vota djathtas, patjetër. Po duhet të kemi një gjë parasysh sepse bëhet shpesh ky diskutimi që përçatë PD-në, i prishët punë opozitës. Ne kemi marrë votat tona. Nëqoftëse nuk do ishim ne, të jesh e bindur se ato vota nuk do shkonin kurrë te PD-ja për një arsye se ata janë zhgënjyer me PD-në. Kanë arsyet e tyre, kështu që ne kemi marrë një votë opozitare. Po të mos ishim ne ose do shkonin diku tjetër, ose nuk do votonin fare. Kështu që i kemi bërë shërbim opozitës edhe me dy mandate plus.
Valmora Gogo: Do i kthehemi prapë politikës se natyrisht nuk mund ta shmangim, por po e bëj tani pyetjen që kam ndër mend në fakt se më vjen nga ky diskurs që ti po shtron. U duk sikur Berisha tentoi t’ju tërhiqte gjatë fushatës, t’ju provokonte që “I kam shtrirë dorën Shehajt për bashkëpunim”,
Erald Kapri: Edhe na kanë sulmuar. Fort madje.
Valmora Gogo: Edhe ju kanë sulmuar. U duk qartë për ne që i ndiqnim ato zhvillimet e fushatës, u duk sikur e kishte pak frikën e votave që do kalonin tek ju. Është se fakti që bëhet një zhvillim i tillë, një deklaratë e tillë gjatë fushatës …
Erald Kapri: Ke shumë të drejtë, por kjo pastaj u shoqërua edhe me sulme të forta. Madje edhe para mbylljes së datës zyrtare të datës së regjistrimit. Tani çështja është në rast se u bë Kodi Zgjedor, u bë në formë të tillë për të shkrirë ose shkatërruar çdo iniciativë të re politike. Dhe një rast që u mbyllën listat me 1/3 ishtë projekti i PD-së, fatkeqësisht. Së dyti edhe gjatë kësaj periudhës para zgjedhjeve nuk ka patur kurrë një ftesë serioze për të diskutuar për një lloj bashkëpunimi paraelektoral, asnjëherë ose ndonjë telefonatë miqësore me ndonjë personazh brenda PD-së që ruajmë kontakte, por kurrë diçka zyrtare dhe serioze për të diskutuar se si mund të bëhet. E para mënyra si u bë Kodi ne duhet të shkrinim identitetin tonë, kjo është e vështirë se në fund të fundit ti duhet të matesh se sa forca ke. Te PD-ja ke nja 3-4 kryetarë partish të tjera që u bënë 5 palë zgjedhjesh që nuk e dinë se sa vota kanë se bëhen gjithmonë deputetë me listat e PD-së, apo jo? Zoti Mediu, zoti Dule, ka qenë zoti Duka por që kësaj radhe u tërhoq dhe nuk e dimë sa vota kanë republikanët apo partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut. Kanë 3 ose 4 mandate që zgjidhen nga lista e partive të mëdha.
Valmora Gogo: Nuk mund të asimiloheshit brenda PD-së, s’ka sens edhe sikur të ishte bërë një ofertë e tillë…
Erald Kapri: Ti tenton t’i tregosh edhe sa vlen politikisht se këtë vetëm vota e tregon. Kështu e bënë Kodin, Pastaj edhe gjatë fushatës, po ta vësh re ne kemi qenë neutralë, shumë neutral. E vuanim edhe ne këtë pjesën kur na thonin që jeni një projekt politik që po ju mbështet mazhoranca që të përçani PD-në. Ishte krejt pa sens.
Valmora Gogo: E bënin gjatë fushatës apo gjithë kohës?
Erald Kapri: Gjithë kohës. Të majtë e të djathtë e, s’ka rëndësi dhe ne nuk e ushqyem këtë lloj skizme e quaj unë, madje duke refuzuar edhe shumë personazhe brenda PD-së që donin të vinin te ne. Deputetë e ish-deputetë.
Valmora Gogo: Donin? Cilët ishin këta?
Erald Kapri: Nuk po përmend emra se nuk është shumë korrekte.
Valmora Gogo: Kishte?
Erald Kapri: Po shumë, patjetër. Madje edhe ndonjë që është akoma.
Valmora Gogo: Po çfarë i ndaloi?
Erald Kapri: Nuk kishim një projekt për të përçarë PD-në. Se duket sikur po i merrnim ndonjë deputet PD-së ta vinim te listat tona dhe po i merrnim vota PD-së. Ne e dinim që kishim votat tona dhe e denim të bënim diçka tjetër e jo të dukej si ndonjë çështje pazari kjo gjë. Nuk mund të dukej në këtë lloj forme.
Valmora Gogo: Donin të vinin kandidatë që mbetën jashtë listave të PD-së apo që s’ishin shumë të sigurtë deri në vendmarrjen e Berishës?
Erald Kapri: Të gjithë nga pak. Edhe personazhe të njohur, njerëz me kontribute në PD, që mund të shikonin që karriera e tyre mund të ishte në rrezik dhe donin ta provonin me një forcë tjetër duke menduar se kishin një mbështetje lokale elektorale. Ne i refuzuam, jo vetëm këta, por kushdo që na vinte te partia e na thoshte që kam 500 vota ose 1000 vota. Këto lloj tipash ne nuk i kemi qasur, në asnjë rast dhe rezultoi që kishim të drejtë. Nuk e sulmuan kurrë PD-në publikisht, nuk u morëm me të, u morëm me projektin tonë politik, ndërkohë që PD-ja çfarë s’bëri kundra nesh.
Valmora Gogo: Unë e vlerësova faktin që ju nuk u përziet pas deklaratës së Berishës, pra nuk u futët në atë vallen që donin t’ju fusnin. Jo na ke ofertuar apo jo.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar
Erald Kapri: Pse nuk je dakort që t’i reduktohet buxheti RTSH-së?
Valmora Gogo: E para nuk ishit shume të qartë, a ishit për reduktim apo ishit për mbylljen e TVSH-së?
Erald Kapri: Jo ne thamë vetëm për reduktim buxheti. Ai është një lloj spekulimi që bënë të tjerët, por ne thamë reduktim buxheti.
Valmora Gogo: Tani ti je i djathtë dhe e di shumë mirë që po u mbyll rubineti i parave, gjëja merr fund. Edhe sot që flasim në sistemin mediatik sistemi i financimit është thembra e Akilit.
Erald Kapri: Patjetër. Pyetja ime është çfarë vlere ka RTSH-ja sot?
Valmora Gogo: Atëherë t’i ndajmë, janë dy çështje shumë të ndryshme; do flasim për keqmenaxhimin e RTSH-së që unë jam dakort, RTSH-ja është keqmenaxhuar, problemet me ndërrimin e bordeve, që s’mbajnë përgjegjësi, një strategji të paqartë të drejtueses së re Eni Vasili tani që s’kuptohet se çfarë do bëjë, do ta kthejë në aksion të shtetit apo jo, këtë nuk e dimë, as s’është e qartë fare madje.
Erald Kapri: Është pronë e shtetit s’ka si ta kthejë ndryshe, po
Valmora Gogo: Po seç po flitet jo për do të bëjë një fond apo një nuk e di se çfarë është shumë e paqartë. Jam shumë dakort, është keqmenaxhuar, Radiotelevizioni Publik Shqiptar është aset kombëtar.
Erald Kapri: Ne s’thamë ta shkatërrojmë. Është një media, po nuk është BBC-ja.
Valmora Gogo: Dakord. Si do ta bëjmë është çështje tjetër dhe nuk qe shumë e qartë edhe për një arsye tjetër, se nuk i shkuat luftës deri në fund, pra e hodhët si tezë dhe e latë aty, pse kthyet mendje?
Erald Kapri: Jo nuk kthyem mendje, se tani fushata ka edhe gjëra të tjera. Në thelb, ajo që thoshim në është kjo që në Shqipëri harxhohen 2 miliardë euro vetëm për administratën dhe institucione pa pikë vlere. P.sh: Ujësjellësi i Tiranës ka 1500 në punë dhe ne s’kemi ujë e kanë zyra pa fund kudo. Këto janë shpërdorime pafund parash. TVSH-në e kemi marrë në këtë sens. TVSH-ja ka 3 herë më shumë punonjës se sa TV-të e tjera kombëtare dhe shikohet 20 herë më pak. Ne themi të kërkojmë llogari.
Valmora Gogo: Po standardi që ti i vendos RTSH-së, nuk mund të jetë i barabartë me standartin që ti i vendos një medie që është krejtësisht private, që mund të bëjë sensacionalizëm gjithë ditën për të kapur audiencë. TVSH-ja është aty…
Erald Kapri: Pse shikohet BBC-ja?
Valmora Gogo: Tani na çove shumë larg të BBC-ja, s’mund ta krahasojmë RTSH-në…
Erald Kapri: Media publike është.
Valmora Gogo: Ashtu siç nuk mund të krahasojmë “Top Channel”, TV “Klan” dhe media të tjera me media të tjera private ndërkombëtare se janë dy kontekste, dy situata që…
Erald Kapri: Krahasojmë median kombëtare shqiptare me median kombëtare italiane. RAI-n, median private këtu me median private në Itali. Median private po ta shikosh ka përafërsi. “Grande fratello” me “Big brother” këtu. Po media publike? RAI është uau. Po TVSH-ja? TVSH-ja për mendimin tonë ka harxhuar e po harxhon një buxhet të madh parash e nuk sjell produkt.
Valmora Gogo: Çfarë duhet të bëjë TVSH-ja tani sipas teje? Se do jesh në kuvend, do flasësh për këto gjëra.
Erald Kapri: Duhet të ketë e para njëherë, një menaxhim të rregullt financiar. N.q.s vjen në parlament e thua që kam harxhuar gjithsej 18-20 milionë euro në vit, gati dyfishi sa ç’harxhon një TV tjetër kombëtar se TVSH-ja është kombëtar, po kur shikohet nga vetëm 1.2 % e popullsisë, më fal po kjo nuk bëhet.
Valmora Gogo: Shiko, e para audienca nuk është matur.
Erald Kapri: Me të dhënat që kemi.
Valmora Gogo: Me të dhënat okej. Ne mund të bëjmë studime pa fund, por nuk ka një matje po themi formale të audiencës, po kërkohet nga BE-ja të bëhet, e do bëhet shumë shpejt, kështuqë RTSH-ja mund të mbrohet e të thotë ne s’kemi një matje, nga ana tjetër, ata që marrin vendimet tani, janë aty, por në fakt janë ca vendime që kanë pasur ca penalitete që për shkak të atyre që kanë qenë më parë, pra si të thuash hidhet topi sa në një anë të fushës në tjetrën, po nuk ka zgjidhje, por në anën tjetër eksponentë brenda RTSH-së janë me mendimin që duhet rritur tarifa.
Erald Kapri: U duhen lekë më shumë domethënë.
Valmora Gogo: U duhen para sepse bëhet fjalë për historitë e ..
Erald Kapri: Aty i kanë lekët, më fal, të digjitalizojnë!
Valmora Gogo: E shkarkimeve…
Erald Kapri: Ka 1000 veta në punë TVSH-ja, e duket që është fiktive kjo gjë, shkurto njerëz dhe krijo buxhet për gjëra e tjera. Unë..
Valmora Gogo: Pra e keni patur për keqmenaxhimin, që duhet menaxhuar më mirë. Nuk është se jeni pro mbylljes së RTSH-së.
Erald Kapri: Pra ne këtë po themi, harxhon kaq para, kur mund të harxhojë shumë më pak. Fati e do që unë edhe se kam punuar në Autorietin e Medias, kam studiuar për media, BBC-në e njoh shumë mirë se kam jetuar atje.
Valmora Gogo: Çfarë ka bërë BBC-ja më mirë?
Erald Kapri: Është komplet e pavaruar një herë, është vërtetë e pavarur, drejtori ekzekutiv që zgjidhet nga bordi atje përveç se është një personalitet që nuk i jep llogari kujt dhe BBC-përkundjrejt kësaj investon për audiencën. Bën programe që të thithë audiencën. Është “Top gear” me Jeremy Clarkson, është prodhim i BBC-së. Në kinematografi…
Valmora Gogo: Pra duhet të bëhet e konkurueshme thua.
Erald Kapri: T’u shërbejë interesave kombëtare
Valmora Gogo: Gjuhës shqipe, audiencave specifike, patjetër.
Erald Kapri: Edhe te BBC-ja kishte “BBC Alba”. Është për një komunitet të vogël që ka një gjuhë të humbur në veri të Skocisë, vetëm për ata. E kishin një kanal të dedikuar ata, po kishin edhe këtë pjesën tjetër. Pjesa e lajmeve dhe e informacionit. Pse nuk investon? Të ketë një informacion të besueshëm si media publike që është? Siç e ka BBC-ja. Nuk po them, BBC-ja është shumë larg, por rrimë te RAI per shembull. RAI është kritike ndaj melonit. Mendoni ju se TVSH ka qenë kritike ndaj ndonjërit të qeverisë këtu?
Valmora Gogo: As kur ka qenë Berisha. Të punësojë njerëzit e duhur?
Erald Kapri: TVSH-ja ka qenë gjithmonë një shtojcë e pushtetit, kjo ka qenë fatkeqësisht. Hajde se aty u bë edhe një ndërhyrje tjetër kundrejt rekomandimeve të OSBE-së përshembull, pavarësisht se ka një balancim politik, 6 me 6 po themi të anëtarëve, vendimet merreshim me 2/3, e hoqën , e lanë me shumicë të thjeshtë, D.m.th këdo që qeveria aty, kalon, nuk ke garanci fare, pastaj edhe lufta mediatike, pa llogaritur pastaj atë luftën e fshehtë që ka në Shqipërinë mediatike.
Valmora Gogo: Çfarë të bëjë? Çfarë duhet të bëjë, të gjejë njerëzit e duhur?
Erald Kapri: Të ndryshojë mendësinë njëherë. Çfarë modeli do ndjekim? TV publike, është edhe rrjeti i TV-ve publik. Është rrjeti ti TV-ve ndërkombëtare që janë shumë të fuqishëm. TVSH nuk e ka vetëm nga prodhimet që mund të marrin nga TV-të pubkike mund të nxjerrin e të sjellin në Shqipëri është e jashtëzakonshme, vetëm nga arkiva e vet mund të bëjë gjëra të jashtëzakoshme, por edhe të prodhojë në mënyrë origjinale. I ka ngelur vetëm ai, festivali i RTSH-së.
Valmora Gogo: E di, po ankesa e tyre është se nuk kanë pasur likuiditet për të blerë kampionate, kanë qenë gjithmonë në konkurrencë me mediat private të cilat janë aty vetëm për …
Erald Kapri: Se mediat publike duhet të favorizohen për këtë gjë. Është çështje keqmenaxhimi pastaj dhe llogaridhënie, por duhet të jetë si mundësi, pra mua më stonon fakti që një media shqiptare si TVSh-ja ka më shumë veta në punë se një media kombëtare. Që këtu e kupton që edhe me produktin që bën nuk shkon.
Valmora Gogo: Megjithatë nuk keni qenë aspak kritik me mediat private.
Erald Kapri: Kemi qenë.
Valmora Gogo: Keni pasur akuza nga Qori se keni blerë hapësirë…
Erald Kapri: Kjo është qesharake.


